E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çfarë do të shpëtojë Arkeologjia e Shpëtimit

Pothuajse një vit pas krijimit, Agjencia e Shërbimit Arkeologjik, thërret për ndihmë ekspertët francezë në seminarin "Arkeologjia e Shpëtimit në Shqipëri dhe eksperiencat Evropiane"


Agjencia e Shërbimit Arkeologjik në Shqipëri dje dhe sot organizon seminarin "Arkeologjia e Shpëtimit në Shqipëri dhe eksperienca Evropiane". Kjo strukturë që u krijua në maj 2008 ka për të shërbyer për njohjen e trashëgimisë kulturore në territoret ku do të ndërtohet si dhe mbrojtjen e tyre.


Në këtë takim janë ftuar përfaqësues të Shkollës Francezë në Romë (Ecole Française De Rome) dhe Instituti Kombëtar i Kërkimeve Arkeologjike të Shpëtimit në Francë (INRAP). Qëllimi është bashkëpunimi dhe shkëmbimi i përvojave.


Studiuesit francezë vijnë në Shqipëri me një përvojë 30-vjeçare në fushën e Arkeologjisë së Shpëtimit ndërkohë që ASHA është në hapat e parë dhe ende nuk ka ndonjë projekt konkret për të vepruar në terren.


Sipas përgjegjësit të sektorit të Arkeologjisë së Shpëtimit, Surja Lela, e vetmja gjë konkrete dhe që mund të jetë subjekt për një operacion të ardhshëm, ka të bëjë me antenat e telefonive celulare në disa zona arkeologjike.


ASHA do të hartojë së shpejti një plan që këto antena të kalojnë në vende ku nuk ka gjurmë arkeologjike.


Për përfaqësuesen e Shkollës Franceze në Romë, Etleva Nallbani, Agjencia ka ende shumë për të bërë. "Agjencia ka nevojë për gjithçka, për përcaktimin e anës legjislative, ka nevojë për formimin e kuadrove.


Sepse të gjithë specialistët shqiptarë vijnë nga një arkeologji e programuar dhe nuk njohin proceset që duhet të ndjekin",- shprehet ajo. Nallbani shpjegon se ASHA-ja do të duhet të përcaktojë një hartë në funksion të zonave që parashikohen për ndërtime dhe për zhvillime urbane.


"P.sh kur të ribëhet plani urbanistik i Tiranës, në zonat ku do të ndërhyhet do të çohet edhe qendra arkeologjike e shpëtimit, për të parë nëse territori ka të dhëna apo jo dhe për të përcaktuar se si do të veprohet", shpjegon ajo.

Studiuesit francezë Jean Paul Jacob, Natahn Schlanger, Pascal Depaepe etj, trajtuan probleme teorike dhe praktike të fushës si: Mbrojtja e trashëgimisë në Francë në vitet, 1913, 1941-45, 2001, Zinxhiri i veprimeve të arkeologjisë parandaluese, rregulluesit e territorit, shërbimet rajonale arkeologjike dhe rekomandimet etj.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›