Benedikti XVI: “Ndaj sulmeve kundër familjes, Vatikani nuk mund të qëndrojë indiferent”
“Nuk mund të qëndrojmë indiferentë” ndaj sulmeve të sotme kundër familjes, qelizë themelore e shoqërisë”. Kështu pohon Papa në mesazhin e tij për takimin e ipeshkvijve përgjegjës për punën baritore me familjen, që vazhdon në Bogota të Kolumbisë. Në konferencë marrin pjesë prelatë nga Komisionet Ipeshkvnore për Familjen e Jetën në Amerikën Latine e në Karaibe. Familja, thekson Benedikti XVI, është akoma vlerë e rëndësishme për popujt e Amerikës Latine, por vuan nga gjendja e krijuar për shkak të ndryshimeve të shpejta kulturore, të paqëndrueshmërisë shoqërore, për shkak të emigracionit, të varfërisë, të programeve edukative, që banalizojnë seksualitetin e të ideologjive të rreme. “Në Ungjill – shkruan Papa – gjejmë dritën e nevojshme për t’iu përgjigjur këtyre sfidave pa u shkurajuar”. Ati i Shenjtë përsërit impenjimin e Kishës Katolike në favor të familjes, së konceptuar si bashkim i një burri me një grua. Kjo familje, thekson Papa, mund të “kryejë misionin e saj si qelizë e gjallë e shoqërisë, burim virtytesh, shkollë bashkëjetese, mjet mirëkuptimi e hapësirë e privilegjuar, në të cilën, me gëzim e përgjegjësi, pritet e mbrohet jeta njerëzore nga fillimi deri në fundin e saj të natyrshëm”. Duhen mbështetur prindërit në detyrën për t’ua përçuar fenë e vlerat njerëzore brezave të rinj, përfundon Benedikti XVI. Sipas kryetarit të Këshillit Papnor për Familjen, kardinali Enio Antoneli, në çdo famulli duhet formuar së paku një bërthamë familjesh shembullore e të vetëdijshme për misionin e tyre në Kishë e në shoqëri. Pa to, nënvizoi kardinal Antoneli, nuk është e mundur të realizohet edukimi i dashurisë dhe i seksualitetit të shëndoshë, gjatë përgatitjes së të fejuarve për martesë. Në fund, kardinali kërkoi që pjesëmarrësit e takimit të Bogotasë të luten për familjet e Amerikës Latine e për të gjitha familjet e botës.
Kryepeshkopi Krizostomos II: “Katolikë e ortodoksë, gjithnjë e më pranë”/Pas takimit të djeshëm me Papën, vazhdon në Vatikan vizita e kryepeshkopit Krizostomos II, primat i Kishës ortodokse të Qipros. Në program, biseda me prefektin e Kongregatës për Kishat Lindore, kardinal Leonardo Sandri, me kreun e Këshillit Papnor të Kulturës, kardinal Xhanfranko Ravazi dhe me kryetarin e Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, kardinal Zhan-Lui Turan. Në mikrofonin e Radio Vatikanit, vetë kryepeshkopi Krizostomos II na flet për rolin e Qipros në Lindjen e Mesme dhe për dialogun ndërmjet katolikëve e ortodoksëve: “Qipro ka marrëdhënie të shkëlqyera me të gjitha vendet e Lindjes së Mesme, si edhe me Evropën. Në fakt, Qipro është anëtare e Bashkimit Evropian. Për shkak të pozicionit dhe të rolit të rëndësishëm gjeopolitik, Qipro mund të japë një kontribut të madh në zgjidhjen e problemeve të Lindjes së Mesme e në mbrojtjen e botës së krishterë të rajonit. Mendoj se dialogu po na afron gjithnjë e më tepër: ne e kemi për detyrë ta vazhdojmë së bashku rrugën e dialogut, që është rruga e së ardhmes. Nuk duhet të lodhemi nga konfrontimi pozitiv e duhet të punojmë së bashku për të zgjidhur problemet, që ekzistojnë akoma. Duhet të arrijmë bashkimin”.
Lumnimi i Papës Gjon Pali II: priten 300 mijë shtegtarë/U zhvillua dje në Romë një konferencë shtypi mbi lumnimin e Papës Gjon Pali II, në të cilën organizmi për shtegtimet kishtare “Opera Romana Pellegrinaggi” sqaroi disa çështje teknike e organizative. Më 1 maj, në ditën e ngritjes së Papës Vojtila në nderimet e elterit, priten së paku 300 mijë shtegtarë, por Roma është gati të mirëpresë edhe më shumë. Po fuqizohen strukturat në zonën rreth Sheshit të Shën Pjetrit, ndërsa për të rinjtë po bëhen gati kampuse në Çivitavekia e në Fiumiçino, pranë, por jashtë kryeqytetit italian. Mëse 2500 vullnetarë janë caktuar t’u japin informacion njerëzve, që do të vijnë ato ditë. Me shoqatën e pronarëve të hoteleve është nënshkruar një Kartë etike, për të shmangur spekulimet. Është ideuar një kartë, që quhet “JP2-pass” dhe kushton 18 euro, për të siguruar udhëtimet me autobuzë, trame e metro, të cilat do të funksionojnë deri në orën 2 të natës. Karta ka vlerë treditore dhe parashikon një drekë të thjeshtë, që mund të merret me vete më 1 maj, si edhe informacionet e nevojshme për ngjarjet e lumnimit të Gjon Palit II. Atë ditë, njerëzit mund të hyjnë në shesh, duke filluar nga ora 5 e mëngjesit, pa biletë. Të shtunën në mbrëmje, pas lutjes në “Circo Massimo” të Romës, në orën 20.00, kishat e qendrës do të qëndrojnë hapur gjithë natën.