E Shtunë, 31 Tetor 2026

“PS e ka të pamundur të fitojë zgjedhjet me Ramën”

 

Aristir Lumezi

Ish-presidenti Rexhep Meidani, në një intervistë ekskluzive për “Panorama”, shprehet se bojkoti i Parlamentit nga deputetët socialistë është i gabuar, si dhe kërkesa për protesta popullore. Ish-kreu i shtetit shprehet se në kushtet kur rezultati juridik dhe kushtetues i zgjedhjeve është një çështje e mbyllur, i vetmi mjet për të hetuar zgjedhjet është komisioni hetimor. Për ish- përfaqësuesin e lartë të PS-së, drejtimi i kësaj partie duhet të ndryshojë qëndrim dhe filozofi, pasi nëse drejtohet partia si këto katër vjet, PS rrezikon të humbë dhe zgjedhjet vendore. Sipas tij, duket e vështirë që Rama të realizojë një bashkim të së majtës por dhe të ndjeshmërive të ndryshme brenda PS-së.
Meidani shprehet se në garën për kreun e PS-së, vlerëson platformën dhe seriozitetin e Maqo Lakrorit, ndërsa Edi Rama sipas tij nuk ka paraqitur asnjë platformë.
Në PS është krijuar një fraksion me një platformë të qartë, i cili po kërkon me ngulm reformimin e kësaj partie, duke nisur që nga pranimi, njohja dhe mbi këtë bazë bërja e një analize serioze e rezultatit të zgjedhjeve. Sa të rëndësishme ju duken këto shqetësime përballë fushatës së nisur tashmë nga Edi Rama për të rimarrë postin e kryetarit?
Pavarësisht përpjekjes aktuale për emancipim brenda partisë, dhe asaj kundër bojkotit parlamentar, unë, në thelb, kam qenë dhe vazhdoj të mbetem një partizan i ekzistencës së fraksioneve në parti. Por, ama, jo thjesht për pranimin formal të tyre. Për mendimin tim, një fraksion me një peshë të mjaftueshme, duhet patjetër të përfaqësohet sipas peshës së tij në forumet kryesore të partisë, jo vetëm për të shmangur eliminimin e drejtuesve apo mbartësve kryesorë të tij, por dhe për t’i shërbyer zhvillimit të mendimit politik brenda partisë, emancipimit të tij. Për më tepër, aplikimi i parimit “një anëtar, një votë” pa ekzistencën e fraksioneve dhe të përfaqësimit të tyre, jo vetëm nuk ka kuptim, por bëhet tepër i rrezikshëm për demokracinë brenda partisë, bile deri duke i shërbyer “mrekullisht” pushtetit apo ruajtjes së pushtetit të kryetarit të radhës!... 
Ndërkohë jepen shenja për vazhdimin e frymës përjashtuese në PS, ku rasti i fundit ishte ai i Petro Koçi dhe krijimi i PSV‘91. Mendoni se kjo frymë do të çojë në krijimin e një partie të re të dalë nga PS-ja dhe cila do të duhet të jetë përgjegjësia e figurave të tjera qendrore në PS, përfshirë dhe Ramën?
Në parti realisht demokratike, zgjidhja është dhe mbetet gjithmonë përfshirja dhe jo përjashtimi, me fraksione apo pa fraksione. Bile, çdo kryetar me bark demokratik, jo autoritarist apo autokratik, duhet të jetë i interesuar në përfshirjen e zërave “opozitarë” në organe drejtuese pranë tij. Veçse kështu mund të arrihen të shmangen gabimet apo, të paktën, të zvogëlohen mundësitë e pozicionimeve arbitrare, arrogante e mediokre, të ushqyera nga mjedise “Yes Men-ësh”, që në rastin më të parë mund të lenë në rrugë...
     Po ashtu, ajo që duhet të synohet nuk mund të jetë më ndarja apo ndonjë shizëm eventual brenda partisë, por bashkimi i të gjitha grupeve e ndjeshmërie, jo vetëm brenda PS-së, por dhe brenda kampit të majtë. Kjo duhet të jetë përgjegjësia dhe përgjegjshmëria e gjithsecilit! Natyrisht rrugët e këtij bashkimi mund të jenë të ndryshme, por domosdoshmëria e tij është një emergjencë e ditës. Dhe, mbi të gjitha, ajo nuk bëhet as me inate e mllefe, as me përjashtime e komandime. Nga ana tjetër, nga vëzhgime të ndryshme, të krijohet mendimi se një rrugë optimale, mund të ishte ribërja e të majtës apo riorganizimi i saj, dhe në këtë kuadër dhe i vetë PS-së.
Nisur nga vetë reagimi i kundërt i Ramës, pak përpara zgjedhjeve dhe gjatë tyre, me synimin për t’i mënjanuar krejtësisht konfiguracionet e tjera partiake aleate të PS-së dhe drejtuesit e tyre, duket si e vështirë për të besuar që ai mund të luajë, me bindje apo detyrim, një rol të tillë rëndësishëm dhe, mbi të gjitha, edhe të ndërgjegjshëm, në bashkimin e të majtës, në përgjithësi, apo të ndjeshmërive aktuale brenda PS-së, në veçanti. Aq më keq, nëse nëpërmjet teatrit të zakonshëm, do të tentohej përsëri e kundërta!...
Zoti Meidani, parlamenti nisi legjislacionin e ri, ndërsa grupi parlamentar socialist vazhdon ta bojkotojë atë. Çfarë pasojash mendoni se do të ketë për PS dhe grupin e saj parlamentar ky bojkot?
Brenda vendit dhe në funksion të zhvillimeve të ndryshme, parlamentare, politike, ekonomike e sociale shqiptare dhe atyre integruese, asgjë të mirë! Sidomos duke pasur parasysh dhe epërsinë e madhe numerike të grupit parlamentar socialist, peshën e tij. Në planin e jashtëm, një veprim i tillë do të sjellë dhe ngërçe të tjera për PS-në e drejtimin e saj. Po aq problematik, mund të rezultojë ky bojkot, sidomos ndonjë stërzgjatje irracionale e tij, në kuadër të kohezionit politik, parlamentar e partiak, vetë autoritetit të drejtimit dhe rrezatimit në masën e partisë. Kurse pretendimet e deklaruara të kalimit të reagimit opozitar nga salla e parlamentit në atë të shesheve e rrugëve, jo vetëm nuk duket realiste, por dhe as e bëshme për këtë lloj drejtimi! Pa harruar dhe faktin e dëmtimit politik që pësoi vetë PD-ja, kur aplikoi teknologjinë e bojkotit shumëvjeçar të saj në Kuvend apo në organe vendore!...    
Mendoni se kemi një strategji analoge mes bojkotit të Sali Berishës në 2001, pasi edhe kushtet që janë vendosur nuk ndryshojnë shumë, por, dhe koha përtej njohjes juridike të mandateve duket se do të jetë e njëjtë, në shkelje të plotë të afatit kushtetues?
Ky është dhe gabimi, aq më keq kur kërkohet të imponohet apo propagandohet një perceptim i tillë. Përfshirë, dhe kushtrimin për reagim, ndrojtjen e “frikën”, pse jo dhe dobësinë e përfaqësimit të një sjellje të tillë. Dhe së fundi, sa për kujtesë, vlen, edhe për këtë rast, thënia e artiljerëve që “predha nuk bie kurrë në të njëjtën vend”!... Po ashtu, përshtypja e përgjithshme është se nuk mund të vazhdohet gjatë me një qëndrim të tillë kushtëzimi e bojkoti, madje shumë shpejt do të gjendet një “modus vivendi”, për të “shpëtuar” nga kjo situatë e bezdisshme ngërçi...
Në takimet e fundit në grupin parlamentar socialist ka zëra, përveç grupit prej 5 deputetësh, që kërkojnë vajtjen në kuvend të paktën për të ligjëruar votën e marrë nga elektorati që i votoi, pra për të bërë betimin, ndërkohë që zoti Rama imponon në vazhdimin e bojkotit. Si gjykoni këtë frymë që ekziston tashmë dukshëm në grupin parlamentar dhe tërë partinë dhe çfarë tregon kjo?
Nuk e di nëse ekziston ose jo një situatë të tillë. Për mua problemi aty nuk është numri konkret: a janë 5, 10 apo 20 deputetë, etj.? Por, pozicionimi i drejtë dhe demokratik i gjithë strukturës drejtuese të partisë dhe i grupit parlamentar të saj. Nuk ka më kuptim retorika e bojkotimit apo imponimi i tij me “histeri”. Sepse në fund të fundit, me të mirat dhe të këqijat e veta, (me kontributin dhe të vetë PS-së) ky proces zgjedhor konsiderohet i mbyllur nga ana juridike – kushtetuese. Mjeti i vetëm mbetet komisioni hetimor, brenda hapësirave të brishta të tij. Prandaj, dhe realizimi i kësaj situate konkrete bën dallimin midis qartësisë dhe emocionit, mençurisë dhe kokëfortësisë, legalizimit e aventurizmit të drejtimit politik të një strukture partiake. Natyrisht, shoqëruar dhe me rezervat e brendshme apo vërejtjet e rekomandimet e jashtme të OSBE-ODIHR-it...   
Ende pa dalë raporti përfundimtar i OSBE-ODIHR, në mënyrë të përsëritur zoti Rama shprehet se nuk do të pranojë standarde më të mira se zgjedhjet e kaluara, por kërkon standarde të njëjta me vendet anëtare të NATO-s, madje ka dhe deklarata për të mos i dëgjuar dhe njohur qëndrimet e ndërkombëtarëve. Sa reale ju duken këto pretendime dhe vetë PS a ka përgjegjësi në mospërmbushjen e këtyre standardeve?
Vetë PS-ja ishte pjesë kryesore e reformës zgjedhore. Udhëheqja e saj na bindi se ajo kishte nën kontroll çdo hallkë të procesit. Madje, kishte menduar dhe për futje teknologjish shtesë, të papërfshira më parë në kod! Ndërkohë që mendja i kishte shkuar për të pakësuar sa më shumë me lidhëset “edhe/ose” përfaqësimin e gruas, sipas ligjit të qershorit të 2008(që kërkonte kuotën e 30%)...
Nga ana tjetër, kërkesa për standarde më duket tepër e drejtë. Jo më për standarde “alla shqiptare”, por për standarde të një vendi anëtar të NATO-s. Pra, edhe unë, personalisht, jam kundër emërtimeve gjysmake: “më mirë se më parë”, “një hap përpara”, etj. Aq më tepër, që këto zgjedhje ishin të parat pas anëtarësimit në NATO, apo pas dorëzimit të kërkesës për anëtarësim në BE. Por ky argumenti i standardit nuk mjafton “për të hedhur në erë” parlamentin që prodhon pothuajse gjithçka në një republikë parlamentare, pra dhe vetë shtetin!...   
Është hedhur mendimi i zhvillimit të protestave, nëse kjo gjë përkrahet nga baza socialiste. Në katër vjet opozitë, PS me Edi Ramën shmangu në maksimum zhvillimin e protestave për të treguar një fytyrë të re të bërit opozitë, qëndrim ky që është kritikuar për një opozitë të butë dhe lëshuese ndaj pushtetit të Sali Berishës. Përse sipas jush ky ndryshim filozofie dhe a ndikon në rritjen e kredibilitetit tek elektorati?
    Në fakt, në shumicën e rasteve e tillë ka qenë sjellja opozitare, përfshirë dhe “zemërgjerësinë” pas ngjarjes së Gërdecit. Aq më i çuditshëm, i gabuar dhe tërësisht i pajustifikuar ka qenë dhe amendimi i Kushtetutës, sidomos për raportet kushtetuese parlament-kryeministër–president. Bile, Rama, sot, normalisht duhet t’i “qajë” ato amendamente të një nate, që kanë betonuar pushtetin e Berishës!...
    Po kështu, nuk më duket, bile nuk besoj se kjo ideja e protestave mund të funksionojë, të paktën si një aksion permanent apo në një shtrirje të gjatë kohore. Për arsye të shumta, të cilat më duken pa kuptim që të analizohen në këtë intervistë. Por, ama, një shqetësim në vete mund të jetë edhe vetë kredibiliteti i kryetarit dhe “entourage”-it të tij, sidomos  pas shkeljes së statutit të partisë.
Me veprimet e fundit të Edi Ramës, shkelja e statutit dhe hyrja në garë për një mandat katër vjeçar, si rrjedhojë përsëritja e njëjtë e qëndrimeve të dikurshme të Sali Berishës për bojkot, mendoni se pas rikonfirmimit të tij në krye të PS-së, do të vazhdojë e njëjta frymë si në katër vitet e kaluara, që e lanë PS në opozitë? A rrezikon sërish PS mbetjen në opozitë?
Ky është dhe problemi thelbësor. Pas humbjes së zgjedhjeve, eliminimit të partive të aleate në kampin e majtë, refuzimit të bashkëpunimit me LSI-në para zgjedhjeve, për reformën zgjedhore, ndryshimet kushtetuese, mos pranimit të korrektimit kombëtar, etj., deri shtyrjen e deputetëve të kësaj partie në një grevë të dhimbshme urie, apo përpjekjet e ethshme për shkatërrimin e saj, e çuan këtë të fundit në qeverisjen me kampin tjetër. Atëherë si mund të garantohet realisht unifikimi i të majtës, apo fitorja e zgjedhjeve vendore pas dy vjetësh me të njëjtën filozofi eliminuese apo uzurpuese?! Me gjithë dëshirën e mirë, kjo duket tepër e vështirë, praktikisht e pamundur. Dhe, natyrisht, nuk mund të mos thuhet se mbartësi tipik i kësaj filozofie, në mos thjesht projektuesi, zbatuesi i saj është vetë Edi Rama. 
Cila mendoni se duhet të jetë marrëdhënie e PS-së dhe grupit të saj parlamentar me Parlamentin?
Thelbi i kësaj ideje u trajtua më sipër. Nga ajo kuptohet se përfshirja e PS-së në parlament është absolutisht e domosdoshme. Pa këtë pjesëmarrje parlamentare, pa këtë veprimtari të drejtpërdrejtë institucionale, jeta politike e kësaj force politike do të jetë krejtësisht e atrofizuar. Madje, jashtë Parlamentit, një pjesë e energjive të kësaj force, do të jenë krejtësisht të humbura. Përfshirë dhe deklarimet individuale, pas podiumit të hollit të PS-së apo pas një tavoline në bahçe që në vend të forcës, nëpërmjet një retorike tashmë të konsumuar, mishërojnë zbehje e dobësi. Ndryshe e thënë, ato thjesht do të vazhdojnë të rrezatojnë apatinë dhe ndrydhjen e potencialit politik të kësaj force. Ndërsa, nga ana tjetër, gjakftohtësia, mençuria, stabiliteti e qartësia e një force, e udhëheqjes së saj është për ta minimizuar, kontrolluar apo mënjanuar këtë dobësi, zbehje e apati, këtë humbje, konfuzion e dëmtim politik.   
Sot dy kandidatët për kreun e PS, Rama dhe Lakrori, janë duke zhvilluar një bashkëbisedim për platformat e tyre në 12 qarqe, bashkëbisedim që duket se për Edi Ramën po kthehet në një sqarim më shumë të bojkotit sesa të zgjedhjeve në parti. Si e gjykoni ju një taktikë të tillë?
E kam lexuar platformën e Maqo Lakrorit, me titull: “Socialistët e Bashkuar-Ringritja e PSSH, ardhja e së majtës demokratike në pushtet dhe qeverisja sipas standardeve euroatlantike”. Ndërsa, përveç pjesëve të fjalës së Edi Ramës, të transmetuara në kanale të ndryshme televizive apo të përfshira në disa gazeta, nuk kam pasur në duar ndonjë platformë konkrete të tij. Sidoqoftë, pavarësisht përfshirjes apo jo të medias në të gjitha rastet, pavarësisht mjeteve njerëzore e materiale në dispozicion, krejt të ndryshme, për mua ajo që po ngjet në këtë garë (pa dyshim të pabarabartë!) e ka një element racional që në një mënyrë apo tjetrën mund ta emancipojë partinë dhe proceset e brendshme të saj. Personalisht, i besoj seriozitetit të Maqos, dhe jam tërësisht kundër kualifikimeve apo “axhektiveve pezhorative” ndaj tij! Me të kam punuar në vite, si nxënës dhe “mik libri”, student i shkëlqyer dhe shkencëtar e pedagog, sekretar i PS-së për marrëdhëniet me jashtë apo sekretar shteti e ministër. Gjithmonë korrekt dhe i ndershëm, i drejtë dhe ligjor. Të vetmen rezervë legale nuk e kam me të, por me kandidimin e Edit (ndaj tij) në shkelje të statutit të PS-së, sidomos atij neni të propozuar po prej tij!...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›