E Diel, 1 Nëntor 2026

Buxheti shtesë, gjysma e investimeve do të shkojë në Rrëshen-Kalimash

Në buxhetin e ri shtesë, mbi 90% e të cilit do të shkojë për investime, qeveria ka parashikuar të japë rreth 80 milionë dollarë për rrugën Rrëshen-Kalimash. Të dhëna zyrtare nga Ministria e Financave thanë dje se, segmenti që po ndërtohet nga grupi amerikano-turk “Bechtel Enka”, nisur edhe nga ecuria e mirë e punimeve dhe nevoja për financime, do të marrë pjesën më të madhe të investimeve të buxhetit shtesë. Veç segmentit që po ndërton “Bechtel Enka”, zyrtarë të Ministrisë së Financave thanë se fonde të tjera që do të jepen për investime edhe në segmentin Milot-Rrëshen në ato pjesë, të cilat janë parashikuar të financohen nga qeveria shqiptare, pasi këtë një pjesë të financimit do ta mbulojë Banka Islamike për Zhvillim dhe Banka Botërore. E tërë rruga Durrës-Kukës mund të marrë nga buxheti një sasi parash për investime që shkon deri në 105 milionë dollarë në tërë gjatësinë e saj. Punimet në këtë rrugë janë duke ecur mirë në segmentin e “Bechtel Enka”-s, por në disa pjesë të tjera punimet ecin mjaft ngadalë dhe ka patur disa herë shtyrje të afateve. Pjesa më problematike është ajo Kukës-Morinë. I tërë buxheti do të jetë rreth 250 milionë euro, ku rreth gjysma janë pará që do të vijnë nga tatimet dhe doganat dhe pjesa tjetër janë pará që do të vijnë nga privatizimet. Rritja e pagave dhe e pensioneve do të mbulohet në pjesën më të madhe nga fondi kontigjencë, i parashikuar që në buxhetin vjetor të miratuar fundvjeshtën e shkuar e kësisoj nuk do të cenojnë buxhetin e ri shtesë. Ministria e Financave thotë se tërë rrugët e jugut që nisin që nga Lushnja do të financohen nga buxheti shtesë. Kësisoj, rruga Levan-Tepelenë do të marrë mbi 20 milionë dollarë, rruga e bregut të detit do të marrë një vlerë parash prej mbi 18 milionë dollarësh. Ministria e Financave tha se këto detaje janë duke u saktësuar në konsultime me përfaqësues të Ministrisë së Transporteve dhe të pushtetit vendor, në mënyrë që të caktohen fonde, të cilat deri në fund të vitit të jenë kthyer në punime. Veç rrugëve që përfshijnë aksin Lushnjë - Fier - Levan - Tepelenë dhe bregdetin, Ministria e Financave ka pasqyruar në buxhetin e ri shtesë edhe fonde për rrugën Korçë - Qafë Plloçë dhe Bllatë - Bulqizë. Respektivisht parashikohet që për këto rrugë të jepen nga 8 deri në 9 milionë dollarë për secilën, ndonëse ende nuk ka një vendim përfundimtar. Veç këtyre financimeve të mëdha në buxhetin shtesë do të jepen fonde edhe për projekte të tjera të vogla si për ujësjellës apo shkolla dhe spitale, sipas Ministrisë së Financave dhe vlera e tyre nuk do jetë më shumë sesa 10 për qind e totalit të të gjithë buxhetit të investimeve, çka do të thotë një vlerë më e vogël sesa 20 milionë euro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›