Çështja “Gërdeci”, Mediu i shmanget hetimit të prokurorisë
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili akuzohet si një prej përgjegjësve kryesorë të tragjedisë së Gërdecit, i shmanget hetimit të prokurorisë. Kur pritej që gjatë ditës së djeshme ai të paraqitej në ambientet e prokurorisë, pas një fletëthirrjeje të dërguar nga këta të fundit, kjo gjë nuk ka ndodhur. Sipas burimeve pranë organit të akuzës, ish-ministri i Mbrojtjes, të cilit iu hoq vetëm pak ditë më parë imuniteti, nuk i është përgjigjur thirrjes së prokurorisë për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen e 15 marsit, për të cilën ai akuzohet si përgjegjës i drejtpërdrejtë. Ndërkohë, përveçse nuk është paraqitur në prokurori për t’u marrë në pyetje, mësohet se Mediu nuk ka bërë të ditur as arsyet e mosparaqitjes së tij, duke iu shmangur kështu hetimeve të organit të akuzës. Megjithatë, nga burime pranë grupit hetimor, bëhet e ditur se Mediut do t’i dërgohet sërish një fletëthirrje, për marrjen e tij në pyetje, lidhur me tragjedinë e Gërdecit, ngjarje për të cilën ai është i pandehur. Sipas hetimeve të deritanishme të prokurorisë, ish- ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka iniciuar një projektvendim të Këshillit të Ministrave dhe ka miratuar projekt-urdhra, të cilët kanë orientuar realizimin e procesit të çmontimit dhe çmilitarizimit të municionit, në përmbushje të ofertës të shoqërisë amerikane “SAC”, pas së cilës ishte shoqëria “AlbaDemil sh. p. k.” e Mihal Delijorgjit, duke angazhuar për hartimin e tyre një pjesë të stafit të tij të ngushtë. Në këtë proces administrativ, Mediu ka pranuar dhe miratuar disa projekt-urdhra, duke shmangur përfshirjen e strukturave dhe hallkave të domosdoshme që duhet të ishin pjesë e hartimit të tyre. Ndërkohë, mbështetur në aktet dhe dokumentet e administruara nga hetimet e deritanishme, evidentohen mjaft të dhëna që përbëjnë dyshime të forta se, Fatmir Mediu ka kryer veprime me dashje, në kundërshtim të hapur me ligjin. Me gjithë faktet e shumta që disponon prokuroria, ish-ministri në të gjitha rastet është shprehur se nuk ndihet fajtor për shpërthimin e 15 marsit në Gërdec, ku gjetën vdekjen 15 persona, si dhe mbetën të plagosur me shumë se 300 të tjerë.