Çfarë e gëzon më shumë një artist të ri?
Fituesi i ekspozitës "Ardhje 09", Luçjan Bedeni, flet pas marrjes së çmimit.
Merr pjesë për herë të parë në ekspozitën "Ardhje 09" dhe shpallet fitues. Luçjan Bedeni, 22- vjeçari nga Shkodra, erdhi në këtë ekspozitë me dy videot "Pa titull" dhe "Bunker", në të cilat "tregon" ato pjesë të realitetit, që kalojnë pa u vënë re në jetën e përditshme. Arkitektura, shtëpia e vjetër shkodrane, trafiku i përditshëm, jeta urbane, bunkeri, janë elementet që ai përdor në punët e tij.
"Shfrytëzimi kuptimplotë i tyre dhe aftësia për t'i qëmtuar ato", sipas kuratorit të ekspozitës Zef Pacit, janë arsyet që e shtynë jurinë e përbërë edhe emra të njohur të artit shqiptar si Edi Hila, Anri Sala po edhe Ana Dzokic e Tina Finnas, të vendosë për Luçjan Bedenin. Në edicionin e tretë të ekspozitës "Ardhje" morën pjesë Gedmond Lushka, Blerta Kambo, Enkelejd Zonja, Suela Qoshja, Lek Gjeloshi, Nertila Pere, Aldi Zgjani dhe Yllka Gjolesha, të cilët u prezantuan me pikturë, video, fotografi dhe instalacion.
Luçjan, "Ardhje 09" këtë vit të takon ty. Çfarë të mirash të sjell ky çmim?
Ndihem mirë që juria e vlerësoi punën time. Gjithashtu, më gëzon shumë mundësia që ky çmim më jep, ndjekjen e një programi për 6 javë në Nju Jork, në një prej qendrave më të rëndësishme të Artit Bashkëkohor. Një përvojë, që më lejon të shoh nga afër dhe të kuptoj më shumë bashkëkohoren në art. Një çmim i tillë, një artisti të ri i jep më shumë forcë dhe frymëzim për të punuar.
Kjo do të thotë që kishe filluar të zhgënjeheshe pas përfundimit të shkollës?
Si çdo student, isha në pritje të mundësive. Si karakter, pëlqej jetën intensive, të gjendem mes punëve. Përgatitja e dy punëve që prezantova këtu, e mbushi bukur këtë kohë dhe tani erdhi çmimi. Ndihem mirë, që ngjarjet rrodhën kështu pas përfundimit të shkollës. Dua ta përmend, që unë kam studiuar në Atelienë e Pikturës dhe Kavaletit me profesor Edi Hilën.
Ndërkohë këtu provove me video. Përse?
Më tërheqin shumë format e eksperimentimit të artit bashkëkohor dhe videoja është një prej tyre.
Drejt çfarë kuptimi rendin punët e tua?
Nuk dua të kenë një përkufizim të prerë, të përçojnë një mesazh të caktuar. Thjesht, kam mbledhur disa elementë që rrinë bashkë dhe kanë kuptim. Në videon "Pa titull" jam fokusuar tek arkitektura, pasi njeriu ka një marrëdhënie direkte me të. Një shtëpi e vjetër shkodrane dhe një pallat i ri, që dhunohen nga trafiku i përditshëm. Ndërsa, tek "Bunkeri", kam marrë një simbol të historisë sonë, i cili dua të shihet si një problem më i gjerë.
Dario Fo në teatrin "Aleksandër Moisiu"
"Boll! Kështu nuk shtyhet më!" është shfaqja e parë, që do të vihet në skenën e teatrit të Durrësit në këtë fillimsezoni. Komedia e italianit Dario Fo, me regji të Driada Dervishit, shfaqet për publikun durrsak në datat 2, 3, 4 tetor, Ora: 19.00. Interpretojnë aktorët Eftiola Laçka, Marvin Tafaj, Ervin Doko, Era Caushi, Hysen Bashhysa, Sanie Hoti, Xhelal Tafaj dhe Muharrem Hoxha.
Kthehet në TK "Forca e Zakonit"
Vepra e dramaturgut austriak Thomas Bernhard, me regji të Kristian Papkes, e cila u vu premierë në sezonin e kaluar, vjen sërish në skenë. Ajo do të shfaqet për publikun në datat 2, 3 dhe 4 tetor, ora: 19.00 në sallën "Kadri Roshi". Interpretojnë Vasjan Lami, Neritan Liçaj, Arben Derhemi, Sueda Hoxha dhe Elton Çefa.
Gjurmë në historinë shqiptare
Historiani kosovar Shkëlzen Raçaj prezantoi dje në Qendrën e Studimeve Albanologjike librin e tij "Gjurmë në historinë shqiptare". "Këtë libër ia kam kushtuar profesorit tim dhe korifeut të letërsisë shqipe, Aleks Budës, i cili më ndihmoi të kuptoja rrugën që duhet të ndiqja", u shpreh historiani. Ky është promovimi i dytë, pas atij në Prishtinë, por ende nuk është në tregun shqiptar.