“Kandidatët për në Gjykatën e Lartë duhet të jenë të ndershëm dhe të aftë”
Të gjithë kandidatët duhet të paraqesin edhe deklaratën e pasurisë. “Në funksion të transparencës së procesit dhe të emrave të paraqitur, ftohen të gjithë kandidatët, të cilët nuk kanë mbartur detyrimin për deklarim të pasurisë, sipas ligjit, të depozitojnë pranë Zyrës Juridike të presidentit brenda fundit të ditës së enjte, 3 korrik 2008, deklarimin e pasurisë së tyre, burimin e saj, si dhe të detyrimeve financiare, sipas përcaktimeve të ligjit nr. 9049, datë 10.04.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”. Ky deklarim duhet të shoqërohet me autorizimin e kandidatit për verifikim të të dhënave të paraqitura.
Ndërkohë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të informojë presidentin për deklarimet e pasurisë së gjyqtarëve, të cilët kanë paraqitur kërkesë për në Gjykatën e Lartë.
Edhe mbledhja e djeshme u zhvillua në praninë e përfaqësuesve të misionit EURALIUS, të ambasadës së SHBA dhe të Prezencës së OSBE në Tiranë”, - thuhet në njoftimin e presidencës.
“Arsimi i lartë juridik, mënyra e kryerjes së tij, kualifikime shkencore; vjetërsia në punë, duke patur parasysh që ushtrimi i profesionit të ketë qenë sa më afër gjyqësorit; për periudhën ligjore të vjetërsisë, të shikohen masat disiplinore, fuqia e tyre ligjore, lloji dhe numri i masave të dhëna; integriteti i lartë moral, reputacion i mirë në komunitetin e juristëve dhe mbështetje shoqërore e institucionale; gjatë gjithë periudhës së ushtrimit të profesionit, të mos ketë patur precedentë penalë, të ketë përmbushur detyrimet ligjore, të ketë qenë transparent dhe të ketë justifikuar pasurinë e tij; tregues të lartë cilësorë dhe intelektualë të punës së kandidatit; tregues intelektualë të kandidatit jashtë ushtrimit të profesionit (botime, artikuj shkencorë, kryesisht në fushën juridike),” janë disa nga kriteret që janë përcaktuar nga grupi i punës.
Kriteret
- Arsimi i lartë juridik, mënyra e kryerjes së tij, kualifikime shkencore.
- Vjetërsia në punë, duke patur parasysh që ushtrimi i profesionit të ketë qenë sa më afër gjyqësorit.
- Për periudhën ligjore të vjetërsisë, të shikohen masat disiplinore, fuqia e tyre ligjore, lloji dhe numri i masave të dhëna.
- Integriteti i lartë moral, reputacion i mirë në komunitetin e juristëve dhe mbështetje shoqërore e institucionale.
- Gjatë gjithë periudhës së ushtrimit të profesionit, të mos ketë patur precedentë penalë, të ketë përmbushur detyrimet ligjore, të ketë qenë transparent dhe të ketë justifikuar pasurinë e tij.
- Tregues të lartë cilësorë dhe intelektualë të punës së kandidatit (vendime gjyqësore, pretenca, parashtresa).
- Tregues intelektualë të kandidatit jashtë ushtrimit të profesionit (botime, artikuj shkencorë, kryesisht në fushën juridike.)
- Të mos ketë konflikt interesi apo lidhje nepotike mes përbërjes së gjykatave dhe kandidatëve që do të përzgjidhen për anëtarët e Gjykatës së Lartë.
- Të inkurajohet karriera gjyqësore.