E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çelet festivali folklorik ndërkombëtar “Fest-Argjiro 2009”

14/05/2009  Zbret në odeonin e qytetit folku i pasur i lab dhe grupet arbëreshe

GJIROKASTËR- Ansambli “Jehona e Dukagjinit” ka promovuar mbrëmjen e djeshme në qytetin e Gjirokastrës, çeljen e edicionit të 2-të të Festivalit Folklorik Ndërkombëtar “Fest-Argjiro 2009”. Në këtë natë, e cila u zhvillua në odeonin e qytetit, në zonën historike, shpalosën pasuritë folklorike dhe etnografike të trevave që përfaqësonin 6 ansamble nga 11 pjesëmarrëse. “Është e habitshme të shikosh një dimension krejtësisht të veçantë në raport me organizimin e festivaleve të tjera, sigurisht të rangut lokal apo rajonal”, është shprehur për gazetën “Metropol” drejtori i përgjithshëm i festivalit, Odise Kote.

Mirëseardhja

Repertori i pasur i folkut i përcjellë nga ansambli “Gjirokastra” mbrëmjen e parë të festivalit i ka përngjasuar buqetës me lule shumëngjyrëshe të mirëseardhjes për mysafirët e “Fest Argjiro 2009”. Isopolifonia labe e grupeve “Ergjëria” dhe “Kurora labe”, këngët tradicionale të kënduara nga Gentian Selfo dhe Ermal Kore, eleganca dhe harmonia e valltarëve të Dropullit, malli për vendlindjen i këngëtares popullore Juli Çenko etj., kanë qenë larmishmëria e kësaj buqete mirëseardhje të folkut të trevës së Gjirokastrës. “Është emocionuese për mua të ngjitem sërish në skenën e këtij festivali”, thotë këngëtari popullor Arjan Shehu, ndërsa së bashku me grupin “Ergjëria” përcjell plot virtuozitet për spektatorët këngën isopolifonike “Engjëll që mu qase pranë”. Nivelin artistik të prezantimit të ansamblit “Gjirokastra” në këtë festival do ta rriste më shumë edhe grupi popullor i Dhoksatit. Me veshjet karakteristike dhe kostumet popullore të zonës së Lunxhërisë, ky grup do të sillte për spektatorët e festivalit një element më shumë, i cili do të pasuronte larmishmërinë e zonave etnografike që prezantoheshin në “Fest Argjiro 2009”.

Me duartrokitje dhe plot emocion do të përcillnin spektatorët e festivalit edhe interpretimet e këngëtares popullore Juli Çenko. “Megjithëse deri tani jam ngjitur në shumë skena artistike sërish për mua sa herë interpretoj në një koncert në qytetin e Gjirokastrës është një emocion me shumë”, thotë këngëtari Gentian Selfo. Në programin artistik të këtij ansambli do të binte në sy edhe ekzekutimi plot virtuozitet dhe elegancë i valleve të zonës së Dropullit, mjeshtëria e instrumentistëve popullorë që shoqëronin këngët apo vallet e ndryshme popullore etj.

Arbëreshët

“Është një ëndërr që bëhet realitet, sepse ne kemi gjak shqiptar”. Kështu e përkufizojnë ardhjen në Gjirokastër, grupi i arbëreshëve nga Puglia “Katundi Jonë”. Për herë të parë pas 31 vjetësh arbëreshët e këtij rajoni rikthehen në skenën e festivalit në qytetin e gurtë dhe kjo cilësohet si një moment mjaft i rëndësishëm në jetën 4- vjeçare të grupit. Gjirokastra i ka mahnitur me çdo pjesë të sajën, arkitekturën, mikpritjes së banorëve dhe gjithçka tjetër.

Qysh në momentin e parë të prezantimit me këngët e vallet e tyre, përcjellin të ndryshmen dhe të përbashkëtën me tokën që lanë pas 500 vjet më parë. “Duam që në këtë festival të sjellim sadopak nga kultura jonë e përbashkët, atë që mund të rikuperohet”, shprehet njëri prej artistëve të grupit. Keqardhja për mospjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve është e madhe, por e rëndësishme sipas tyre mbetet t’i dhurojnë kënaqësi publikut. San Marziano rikthehet pas 31 vitesh në Gjirokastër dhe ky është një emocion i papërshkrueshëm. Kur na erdhi ftesa në fillim menduam se bëhej fjalë për ndonjë shaka, aq e parealizueshme na dukej pjesëmarrja jonë në një aktivitet të tillë”, shprehen artistët arbëreshë.

Rrjedhin “Burimet e Sharrit”

Për të pestën herë radhazi, artistët e ansamblit “Burimet e Sharrit” nga Tetova e Maqedonisë, ngjiten në skenat e festivaleve të Gjirokastrës, duke përcjellë artin popullor të krahinës së tyre. Pas tri debutimesh në Festivalin Folklorik Kombëtar dhe pjesëmarrjes në edicionin e parë të Festivalit Folklorik Ndërkombëtar “Argjiro 2008”, nuk i kanë thënë jo ftesës për të qenë sërish në këtë skenë, pavarësisht impenjimeve të shumta artistike. 30 artistët e mbërritur në Gjirokastër, për tri ditë me radhë do të sjellin atmosferën dhe traditën e krahinës së Sharrit në Tetovë, e cila për dekada me radhë është ruajtur me fanatizëm e dashuri. Të gjithë artistët janë të rinj dhe të dashuruar me trashëgiminë e të parëve të tyre, të cilën e përcjellin me krenari kudo që shkojnë.

Për Remzi Aliun, drejtuesin artistit të ansamblit, përshtypjet e edicionit të parë vazhdojnë të ruhen ende. “Edhe pse kanë kaluar shumë muaj nga viti i kaluar, vazhdojmë të ruajmë impresionet pozitive që na la edicioni i parë. Shpresoj që gjatë këtyre tre netëve këto përshtypje të forcohen dhe të bëhen edhe më të bukura. Jo vetëm për sa i përket organizimit, por edhe banorëve që janë kaq të dashur e mikpritës njëkohësisht. I gjithë populli bashkohet dhe bëhet një me ne festivalistët dhe kjo është mjaft e rëndësishme, pasi tregon dashurinë që kanë për artin tonë dhe për artistët gjithashtu”,-shprehet Aliu. Ndërkaq, ajo çka do të sjellin në skenën e “Fest Argjiro 2009” është përzgjedhur me mjaft kujdes nga repertori i pasur që ansambli “Burimet e Sharrit” ka. Valle e ritme me motive popullore përcjellin në natën e parë, të ndara në tri pika e që janë të gjitha me motive të Malësisë së Sharrit.

Ansambli “Burimet e Sharrit”, i krijuar në vitin 1996, numëron 60 artistë dhe është ndër grupet popullore më aktive. “Qysh prej krijimit, asnjë ditë nuk kemi pushuar. Pjesëmarrjet tona janë të shumta saqë nuk mund t’i numëroj festivalet në të cilat kemi marrë pjesë”,-shprehet më tej drejtuesi artistik Remzi Aliu.

Dasmë në “Viset e Kërrabës”

Dasma tradicionale e malësisë së Kërrabës zbriti mbrëmjen e djeshme në skenën e “Fest Argjiro 2009”, në një performancë krejt të veçantë. Në përfaqësimin e parë të tyre, ansambli folklorik “Visaret e komunës së Kërrabës”, një prej grupeve pjesëmarrëse në edicionin e dytë të festivalit folklorik ndërkombëtar solli të ndërthurura në këtë rit të gjithë elementët e veçantë burimorë. “Kemi qenë pjesëmarrës në mjaft aktivitete folklorike, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, si në festivalin mbarëkombëtar në Drenas Kosovë, Vitaj- Mal i Zi, Gostivar – Maqedoni si dhe në të gjithë festivalet e organizuara në Gjirokastër të veglave popullore. Kemi zgjedhur ritin e dasmës, nisur nga fakti se ky është një festival folklorik kombëtar, të shoqëruar me kostume origjinale të zonës sonë”, shprehet drejtuesi artistik i ansamblit “Visaret e komunës së Kërrabës”. Por, përveç performancës, është një prej ansambleve të pakta, që mbledh brenda vetes, fëmijët, të rinjtë e të moshuarit. Aty janë të gjitha moshat, duke filluar nga vajzat 9- vjeçare deri në këngëtarin 72 vjeçar Muharrem Bakalli, pjesëmarrës në të gjithë festivalet folklorike kombëtare e mbarëkombëtare.

Me 12 tregime dhe 2 novela

Promovohet “Vejusha” e Odise Kotes

GJIROKASTËR - Libri “Vejusha”, i autorit Odise Kote, me 12 tregime dhe dy novela është promovuar pasditen e mërkurë, në mjediset e hotel “Çajupi” në qytetin e Gjirokastrës.

Në fillim të fjalës së tij, profesori i gjuhës shqipe në universitetin “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës, Thoma Dhima, është shprehur se, autori në veprën e tij të fundit “Vejusha” ka arritur vërtet të shprehet me një gjuhë kratiliane, në krahasim me veprat e tjerë. “Shkrimtari i veprës Odise Kote, shquhet për përdorimin e vënies në shfrytëzim të një leksiku të konsiderueshëm e mjaft interesant. Ai së pari ka vendosur ngjarjet që ka qyteti i tij, Gjirokastrën, prandaj ka përdorur me efikasitet fjalë e shprehje gjirokastrite”, është shprehur profesor Dhima. Sipas tij, autori ka bërë një rrëfim në kohën e tashme ose në të kryerën, një formë kohore kjo që ka lidhje me të tashmen, pavarësisht se bëhet fjalë për ngjarje që ndodhin në të kaluarën e largët. “Kjo formë rrëfimi i jep aktualitet veprës dhe e afron shumë me të tashmen, se ky është edhe synimi i veprës që të shkuarën të sjellë sa më pranë realitetit të sotëm”, thotë Dhima. E. Molla

Ofrohen 800 tituj

Çelet panairi i librit shqip

GJIROKASTËR - Dhjetë metra larg Zonës Muzeale, në afërsi të sheshin “Çerçiz Topulli”, të qytetit të Gjirokastrës, u çel të mërkurën për të dytin vit radhazi panairi i librit shqip.

Në panair morrin pjesë shtatë shtëpi botuese, të cilat kanë sjellë për lexuesin afro 800 tituj librash, nga të cilët 120 tituj të rinj. Kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptare, Fatmir Toçi, tha në prani të dashamirësve të letrave shqipe se, ky panair që po zhvillohet në kuadrin të festivalin folklorik ndërkombëtarë “Fest-Argjiro 2009”, e cila ka nisur një ditë më parë, tashmë do të kthehet në traditë të përvitshme. “Lexuesit gjirokastritë do të kenë mundësi të marrin njohuri nga veprat e shkrimtarëve të mëdhenj, siç është gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadare”, tha Toçi.

Ndërsa, kryetari i bashkisë së qytetit të Gjirokastrës, Flamur Bime, ka falënderuar botuesit që ju përgjigjën me dashamirësi kërkesës së tij për të qenë të pranishëm në panairin e librit shqip në qytetin e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Në këtë panairi morën pjesë shtëpia botuese “Toena”, “Argjiro”, “Milosao” etj. E. Molla

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›