Çelja e sezonit turistik degjeneron në kërkesë fondesh
Situata e ujësjellësve dhe uji i ndotur që u shkon banorëve, aq më shumë në zonat turistike, ka vënë në rrezik suksesin e këtij sezoni turistik. Ndërsa prefekti i Fierit, Bujar Hasaj, ka kërkuar mobilizimin e të gjitha strukturave të pushtetit vendor e qendror për të marrë masat konkrete për një garantim normal të turizmit, drejtuesit e komunave kanë kërkuar fonde për investime. Nga ana tjetër, kreu i shëndetit publik ka paraqitur një situatë alarmante të ujit të pijshëm. Madje, ai ka thënë se edhe vija bregdetare e Fierit nuk ka njohur pastrim gjatë këtij viti. “Përveç një sipërfaqeje të vogël në plazhin e Semanit, nuk shihet pastrim territori në asnjë centimetër tjetër të vijës bregdetare”, sqaroi kreu i shëndetit publik.
Në Prefekturën e Fierit është zhvilluar dje takimi i parë lidhur me sezonin turistik. Prefekti i Fierit, Bujar Hasaj, ka mbledhur të gjithë drejtuesit e institucioneve, si drejtorinë e rrugëve, ujësjellësit, shëndetit publik e parësor, spitalit Fier, filialit të OSSH-së dhe krerët e komunave.
#