E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuzhe, këshilla Blazeviçit: Portugalia ndalet me mbrojtje

Josip Kuzhe ka këshilluar trajnerin e Bonjë-Hercegovinës, Çiro Blazeviç, për mënyrën se si mund ta frenojë Portugalinë. Sipas tij, luzitanët mund të frenohen vetëm duke përdorur mbrojtjen e fortë. Përfaqësuesja ballkanase, e cila ishte një prej surprizave të eliminatoreve për Botërorin 2010, do të përballet me portugezët në ndeshjet "play-off", për një vend në Afrikën e Jugut. Ata u renditën të dytët në Grupin 5, të fituar nga Spanja dhe në datat 14 dhe 18 nëntor do të luajnë kundër yjeve si Kristiano Ronaldo, Nani, Deko apo Pepe. 74-vjeçari Blazeviç i trembet klasit të lartë të kundërshtarëve dhe ka kërkuar nga Kuzhe sekretet për t‘i frenuar. Trajneri i Shqipërisë e njeh mirë lojën e të besuarve të Karlos Kueiroz, edhe sepse u përball me ta në debutimin në stolin kuqezi, më 6 qershor në "Qemal Stafa". Në atë takim, Shqipëria humbi në mënyrë të pafat 2-1, në sekondat e fundit të lojës, ndërsa taktika e përdorur nga trajneri kroat ishte perfekte. "Çfarë këshille i kam dhënë Blazeviçit për ndeshjet me Portugalinë? Në ndeshjen që Shqipëria luajti me ta, kishim ndërtuar një mbrojtje të fortë. Kjo është e vetmja mënyrë për të frenuar këtë skuadër. Duhet të theksoj se portugezët nuk janë një skuadër kompakte si Spanja, por Çiro duhet të tregohet i vëmendshëm, pasi individualisht ata janë më të fortë", tha Kuzhe. "Një prej faktorëve vendimtarë në këto ndeshje, që shkon në favor të Bosnjës, do të jetë mungesa e Kristiano Ronaldos, pasi është lojtari më i rrezikshëm i Portugalisë. Natyrisht që Çiro duhet të studiojë mirë lojën e tyre dhe më pas të rreshtojë me kujdes skuadrën e tij. Bosnjë-Hercegovina ka një skuadër mjaft të mirë dhe mendoj se ata mund të luajnë shanset për t‘u kualifikuar në Kupën e Botës".

e. kodheli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›