E Diel, 1 Nëntor 2026

Marrëveshje FIFA-Poloni: Nuk do të ketë sanksione

FIFA ka arritur një marrëveshje me Federatën e Futbollit të Polonisë, së cilës nuk do t‘i vihen sanksione. Një gjë të tillë e ka komunikuar vetë presidenti i organizmit më të lartë të futbollit në botë, Jozef Blater, i cili i ka hedhur ujë zjarrit, duke deklaruar se ka pranuar propozimin e bërë nga federata polake. Pas episodeve të korrupsionit të verifikuara për drejtuesit e lartë të federatës polake, e cila kishte detyruar FIFA-n dhe UEFA-n që të kërkonin shkarkimin e pjesës më të madhe të Komitetit Ekzekutiv, ky vend rrezikonte mes të tjerash përjashtimin nga eliminatoret e Botërorit 2010, por edhe anulimin e zhvillimit të Euro 2012 në Poloni dhe Ukrainë. Por për fat të mirë, tashmë gjithçka është zgjidhur pas arritjes së marrëveshjes. Dje, federata polake i kishte dorëzuar FIFA-s një propozim të bërë nga ministri i Sporteve, për të shmangur pezullimin e Polonisë nga eliminatoret e Afrikë e Jugut 2010. "Kemi shkëmbyer dokumentacionet me ministrinë, ka thënë zëdhënësi i qeverisë Zbigniev Kozminski, kemi gjetur një zgjidhje për të mbyllur konfliktin me federatën e futbollit. Dokumentet janë përkthyer në anglisht dhe i janë dërguar FIFA-s. Presim përgjigjen". Dorëzimi i dokumenteve është bërë në orët e fundit të skadimit të ultimatumit të FIFA-s, që i kishte kërkuar Polonisë t‘i rikthente të gjitha fuqitë presidentit të Federatës së Futbollit, të cilit ia kishte hequr nëpërmjet Gjykatës Sportive, pasi kishte gjetur "shumë shkelje të ligjit". "Ndërmjet federatës dhe qeverisë polake është arritur një marrëveshje, tha pohoi Blater. Nëse ajo do të firmoset nesër (sot), për ne (FIFA-n) kjo është e mjaftueshme dhe nuk do të merret asnjë masë ndëshkuese". Blater tha se qeveria polake ka pranuar të largojë administratorin e emëruar në krye të federatës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›