E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çelet sot panairi i 8-të i librit në Ulqin

Autori i Lajmit: red.
Hapet sot panairi i tetë i librit shqip në Ulqin. Ky është një nga evenimentet më të rëndësishme të librit shqip për Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi. Në këtë panair do të prezantohen mbi 60 botues me të paktën 6000 tituj librash. Në edicionin e 8-të të tij, I cili do të zgjasë deri më 31 korrik, të ftuar të veçantë pritet të jenë dy ministrat e Arsimit të Shqipërisë dhe të Malit të Zi, Genc Pollo dhe Branislav Miçunoviç. Në qendër të vemëndjes së publikut do të jenë gjatë ditëve të këtij panairi tradicional dhe akademikët Rexhep Qosja, Aleksandër Stipçeviç (akademik kroat me origjinë shqiptare), Pavle Goranoviç, shkrimtar romancier, kritik e eseist nga Mali i Zi. 500 tituj të rinj, kryesisht letërsi artistike, autorë shqiptarë e të huaj, histori, botime enciklopedike, letërsi për fëmijë, fjalorë e metoda për mësimin e shqipes dhe të gjuhëve të huaja, libra utilitarë për profesione të ndryshme, albume e katalogë gjithfarësh, do të përshfaqen në këtë ngjarje tradicionale të librit shqip. Gjithçka është realizuar mbi bazë të një vendimi të grupit institucional të punës, përfaqësuar nga Ministri i të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave në Malin e Zi, Fuad Nimani, kryetarit të Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga dhe kryetarit të Shoqatës së Botuesve të Shqipërisë, Fatmir Toçi, të cilët caktuan datat 25 - 30 korrik si periudhën më të përshtatshme për organizimin e festës së librit për ulqinakët dhe pushuesit e shumtë. Ulqini, i mbipopulluar si asnjë vit tjetër në 16 vitet e fundit, do të presë si çdo vit shkrimtarë, botues, lexues të shumtë, akademikë e të ftuar, madje edhe politikanët e rangjeve më të larta. Mbështetur si çdo vit nga Ministria e të Drejtave dhe e Pakicave Kombëtare e Malit të Zi, dhe nën kujdesin e drejtëpërdrejtë të kryetarit të Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, panairi i sivjetëm është i teti radhazi që organizohet në këtë qytet dhe do të ketë ngjyrat e një veprimtarie ndërkombëtare rajonale, edhe pse do të jetë libri shqip dhe botuesit shqiptarë ata që do të dominojnë. Veç librave nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, do të ekspozohen libra e do të marrin pjesë botues edhe nga Mali i Zi, Bosnja e pakicat e tjera kombëtare të kësaj republike. Është traditë e panairit të librit në Ulqin që të ketë në çdo edicion të ftuar të veçantë, personalitete nga fusha e kulturës, akademikë, administrata shtetërore apo politika. Në vitet e kaluara shiritin e inaugurimit të kësaj veprimtarie e kanë prerë personalitete të tilla si Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Fatos Arapi, Fatos Kongoli, Ali Podrimja, Jevren Brkoviq, Luan Starova, Sreten Asanoviq, ministrat e Kulturës të Shqipërisë e të Malit të Zi, akademikë e parlamentarë të të dy vendeve, si dhe ish-presidenti i Shqipërisë, Rexhep Meidani. Para tre vitesh, në vitin jubilar të 5-vjetorit të këtij panairi shiritin e prenë presidenti i atëhershëm i Shqipërië, Alfred Moisiu i Shqipërisë dhe Filipoviq i Malit të Zi. Nuk është hera e parë që kultura bëhet faktor për afrimet politike dhe në të njëjtën kohë tërheq vëmëndjen e politikës për problemet dhe vështirësitë që ka sot kultura, jo vetëm në botën shqiptare, por edhe në Rajon e më gjerë. Një vit më parë në çeljen e këtij panairi ishin të pranishëm ministrat e Integrimit të Shqipërisë dhe Malit te Zi, zonjat Majlinda Bregu dhe Gordona Gjuraviç, njëherazi edhe zv.kryeministre e Malit të Zi.
Ky lajm është publikuar: 25/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›