"Çështja Hoxha", rrëzohet kërkesa e Kumbaros
TIRANË - Gjykata e Krimeve të Rënda ka rrëzuar kërkesën e avokatëve të Ilir Kumbaros për të ndryshuar trupën gjyqësore që po shqyrton dosjen "Remzi Hoxha" ku Kumbaro është i akuzuar për rrëmbim dhe zhdukje personi.
Avokati Bledar Fejzo e arsyetoi kërkesën e tij të bazuar në ligj pasi sipas ligjit kryesuesi i trupit gjykues kishte dhënë një seancë më parë masën e sigurisë arrest në burg për Kumbaron dhe për këtë arsye nuk mund të vazhdonte të gjykonte sërish këtë çështje.
Në seancën e sotme Prokuroria ka kërkuar nga gjykata të revokohet vendimi për të marrë në pyetje përmes letër porosisë në Holandë, Avdyl Loshajn, i mbijetuar nga torturat e SHiK-ut në Kune të Lezhës.
Për arsye sigurie muaj më parë ishte vendosur kjo procedurë, që sot është kundërshtuar nga Prokuroria duke kërkuar marrjen e tij në pyetje në vendin ku ai jeton.
Ndërkaq një tjetër kërkesë ka ardhur nga avokatët mbrojtës të të pandehureve të cilët kanë kërkuar marrjen në pyetje të një prej dëshmitarëve, oficerit të SHIK-ut Riza Shehu, i kërkuar prej muaj të tërë, ndërsa është sinjalizuar që ai jeton në Itali.
Për të dyja këto kërkesa gjykata do të shprehet në seancën e radhës. Për "torturimin" dhe "rrëmbimin me pasoja të rënda" për Remzi Hoxhën, Ziso Kristopullin dhe Avdyl Loshajn, janë të akuzuar Arben Sefgjini, ish-drejtori i SHIK për degën e Tiranës, Ilir Kumbaro ish-drejtor i SHIK në Drejtorinë Qendrore, Avni Koldashi ish-shef i bazës së vëzhgimit dhe Budjon Meçe, ish-inspektor.