Lasgush Poradeci në Korçë, për 110-vjetorin e lindjes
Në 110-vjetorin e lindjes së lirikut të madh shqiptar, poetit Lasgush Poradeci, këtë vit është zgjedhur Korça si qendra e një veprimtarie të madhe kushtuar kësaj figure. "Fluturoi dhe shtërgu i fundit" është titulluar aktiviteti kushtuar kësaj figure të rëndësishme të letrave shqipe. Organizatorët, Bashkia e Korçës, biblioteka "Thimi Mitko" dhe shtëpia botuese "Argeta LMG", janë kujdesur që kudo të ndihet poeti. Aty mes germave të librave, mes vargjeve e studimeve, mes poezive të para, me zërin e tij në këngën e këngëtarëve, në zërat e interpretuesve e nën frymëzimin e kompozitorëve, vizitorët duhet të ndiejnë se ai është gjallë. "110 vjet liqer me puhiza dhe erë e kush nuk piu prej tij e s‘u deh qoftë edhe pak", thotë poeti Skënder Rusi, i cili i ka kushtuar disa vargje poetit lirik, Lasgush Poradeci. Në vargjet e tij, Rusi e kujton me bastunin përmbi pllaka, sikur trokiste për të hyrë në mijëvjeçarë. "Është një emocion i veçantë. Një aktivitet kushtuar Lasgushit si lirik, studiues e përkthyes. Por në këtë veprimtari është ekspozita që e sjell të gjallë, që shkakton emocione të forta, interpretimi madhështor i poezive të Poradecit nga aktorët e teatrit të Korçës e filmi dokumentar që kulmon kur flet vetë poeti. Botimet në poezi, publicistika e përkthimet janë pjesë e kësaj ekspozite, bashkë me fotografitë e shumta të jetës së lirikut të madh shqiptar. Janë mbi 200 vepra që janë ekspozuar në dy ambiente", tregon më tej Skënder Rusi, njëkohësisht drejtor i bibliotekës. Botuesi Mehmet Gëzhilli ka sjellë veprat e Lasgushit në këtë vjetor të 110 të lindjes së tij. Si botues ai thotë se nuk mund të merresh me një botim pa studiuar në tërësi një autor, ndërsa të punosh me veprat e Lasgushit, për të ka qenë përtej frymëzimit një shtysë që vjen nga një angazhim i përjetshëm që kanë marrë përsipër vajzat e poetit, duke ruajtur me fanatizëm e përkushtim të gjitha dokumentet e shkrimet. "Është një organizim që vjen mes dashamirësisë dhe harmonisë me Korçën, me interpretuesit e teatrit, me bibliotekën e me këtë qytet që e ka nderuar vazhdimisht. Këto janë vepra të cilat ashtu të fiksuara mbeten të përjetshme. Veprat e tij janë një pasuri kombëtare e papërsëritshme, ashtu siç janë edhe dokumentet e mbledhura dhe të ruajtura me përkushtim nga vajzat e poetit. Për herë të parë e kemi parë Lasgushin të flasë me gjuhën e tij, një ringjallje, një emocion. I veçantë ka qenë edhe rikthimi i traditës së viteve ‘30 kur me vargjet e Lasgushit kompozoheshin këngë e më pas këndoheshin", vijon më tej Mehmet Gëzhilli. Ai tregon se në ambientet e bibliotekës janë ekspozuar që nga poezitë e para në vitin 1922, ashtu si dhe gjithë potenciali kulturor i këtij personaliteti, që nga vendlindja, studimet në manastir, Athinë, Rumani e Austri etj. Poradeci vjen si një studiues i Emineskut, poetit të madh rumun nëpërmjet doktoraturës, e cila është botuar kohët e fundit. Nuk e dimë çfarë i mungonte më tepër poetit, toka që e lindi apo qielli që e priste. Ndoshta për ta kuptuar këtë pranoi që të ikte", thotë poeti Rusi, përmes vargjeve. Gëzhilli ka sjellë në këtë ekspozitë mbi 300 vepra, por thotë se Lasgushi është përjetësuar edhe në veprat e artit. Ka hyrë në pikturë, në fotografi, në skulpturë e më gjerë. Ekspozita kushtuar Lasgush Poradecit do të qëndrojë e hapur përgjatë gjithë javës.
J.Dhimitri
J.Dhimitri