Çelja e programeve dhe masterave, kompetencë e ministrit
Ligji i arsimit të lartë, për katër muaj i diskutuar gjerësisht nga institucionet vendimmarrëse, nga specialistë të arsimit dhe dekanate, ka parashikuar edhe ndryshime në dhënien e kompetencave. Sipas ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, menjëherë pas miratimit të ligjit, kompetencën për të hapur programe të reja, mastera, si dhe kurse të tjera kualifikime, do ta ketë Ministria e Arsimit dhe Këshilli i Akreditimit, strukturë pranë ministrisë. Vendimin për miratimin e iniciativave të tilla e merrte më parë Këshilli i Ministrave. Kështu, sipas ndryshimeve, qeveria do të vazhdojë të miratojë vetëm hapjen e shkollave apo universiteteve të reja. Propozime të tilla do të vijojnë të dërgohen nga arsimi pranë Këshillit të Ministrave. Ndërkohë që kurrikulat do të jenë vetë universitetet që do t’i vendosin dhe do të kenë kompetencë të plotë për strukturimin e tyre.
Kapitulli i tretë i ndryshimeve në ligjin e arsimit të lartë është ai që lidhet me departamentin. “Këtu dua të theksoj dy elementë. E para, ligji saktëson se departamentet që kanë personel akademik të mjaftueshëm dhe me kualifikimin e duhur, do të strukturoren në grupe mësimore-kërkimore”, sqaroi ministri i Arsimit Myqerem Tafaj. Sipas tij, në këtë mënyrë brenda departamentit krijohet hierarkia institucionale. Qëllimi është që të promovojmë sa më shumë të rinj në postet e lidershipit brenda departamentit dhe emërimi i titullarëve të grupeve kërkimore-mësimore të realizohet me konkurs të hapur në fakultet.
Ndryshimet ligjore kanë prekur dhe Fakultetin e Mjekësisë. Në këtë fakultet, deri tani kemi pasur strukturën e departamentit dhe atë të shërbimit. Tani edhe shërbimi do të ketë të njëjtin status me departamentin. Në këtë mënyrë u jepet mundësi shërbimeve që të thithin më shumë forca të kualifikuara dhe të integrojnë më shumë të rinj në strukturën e tyre.
Grupi i katërti i ndryshimeve prek politikat e personelit, të menaxhimit të institucioneve të arsimit të lartë dhe të bashkëpunimit midis autoriteteve dhe organeve kolegjiale.
Ligji përpiqet të sqarojë procedurat e emërimit të asistentëve dhe pedagogëve me konkurs. Rregullat do të jenë të qarta dhe ai që klasifikohet i pari duhet të emërohet. Konkursin e organizon vetë universiteti. “Duke qenë të vetëdijshëm për nevojat që ka sistemi për pedagogë, ligji precizon që personeli akademik ka të drejtë që të punojë part-time në universitete të tjera publike ose private, brenda apo jashtë vendit. Këtë të drejtë e kanë edhe autoritetet drejtuese të universiteteve”, sqaroi ministri.
Përmes këtij ndryshimi arrijmë të shfrytëzojmë në maksimum kapacitetet njerëzore që kemi. Sistemi ka nevojë për kontributin e tyre, si në fushën e mësimdhënies, ashtu dhe atë të kërkimit shkencor. Sipas ligjit, organet kolegjiale, këshilli i fakultetit dhe senati i universitetit, një herë në vit duhet të organizojnë një mbledhje të hapur, me pjesëmarrjen e profesorëve dhe studentëve. Në këtë forum, dekanët dhe rektorët bëjnë publik raportin vjetor të veprimtarisë, përfshirë edhe atë financiar.
#