Çelësi i artë 2009 mbërrin në edicionin e dhjetë
Mbërrin në edicionin e tij të dhjetë festivali për fëmijë Çelësi i artë 2009. Fëmijë nga e gjithë Shqipëria do të ngjiten në datën 22 qershor në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në festivalin "Çelësi i artë 2009", për të interpretuar këngë dhe valle popullore. Në vijim të aktiviteteve që po zhvillohen në këtë institucion, ku pothuajse në disa ditë të javës ka aktivitete kulturore, të ndërthurura me muzikë dhe performanca të tjera vjen dhe edicioni i dhjetë i këtij festivali, që organizohet nga agjencia e spektakleve Karabashi.
Festivali Çelësi i artë 2009, është një aktivitet, i cili synon përçimin e traditës së interpretimit të këngës popullore nga njëri brez në tjetrin. Në mbrëmjen e së hënës, ku do të kremtohet edhe 10-vjetori i këtij festivali, do të jenë pjesëmarrës artistë të mirënjohur shqiptarë, të cilët kanë kontribuar në organizimin e këtij festival. Për të realizuar një performancë sa më të mirë të artistëve të vegjël në skenë, agjencia Karabashi ka afruar një staf profesionistësh, të cilët kanë përzgjedhur materialet muzikore që do të interpretohen nga fëmijët. Gjithashtu ata kanë bashkëpunuar dhe me Institutin e Kulturës Popullore, Qendrën Kombëtare të Veprimtarive Folklorike si dhe Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, që në skenë gjithçka të jetë sa më origjinale, si materialet muzikore, tekstet dhe kostumografia. Ky festival realizohet nën kujdesin dhe mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Festivali mbarëshqiptar i interpretuesve të vegjël të këngës dhe valleve popullore Çelësi i artë është zhvilluar për herë të parë në vitin 1999. Zhvillimi i tij është përcjellë edhe përtej kufijve të Shqipërisë,si në Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoni.