E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çfarë Kroacie, në Shqipëri Bariçi fiton trefish

Nga Bledar Kuka
Ndonëse Federata Kroate e Futbollit (HNS) është shumë më e pasur sesa ajo shqiptare, sërish kur vjen puna te trajneri i kombëtares, kuqezinjtë tregohen më "kalorës". Oto Baric fitonte 30 000 kuna në muaj si trajner i përfaqësueses kroate në vitin 2004. Në atë kohë ai ishte 3 vjet më i ri, pra 72 vjec, ndërsa me atë ekip arriti në finalet e Kampionatit Europian në Portugali, si pasojë e së cilët Federata Kroate fitoi plot 4.8 milionë euro. Por, kreu i HNS-së, Mamic as nuk i mendoi këto gjëra kur i ofroi Baricit vetëm 100 000 euro në 18 muaj, që i bie 5396 dollarë amerikanë në muaj, apo 30 000 kuna. Këtë e shkruante "Jutarni List" më 27 mars të vitit 2004, pra plot 3 vjet më parë. "Kjo ishte hera e parë dhe e vetme që Oto punon me pagesë kaq të vogël", - komentonte gazeta, që i ka rënë pikës. Barici e justifikoi pranimin e kësaj oferte me faktin se po merrte përsipër detyrën më të dashur në jetën e tij, pra drejtimin e kombëtares së atdheut, Kroacinë. Në verë të vitit 2006, Baric i vërtetoi (të paktën pjesërisht) fjalët e "Jutarnji List"-it, duke marrë drejtimin e kombëtares shqiptare, për 300 000 euro në 18 muaj (400 000 USD shkruajnë mediat kroate). Kjo është trefishi i asaj që i ofroi vendi i tij, shumë më i pasur sesa Shqipëria. Në Tiranë, Barici paguhet me 92 666 kuna në muaj, që i bie 16 372 dollarë amerikanë. Edhe ky është një nga paradokset e futbollit, ndërsa 75-vjecari vazhdon të ketë sukses në karrierë, të paktën në aspektin financiar. Sipas "Jutarnjit" Oto është tepër i dashuruar me paratë dhe vetëm rivali i tij i madh, Tomislav Blazhevic ia kalon, por në vitin 2004 ai ishte trajneri më i vjetër i kombëtareve në Europë dhe më i keqpaguari. Sot, ai vazhdon të jetë trajneri më i vjetër i kombëtareve në Europë, por tashmë jo më i keqpaguari. Të tillë si Srecko Katanec i Maqedonisë apo Matjazh Kek i Sllovenisë janë më poshtë në listë sesa ai. Ja ku po përmendim edhe një trashëgimtar të tij në stolin e Kroacisë, Slaven Bilicin që merr 3 herë më pak. Pra, Bilici i sotëm është si Barici i 2004-ës. HNS-ja nuk e ka ndryshuar aspak ofertën e saj për trajnerin e përfaqësueses.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›