E Diel, 1 Nëntor 2026

Thyhet Lazarati, policia nis monitorimin

Fushata antikanabis mbërrin në fshatin e famshëm. Kuliqi: Gjithçka nën kontroll

“Do të ketë operacione të hapura, kontroll të fortë dhe monitorim të rreptë policor nga toka, ajri dhe sateliti për të parandaluar kultivimin e bimëve narkotike në gjithë vendin, në rajonin e qarkut të Gjirokastrës dhe veçanërisht në Lazarat”. Kështu ka deklaruar dje në Gjirokastër “i deleguari” i Policisë së Shtetit, Ministrisë së Brendshme dhe Qeverisë në këtë rajon të klasifikuar si “zonë e nxehtë” për kultivimin e hashashit, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Agron Kuliqi.
Policia e Shtetit ka zgjedhur Gjirokastrën dhe posaçërisht Lazaratin, “kështjellën” e pamposhtur deri tani të kultivimit të kanabisit, për të përmbyllur fazën e parë të fushatës së saj sensibilizuese kundër kultivimit të bimëve narkotike.

Një “trojkë” e përbërë nga drejtues të lartë të policisë, të qeverisjes vendore dhe nga kreu i PAMEKA-s zhvilluan dje së pari një takim në qendër të fshatit Lazarat, e më pas u takuan me anëtarët e shtabit të luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike në sallën e prefekturës dhe në fund organizuan një forum me përfaqësues të mediave lokale dhe kombëtare, në studion televizionit publik lokal.

Strukturat e policisë së shteti, ato të komisariatit dhe drejtorisë së policisë së qarkut të Gjirokastrës, sipas zëvendësdrejtorit të Policisë së Shtetit Agron Kuliqi, kanë disa kohë që patrullojnë pa problem në brendësi të fshatit Lazarat dhe e kanë situatën nën kontroll. “Në bazë të të gjitha raportimeve që kemi, gjatë kësaj faze të parë të fokusuar kryesisht në sensibilizimin e opinionit, mund të pohojmë me siguri se situata është plotësisht nën kontroll, se niveli i bashkëpunimit me strukturat e pushtetit vendor, komunitetin e banorëve, qeverinë e nxënësve, shoqërinë civile dhe mediat ka qenë në nivelin më të lartë dhe shprehim bindjen e plotë se është bërë maksimumi i mundshëm për të parandaluar fenomenin e kultivimit dhe për të “zbardhur” hartën e kultivimit dhe për të larguar prej saj njëherë e mirë disa zona deri tani problematike”, theksoi dje Kuliqi.

Në përgjigje të interesimit të gazetarëve për mosndërhyrjen e policisë në Lazarat, ai tha se nga 3,8 ton mariuanë të sekuestruar gjatë këtyre muajve të fundit, 1,6 ton e kësaj sasie i përket drogës së prodhuar dhe trafikuar nga Lazarati. “Nuk është vetëm Lazarati, por për Lazaratin ka më shumë ndjeshmëri, keqkuptime dhe keqinterpretime edhe nga mediat, pasi gjatë vitit të kaluar për policinë e shtetit zona problematike në kultivimin e hashashit kanë qenë edhe disa zona mjaftë të thella të Krujës, disa zona në Shkodër ndërkohë që zonat dikur problematike të Vlorës dhe Fierit tashmë nga policia e shtetit konsiderohen si zona jo problematike dhe që kanë dalë jashtë hartës së zonave tradicionale të kultivimit.”, tha zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit.

Ndërkohë, drejtori i Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, Emri Vata, theksoi se aktualisht situata është në kontroll të vazhdueshëm, patrullat e policisë kontrollojnë dhe lëvizin lirshëm në të gjitha drejtimet brenda territorit të komunës së Lazaratit, por deri tani nga informacionet dhe konstatimet e drejtpërdrejta të policisë në terren nuk ka pasur tentativa për kultivim. “Gjatë këtyre muajve të parë të vitit 2010 ne jemi fokusuar në ndalimin e sasive të kanabisit të kultivuar në vitet e mëparshme dhe gjatë më shumë se 8 operacioneve të organizuara janë arrestuar ose ndiqen penalisht për trafikim të bimëve narkotike prej policisë rreth 11 persona, ndërkohë që gjysma e tyre janë shpallur në kërkim”, tha Emri Vata.

Ndërsa shefi PAMEKA-s, Misionit të Asistencës së Komunitetit Europian për policinë shqiptare, Cocil Graig tha se, duke u përfshirë në grupin monitorues, ai vlerëon nivelin e lartë të bashkëpunimit midis strukturave të policisë dhe komunitetit dhe se misioni që ai drejton është i fokusuar në asistencën dhe ndihmën për policinë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›