Çelet viti i ri shkollor për 650 mijë nxënës
zirina llambro
Më shumë se 650 mijë nxënës nisin sot vitin e ri shkollor. Prej tyre plot 80 mijë vogëlushë ulen në bankat e klasës së parë. Edhe ky vit duket se do të ketë jo pak probleme. Mësim me turne do të bëjnë një pjesë e mirë e shkollave, të cilat nuk përballojnë dot fluksin e nxënësve. Të tjera, ashtu siç ndodh rëndom në vendin tonë, sapo kanë nisur rikonstruksionin, a thua se tre muajt e verës nuk mjaftuan. Por ndryshe nga herët e tjera, më shumë angazhim vihet re nga strukturat e policisë. Nëse vërtet do t’i bëjnë realitet objektivat e vëna, kjo mbetet për t’u parë. Dje me anë të një deklarate për mediat, Policia e Tiranës njoftoi se janë marrë të gjitha masat për forcimin e rendit dhe sigurisë publike pranë ambienteve shkollore. “Policia e Tiranës do të angazhojë pranë objekteve shkollore punonjës policie, të cilët do të kryejnë një sërë funksionesh”, thuhet në deklaratën e Drejtorisë së Policisë. Në këtë kuadër, sipas saj, nuk do të lejohet hyrja e personave në ambientet e shkollave, të cilët prishin rendin e qetësinë publike. ”Efektivët blu do të mbajnë kontakte të vazhdueshme me personelin mësimdhënës, në drejtim të evidentimit të nxënësve problematikë, si dhe do të bashkëpunojnë me rojet private të shkollave”, saktëson deklarata. Ndërkaq nuk do të lejohet parkimi i automjeteve apo shitësve ambulantë pranë objekteve shkollore, me qëllim parandalimin e aksidenteve apo shkeljeve të tjera të ligjit. Punonjësit e policisë do të identifikojnë dhe kontrollojnë elementët me precedentë policor, që cenojnë rendin e qetësinë publike apo kanë tendenca për kryerjen e veprave penale. Gjithashtu zyrtarët e Ministrisë së Arsimit deklarojnë se kanë marrë të gjitha masat që dita e parë e shkollës të nisë normalisht. Por duket se në shumë librari mungojnë një pjesë e teksteve. Prindër dhe nxënës, të cilët qëndrojnë për minuta të tëra në radhë pranë librarive, pohojnë se një pjesë e teksteve nuk janë shtypur ende..
Shqiptarët, 6 vjet më pak shkollim se vendet e BE-së
zirina llambro
Shqiptarët arsimohen rreth 6 vjet më pak se vendet e Bashkimit Evropian. Mesatarja e viteve të shkollimit është më e ulët edhe se vendet e rajonit përfshi këtu Serbinë, Maqedoninë e Kroacinë. Statistikat flasin një frekuentim jo të mirë të arsimit parauniversitar sidomos në ndjekjen e gjimnazit. Të dhënat bëhen me dije nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. Ato pasqyrohen në strategjinë kombëtare të arsimit, ku jepet një panoramë e situatës aktuale dhe objektivave për të ardhmen. Kështu sipas të dhënave, mesatarja e shkollimit në vendin tonë është 11.9 vjet, ndërsa në vendet e BE-së ajo arrin në 17.4 vite. Në nivele më të larta se ne janë Serbia ku shifrat flasin për 13 vite shkollomi mesatare të popullatës, Kroacia me 15 vite, Maqedonia me 12 vjet dhe Sllovenia, e cila e ka këtë kohëzgjatje në 16.2 vjet. Nga sa thuhet në strategji, në vendin tonë ka një diferencë të madhe të së arsimuarit edhe mes krahinave. ”Një i rritur në Tiranë ndjek shkollën mesatarisht 3.5 vjet më shumë se mesatarja e republikës”, thuhet në dokumentin e MASH.
Problematikat
Vendi ynë është larg vendeve evropiane edhe sa i përket regjistrimit në arsimin parauniversitar. Kështu ndërsa tek ne në kopsht shkojnë rreth 50% e fëmijëve, në Evropë këto shifra arrijnë në 75%. Krahasuar me rajonin në këtë pikë jemi më mirë. Sa i përket shkollës fillore diferenca nuk është shumë e lartë. Arsimin e detyruar bazë e ndjekin 92% e shqiptarëve, në vendet e BE shifrat arrijnë në 95%. Ndërsa sa i përket arsimit të mesëm duket qartë një rënie e frekuentimit. Tek ne regjistrohen në gjimnaze 57% e nxënësve, ndërsa në Evropë arrijnë në 85%. Po kaq të larta janë shifrat edhe në vendet e rajonit. Këto shifra tregojnë se nuk i jepet shumë rëndësi edukimit në vazhdimësi. Një pjesë e mirë e tyre e ndërpresin shkollën pas klasës së tetë tashmë me reformën e re, pas klasës së nëntë. Përqindjen më të ulët ashtu siç kanë deklaruar edhe vetë drejtuesit e ministrisë e kemi në arsimin profesional. Vetëm 19% e nxënësve regjistrohen në këto shkolla, ndërkohë që në BE masa e frekuentimit është 62.7%. Në serbi e Kroaci arsimin profesional e ndjekin 70% e nxënësve, në Maqedoni 65% e tyre. Sa i përket braktisjes së shkollës në arsimin e detyruar ajo ka shënuar rënie dhe është në masën 0.94%. Në panoramën që i bëhet arsimit të detyruar 9-vjeçar theksohet se infrastruktura nuk i përgjigjet në të gjithë shtrirjen e tij sidomos në zonat rurale kërkesave bashkëkohore.
Mesatarja e viteve të shkollimit
Shqipëria 11.9 vite
Evropa 17.4 vite
Serbia 13 vite
Maqedonia 12 vite
Kroacia 15 vite
Sllovenia 16.2 vite
Regjistrimi neto
Sistemi parashkollor:
Shqipëria 50%
Evropa 75%
Serbia 45%
Maqedonia 29%
Kroacia 45%
Sllovenia 75%
Shkolla e detyruar bazë
Shqipëria 92%
Evropa 95%
Serbia 96%
Maqedonia 93%
Kroacia 90%
Sllovenia 93%
Shkolla e mesme:
Shqipëria 57%
Evropa 85%
Serbia 82%
Maqedonia 80%
Kroacia 84%
Sllovenia 91%