"Çfarë duhet për t‘u bërë një billder"
Bodybuilding është një nga sportet e reja në Shqipëri, i lindur pas viteve ‘90, por njëkohësisht edhe një ndër më të varfrit edhe pse për t‘u bërë një billder kostoja financiare nuk është e vogël. Në momentin e parë, të gjithë kur hasin me një sportist të tillë, mendojnë se që të bëhesh si ai duhet të ushtrohesh gjithë ditën në palestër. Në të vërtetë, nuk është kështu. Aktiviteti i një billderi është i përcaktuar dhe i kontrolluar në një mënyrë të rreptë. Dy shtyllat thelbësore të këtij sporti janë stërvitja dhe ushqimi. "Nuk është e vërtetë që një billder duhet të stërvitet gjithë kohën në palestër, nënvizon kampioni Orkez Prushi. Mjafton të kesh një trup të rregullt dhe të shfrytëzosh 45-60 minuta stërvitje në palestër dhe kjo nuk është e domosdoshme më shumë se 5 herë në javë. Një tjetër shtyllë e rëndësishme është edhe ushqimi, i cili është një sakrificë e madhe, sepse fillon stresi i gatimit. Duhet të hash një herë në çdo 3-4 orë, t‘i nënshtrohesh një diete të shumëllojshme, por gjithmonë duke ruajtur raportin: proteina (35%), karbohidrate (50%) dhe yndyrë (15%)", përfundon kampioni i saposhpallur i Shqipërisë, i cili prej pak kohësh po ushtron edhe rolin e trajnerit. Në dy kampionatet e fundit, dy prej nxënësve të tij fituan titullin kampion të të rinjve. A. M.