Çështja e targave, EULEX-i kundër "provokimeve"

Misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX i ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të përmbahen nga çdo lloj "akti që mund të shihet si provokim" ndaj njëri-tjetrit.
Zyrtarë të EULEX-it thanë se të dyja palët duhet të ulin tensionet e krijuara rreth çështjes së targave të makinave.
Deklaratat e EULEX-it pasuan një vendim të ministrit të punëve të brendshme në Kosovë, Bajram Rexhepi, për konfiskimin e të gjitha targave të makinave të lëshuara nga autoritetet e Serbisë, brenda territorit të Kosovës.
Ditë më parë autoritetet serbe filluan lëshimin e targave të reja duke përfshirë edhe territorin e Kosovës që nxiti reagimin e autoriteteve në Prishtinë, të cilat e cilësuan vendimin si shkelje të sovranitetit të vendit.