E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dashuri e dhunshme e kryeministrit me median

Kryeministri Berisha po bën një përpjekje të sforcuar dhe të panevojshme për të harruar fushatën e tij agresive dhe disa herë perverse kundër medias, që pas tragjedisë së Gërdecit. Në një takim të mbajtur dje në katedrën e Gazetarisë në universitetin e Tiranës, kryeministri u përpoq të flasë për gazetarët, sikur ata të mos e dëgjonin dhe për qytetarët, sikur ata të mos e shikonin si është e vërteta. Në disa pika të fjalimit të tij konfuz, ai përsëriti disa teza spekulative, të cilat duhen sqaruar njëherë e mirë për opinionin publik.

Së pari, duhet të sqarojmë tezën e standardit të “lartë” që ka vendosur qeveria e tij. “Shqipëria është i vetmi vend në Evropë dhe më gjerë, ku nuk ekziston asnjë padi civile e penale ndaj asnjë gazetari, çfarëdo që ai ka shkruar, për çdo zyrtar, nga kryeministri deri te punonjësi më i thjeshtë. Kjo solli një erë të re, erën e fundit të një farse të turpshme gjyqësore, ku objekt ishin gazetarët”, - tha Berisha.

Nuk kam ndërmend ta kujtoj formalisht kryeministrin, por unë nesër jam në gjykatën e Tiranës, ku gjyqtarja Zegjine Sollaku kërkon një dënim prej rreth 300 mijë eurosh prej meje. Shkak është bërë protesta jonë për arrestimin e gazetarit Çelo Hoxha një vit më parë. Në atë kohë gjithë redaksia e gazetës firmosi një letër të përbashkët, ku akuzonte zotin Sollaku, se po hakmerrej ndaj redaksisë së gazetës për shkak të qëndrimeve të saj ndaj alibive të dyshimta të gruas së tij në gjyqin e bandës “Hakmarrja për Drejtësi”. Çështja u mbyll një herë në gjykatë dhe zonja Sollaku, ende gjyqtare, e hapi sërish.

Një vit më pas e drejta është me ne, pasi gazetari i akuzuar për hakmarrje nga Dhori Sollaku është i lirë dhe i shpallur i pafajshëm tërësisht nga gjykata, çka vërtetoi tezën tonë se ne kishim të drejtë, kur e akuzonim familjen Sollaku për hakmarrje. Por gjyqi ndaj meje vazhdon. Natyrisht, nuk jam duke kërkuar ndihmë për gjyqin, por jam duke thënë se kryeministri tallet publikisht pa pikë turpi dhe thotë se nuk ekziston asnjë padi civile apo penale ndaj gazetarëve. Ato ekzistojnë dhe do të ekzistojnë, pasi Shqipëria nuk komandohet nga deklarata për shtyp të kryeministrit, por nga ligjet e shtetit shqiptar. Dhe kryeministri nuk ka bërë ndonjë ndryshim ligjor për këtë çështje. Ai e ka shumicën në Kuvend dhe, nëse do, mund ta bëjë këtë ndryshim dhe s’ka nevojë të bëjë deklarata. Gjykata nuk i njeh për ligje deklaratat e kryeministrit dhe nuk ka arsye të ndjehemi të gëzuar ose të lehtësuar prej tyre. Mjafton që të mos tallet publikisht dhe të gënjejë para gazetarëve të rinj, pasi ata nuk e njohin dhe mund ta marrin seriozisht.

Së dyti, duhet të sqaroj zotin kryeministër për një dëshirë të tij të fshehtë për një ligj që ai e quan kundër pronarëve dhe pro gazetarëve. Megjithëse ideja e tij dhe e këshilltarëve të tij është krejt kaotike, pasi buron nga urrejtja ndaj ndonjë pronari që s’është më, unë jam shumë i interesuar ta shikoj se si do të jetë ky ligj lejfenist. Në qoftë ashtu siç thotë kryeministri, na shpëtoi, pasi do të kemi mundësi të kemi një shtyp (natyrisht për disa kohë, sa të shfuqizohet kjo marrëzi), në të cilin gazetarët mund të shkruajnë lirshëm kundër kryeministrit, dhe pse pronarët kryesorë të medias janë ushtarë të tij. Keqkuptimi i madh që ka kryeministri, është se ai mendon se gazetarët janë pro tij dhe pronarët kundër. Në të vërtetë, në këtë vend Berisha ka pas tij vetëm disa pronarë dhe gjithë gazetarët kundër. Një peticion i para disa javëve, i firmosur nga shumica e gazetarëve më të njohur shqiptarë, tregoi qartë se firmën mbi të e refuzuan vetëm disa pronarë të lidhur me interesa ekonomike me Berishën dhe asnjë gazetar i njohur. Kjo do të thotë se gazetarët mezi presin të shpëtojnë dhe nga këta pak pronarë, për të dëshmuar lirinë e tyre kundrejt kryeministrit. Jam vërtet në pritje të një ligji të tillë, i cili do t’i lehtësonte dhe ata pak pronarë që janë me Sali Berishën, që kur ai t’iu kujtojë rrugët që iu ka dhënë me tendera, privatizimet, lejet e ndërtimit, leje universitetesh e gjithçka tjetër, ata t’i thonë: “Na fal Doktor, po s’kemi ç’të bëjmë, se ai ligji jot nuk na lejon t’i pengojmë gazetarët të të shajnë”.

Pavarësisht kësaj, kjo paranojë duhet të marrë fund dhe kryeministri nuk ka pse sforcohet të duket doemos mik i gazetarëve. Dhe kështu, Ermal Dibra, pseudonimi i tij në gazetën RD kundër gazetarëve, do të vazhdojë të shkruajë pa pyetur për kryeredaktorin formal të RD. Nuk ka nevojë për ligj për ta lehtësuar Bledi Kasmin nga ky hall. Ia qajmë hallin të gjithë dhe pa ligj. Nëse e do vërtet lirinë e shtypit, Berisha mund të japë një ndihmë modeste, të mos shajë dhe fyejë gazetarët. Të tjerat vetërregullohen nga komuniteti i gazetarëve.

Dhe, së treti, Berisha duhet të jetë më i përmbajtur në ndërhyrjet e dhunshme që bën në favor ose në dëm të pronarëve të shtypit. Lajmi i keq është që bën sulme ndaj tyre, por dhe më i keqi është se bën ndere duke rrezikuar konkurrencën ndaj të tjerëve që i shërbejnë atij. Ka prej tyre që kanë marrë tendera prej miliona eurosh dhe janë kthyer nga botues gazetash në ndërtues rrugësh, ka të tjerë që privatizojnë, marrin leje shumëkatëshe, shkëmbejnë pasuri private me prona publike, etj. Ka patur vetëm dy ekrane të varfra pro tij gjatë tetë viteve në opozitë, TV Shijak dhe ATN1. TV Shijak është sot më i persekutuar se atëherë. KKRT po vazhdon ta gjobisë dhe nëpunës të saj i thonë me ironi: “Le të të mbrojë PD tani”. Por ATN1 ka fat tjetër. Pasi e ka rrëmbyer Elvana Hana, një nga zyrtaret më të korruptuara të shtetit shqiptar, që është e provuar se ka kapur shtetin, ka ndërtuar një administratë nepotike dhe ka abuzuar me ligjet e këtij vendi, iu ka marrë ekranin e vetëm atyre pak militantëve të PD që e ngritën, kush duke dhënë tavolina, kush duke bërë dyert e kush duke blerë antenën. Tashmë ATN1 është televizion i pasur, me makina luksoze, me zyra të ofruara me koncesione, se është pronë e familjes biologjike Berisha. Dje ishte i varfër, se ishte pronë e familjes politike Berisha. Dhe ky njeri e ka ndarë tashmë familjen politike nga ajo biologjike. Përparësi ka e dyta.

Për këtë arsye nuk kërkojmë shumë gjëra nga kryeministri. Le të shikojë punët e veta dhe familjen e vet. Le ta lërë të lirë median, se i zgjidh vetë hallet e veta. Nuk duam të na gjejë reklama, por nuk ka pse na prish me dhunë kontratat e reklamave, vetëm nga urrejtja që krijon për një gazetë. Vetëpërmbajtja është diçka që ai e ka në dorë dhe mund ta ndreqë. Është diçka që mund t’ia bëjë dhuratë vërtet lirisë së shtypit në Shqipëri. Ta lërë atë të lirë, as mos ta dojë, por as mos ta urrejë. Përpjekja e tij për ta na dashur me zor, na shqetëson më shumë se lufta e tij. Ai e ka më të dhunshme dhe të dëmshme dashurinë sesa luftën. Kjo na qetëson shumë herë më tepër se fjalimi i tij përçart ditën e djeshme në katedrën e Gazetarisë. Gazetaria shqiptare është ende larg rrugës për të qenë e pavarur, e fortë dhe e vërtetë, por është në rrugë të drejtë. Kryeministri është në drejtim të kundërt me të. Nuk jemi bashkë në një udhë. Fati i tij i madh është që ne jemi ende larg standardeve të gazetarisë perëndimore, së cilës do t’i mjaftonte rasti i Gërdecit për të ndriçuar çdo skutë të lidhjeve të tij familjare me këtë tragjedi dhe çdo përgjegjësi të tij zyrtare dhe ta përcillte në pension me turp. Dhe pastaj të shihte gjithë ditën ATN1, se të tjerët shkojnë me kryeministrin e ri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›