Raporti: 80% e mediave audiovizive, me fitim
TIRANË - Shumica dërrmuese e radiove dhe televizioneve në Shqipëri, rezultojnë me fitim. Të paktën kështu tregojnë të dhënat nga Këshilli Kombëtar i Radiove dhe Televizioneve. Edhe pse më një sipërfaqe të vogël të mbulimit, të dhënat tregojnë se shumica e mediave lokale, për vitin 2008 kanë pasur një bilanc pozitiv. Referuar raportit vjetor të KKRT-së, nga bilanci vjetor i dorëzuar pranë këtij autoriteti, rreth 80 për qind e operatorëve kanë tregues pozitivë, 18 për qind dalin me humbje dhe 2 për qind kanë bilanc zero.
Sipas KKRT-së, për vitin 2008 vërehet një rritje e numrit të operatorëve që kanë dorëzuar bilancin vjetor. Gjithashtu, vërehet edhe një rritje e operatorëve të deklaruar me fitim, në krahasim me vitin 2007. Të gjithë operatorët e klasifikuar si biznes i vogël dhe që mbulojnë një ose dy rrethe, shfaqin një aktivitet të qëndrueshëm dhe me fitim. Ndryshe paraqitet situata për operatorët që kanë një shtrirje më të madhe, të cilët përbëjnë edhe shumicën e subjekteve që dalin me humbje. Një dukuri tjetër e vënë re, është edhe tendenca e radiove për të qenë më të rregullt në krahasim me televizionet në shlyerjen e detyrimeve të pagesave vjetore dhe të licencave. Për vitin 2008, këto detyrime i kanë shlyer 84 për qind e radiove, dhe vetëm 77 për qind e televizioneve. Vetëm për vitin 2008, nga KKRT-ja janë arkëtuar 38 milionë lekë vetëm nga pagesat e licencave të operatorëve lokalë.
Për sa u përket të ardhurave nga reklamat, ato kanë shënuar një rënie të pandjeshme në krahasim me vitin 2007, me vetëm 1 për qind. Nisur edhe nga tarifat e ulëta të përfitimit të licencës, në të gjithë vendin ekzistojnë me dhjetëra televizione dhe radio lokale, të cilat transmetojnë kryesisht në hapësira të vogla. Pranë institucionit të KKRT-së, janë regjistruar plot 170 radio dhe televizione në të gjithë vendin. Nga këta, 71 janë televizione që transmetojnë me frekuenca, 53 janë kabllorë dhe 46 radio.