Çështja Assange, vijon konflikti Britani-Ekuador

Rasti i themeluesit të Wikileaks, Julian Assange vijon të shkaktojë tensione mes Britanisë dhe Ekuadorit, pasi ky i fundit i ka dhënë garanci për azil politik për Assange.
Mediat ndërkombëtare raportojnë se do të duhen ndërmjetësues për të zgjidhur këtë çështje diplomatike ndërmjet Britanisë dhe Ekuadorit. Zyrtarë britanikë kanë thënë se dëshirojnë të arrijnë “një zgjidhje miqësore” me Ekuadorin.
Zëdhënësja e Wikileaksit, Kristinn Hrafnsson, ka thënë se shpreson që Britania të ndryshojë qëndrimin ndaj Assange dhe të mos kërcënojë më për arrestimin e tij. Ndërkohë ka folur edhe presidenti i Ekuadorit, Rafael Correa, i cili ka mbrojtur qëndrimin e shtetit të tij.
“Julian Assange do të jetë në ambasadën tonë në Londër për një kohë të pacaktuar. Krimet që po hetohen në Suedi, për akuzat seksuale ndaj tij, nuk janë krime që janë kryer këtu”, ka thënë ai.
Ndërkaq Suedia ka thënë se Ekuadori nuk duhet të ndërhyjë në proceset ligjore. Në anën tjetër, aktivistët thonë se Ekuadori është treguar paksa hipokrit me këtë vendim, pasi edhe ky vend shpesh nuk ka qenë aq i mirë sa i përket fjalës së lire.
Ndërkaq Britania duket e vendosur të mos lejojë largimin drejt Ekuadorit të themeluesit të Wikileaks, Xhulien Asanzh i cili ndodhet prej dy muajsh në ambientet e Ambasadës së vogël të vendit amerikano-latin, në një nga zonat më të pasura të Londrës.
Ambasada tashmë është e rrethuar me rreth 40 policë për t`u siguruar që australiani nuk nxirret fshehurazi pas marrjes së azilit politik. Përvec policisë, një numër i madh i mediave vendase dhe të huaja janë stacionuar përpara Ambasadës së Ekuadorit.