Shkodër, dënohet inxhinieri i Velipojës
SHKODËR - Gjykata e rrethit gjyqësor Shkodër ka vendosur deklarimin fajtor të inxhinierit të komunës Velipojë, Lekë Marku, për veprën penale të korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike, ndërsa ka vendosur dhe pezullimin e ekzekutimit të vendimit për të, duke e liruar me kusht.
Gjatë seancës gjyqësore të së hënës, trupi gjykues ka vendosur deklarimin fajtor të Lekë Markut dhe dënimin e tij me 3 vjet burgim dhe 510 mijë lekë gjobë. Markut i është zbritur 1/3 e dënimit, pasi kishte pranuar gjykimin e shkurtuar dhe në përfundim, nga ana e togave të zeza për të është dhënë një dënim me kusht për 3 vjet, periudhë gjatë së cilës ai nuk duhet të kryejë ndonjë vepër penale po aq të rëndë ose më të rëndë.
Po kështu, është vendosur shuarja e masës së sigurimit ndaj Lekë Markut duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm të tij, si dhe heqjen e së drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për një afat 6-vjeçar. Gjoba duhet paguar brenda një viti. Lekë Marku u arrestua nga policia më 30 qershor 2008 teksa merrte një zarf me 25 000 lekë të reja në këmbim të një lejeje ushtrimi aktiviteti sezonal në plazhin e Velipojës.