E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çfarë fshihet pas liberalizimit të vizave?

Erjona Canaj* Shoqëria shqiptare prej vitesh ka shprehur vullnetin për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian dhe prej pak kohësh, mund të themi që vendi ynë ndodhet në një rrugë të mirë drejt integrimit në BE.Shteti shqiptar ka nënshkruar në 2006 MSA-në me BE, e cila filloi të zbatohet që prej 1 prillit 2009 dhe kërkesa për anëtarësim u dorëzua më 28 prill.      Lind pyetja: çfarë kërkojnë aktualisht shqiptarët dhe të drejtat që ata aspirojnë? Duke anashkaluar këtu arsye madhore, si zhvillimi i ekonomisë shqiptare, ajo që dëgjohet shpesh prej tyre është e drejta për të lëvizur lirshëm në shtetet anëtare të BE-së.Bëjmë të qartë se lëvizja e lirë e shtetasve shqiptarë në kontekstin komunitar nuk identifikohet plotësisht me qarkullimin e lirë. Lëvizja e lirë nga ana tjetër nuk identifikohet as me liberalizimin e vizave, çështje kjo që ka ngjallur një interes të veçantë këtë periudhë. Të drejtën për të qarkulluar lirshëm në një shtet të BE e gëzojnë si shtetasit komunitarë, ashtu edhe ata jokomunitarë. Për kategorinë e parë, qarkullimi i lirë është një e drejtë themelore e garantuar në BE nga dispozitat e Traktatit të BE-së, nga aktet ligjore të institucioneve të BE, si dhe nga veprimtaria e Gjykatës së Drejtësisë. E drejta për të qarkulluar lirshëm përbëhet nga e drejta për të hyrë në një shtet të BE dhe e drejta për të qëndruar aty. Shtetasit komunitarë mund të hyjnë në një shtet të BE të pajisur me një kartë identiteti ose pasaportë. Kjo e drejtë u njihet edhe familjarëve që nuk janë shtetas komunitarë, por janë të pajisur me pasaportë dhe vizë hyrje. Shtetasit jokomunitarë, (këtu bëjnë pjesë edhe shtetasit shqiptarë), e gëzojnë të drejtën për të hyrë dhe për të qëndruar në një shtet të BE vetëm të pajisur me pasaportë të vlefshme dhe me vizë hyrjeje. E drejta për të hyrë në një shtet të BE nga shtetas të një vendi jo anëtar në BE mund të realizohet vetëm nëpërmjet pajisjes me vizë hyrjeje. Në fakt, kjo është e parashikuar jo vetëm për shtetet anëtare të BE por për hapësirën “Schengen”. Marrëveshja “Schengen” është firmosur nga shumica e shteteve anëtare të BE, me përjashtim të Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës, për të cilat zbatohet klauzola opt-out. Specifikohet hapësira “Schengen” dhe jo shtetet e BE, pasi Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda, siç e përmendëm, nuk kanë marrë pjesë në këtë marrëveshje ndërkohë që në zonën “Schengen”  aderuan shtete, të cilat nuk bëjnë pjesë në BE si Islanda dhe Norvegjia (1996) dhe Zvicra (2004). Mes shteteve, që kanë aderuar në Bashkimin Evropian në vitet e fundit, Qipro, Rumania dhe Bullgaria, edhe pse kanë firmosur marrëveshjet, zbatimi i tyre parashikohet të ndodhë në 2010 për Qipron dhe 2011 për Rumaninë dhe Bullgarinë. Si konkluzion, kur flasim për lëvizje të lirë i referohemi të gjithë zonës “Schengen”.Në fjalorin e përditshëm flitet për lëvizje të lirë, duke nënkuptuar në të vërtetë liberalizimin e vizave.Hapi i parë në lidhje me liberalizimin e vizave i përket vitit 2008 kur shteti shqiptar ka firmosur një marrëveshje me BE dhe shtetet anëtare të BE për lehtësimin e vizave. Të mos harrojmë se disa shtete (Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, Irlanda, Danimarka, Islanda dhe Norvegjia) nuk e kanë firmosur këtë marrëveshje. Marrëveshja ishte hapi i parë i një procesi të ndërthurur dhe delikat i heqjes së plotë të vizave. Ky hap nuk ishte nënshkrimi i një marrëveshje për liberalizimin e vizave, por vetëm për lehtësimin e dhënies së tyre. Procesi i lehtësimit të dhënies së vizave po vazhdon edhe në ditët e sotme. Hapi i dytë është liberalizimi i vizave. Liberalizimi i vizave është hallkë e një procesi, i cili përfundon me sukses vetëm në heqjen e plotë të vizave. Duke u bazuar në Raportin e Komisionit Evropian i dorëzuar në Bruksel në tetor mbi ecurinë e Shqipërisë për vitin 2009 për zbatimin e MSA, mendohet se heqja e plotë e vizave do të përfundojë me sukses shumë përpara anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Në lidhje me liberalizmin e vizave në Raport nënvizohet se Shqipëria ka bëre përparim të mirë në fushën e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë, por ende nuk i ka përmbushur të gjitha standardet e përcaktuara në plan. Raporti nënvizon se duhen bërë përpjekje të mëtejshme në shpërndarjen e pasaportave biometrike. Lohan shtoi gjithashtu, se Shqipëria ka ecur me sistemin e kompjuterizuar të regjistrit të gjendjes civile dhe me prezantimin e pasaportave biometrike. Pra, vendi duhet të plotësojë edhe kriteret e fundit për të përfituar liberalizimin e vizave në mesin e vitit 2010. Përderisa është vendosur një afat kohor i përafërt, shteti shqiptar duhet të ndërgjegjësohet dhe të sensibilizohet, për të kthyer situatën në favorin tonë dhe për të arritur atë që kërkohet në mënyrë specifike nga BE lidhur me këtë çështje. Një nga detyrimet më të rëndësishme është pajisja e të gjithë shtetasve shqiptarë me pasaportë biometrike. Ndër të tjera, pasaportat biometrike duhen të jenë konform, Rregullores n. 810/2009 e 13 korrik 2009 që themelon një kod komunitar të vizave (i quajtur ndryshe kodi i vizave) dhe Vendimit të KE të 22 shtatorit 2006, e cila vendos teknika specifike në lidhje me normat mbi karakteristikat biometrike për Sistemin Informativ të Vizave.Në këtë pikë detyrimi i Shtetit është pajisja e të gjithë shtetasve me pasaportë biometrike. Kjo do të lehtësojë në maksimum procesin e udhëtimit të shtetasve shqiptarë në një shtet të hapësirës “Schengen” dhe pajisja me dokumente udhëtimi duhet dhe do të bëhet sipas normave dhe standardeve të BE. Udhëtimi i lirë në hapësirën “Schengen” do të sjellë për shtetasit shqiptarë vetëm efekte pozitive.Hapi i tretë është heqja e plotë e vizave. Heqja e plotë e vizave mund të realizohet në çdo moment dhe nuk ka një rregull specifik. Ajo mund të arrihet me shpalljen e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Mund të arrihet gjithashtu edhe pak përpara anëtarësimit në BE. E gjithë kjo duhet parë si një proces i cili mund të përfundojë me sukses në çdo moment por padyshim që nga momenti i (ose pas) liberalizimit të vizave. Heqja e plotë e vizave do të sjellë lëvizje të lirë në një shtet të hapësirës “Schengen”, por afati kohor për këtë lëvizje është përsëri tre muaj (90 ditë). Ndërkohë, pritet që për Shqipërinë procesi i shpalljes si vend kandidat i BE të zgjasë afërsisht një vit. Dëshira që fshihet pas liberalizimit të vizave: udhëtim i lirë apo punësimi në një shtet të BE?Shtetasit komunitarë gëzojnë jo vetëm të drejtën e punësimit në një shtet tjetër të BE edhe të drejtën për të kërkuar një punë në një shtet tjetër. Shtetasit komunitarë ndryshe nga punëtorët jo komunitarë, gëzojnë jo vetëm të drejtën e punësimit në një shtet tjetër, por edhe të drejtën për të kërkuar një punë, që ata dëshirojnë të kenë. Punonjësit-shtetas jokomunitarë nuk mund të hyjnë në një shtet të BE për të kërkuar një punë. Shtetasit jokomunitarë duhet t’i fillojnë procedurat e kërkimit dhe të gjetjes së një pune nga vendi i tyre pa pasur mundësi të transferohen në shtetin ku ata kërkojnë të punësohen. Procedura e kërkesës së lejes për punësim dhe e konfirmimit të saj nga organet kompetente duhet të bëhet, padyshim, nga punëdhënësi, i cili supozohet që nuk ka dijeni për personin fizik të cilin kërkon të punësojë. Procedura e caktimit të kuotave-leje për punësim ka bërë akoma më të qartë atë që, zakonisht në shtetet ku aplikohen kuota vjetore për emigrantët jokomunitarë, këto kuota u rezervohen përgjithësisht (dhe jo vetëm) atyre emigrantë të cilët kanë hyrë në mënyrë të paligjshme (efektivisht punojnë) dhe kërkojnë të bëjnë të ligjshëm qëndrimin e tyre në atë shtet nëpërmjet fillimit të një pune; të gjithë ata që kanë hyrë në mënyrë të ligjshme në atë shtet të pajisur me vizë për arsye si turizmi, shëndetësore etj. dhe dëshirojnë të qëndrojnë për të punuar (por që pas skadimit të afatit të vizës kthehen në emigrantë, që qëndrojnë në mënyrë të paligjshme). Heqja e plotë e vizave do të sjellë ndjekjen e këtyre procedurave jo më si emigrantë që qëndrojnë në mënyrë të paligjshme por si shtetas jo komunitarë që lëvizin lirshëm në një shtet të zonës “Schengen”. Kjo do të sjellë gjithashtu kontakte të drejtpërdrejta me punëdhënës në bazë të ofertave për punësim në shtetin ku ata shkojnë si dhe do të bëjë të mundur që shtetasit shqiptarë të hyjnë në një shtet të hapësirës “Schengen”  qoftë edhe vetëm për të kërkuar një punë. Kjo do të sjellë gjithashtu edhe lehtësime në lidhje me punësimin. Afati kohor i përgjithshëm i vizave është kryesisht 90 ditë. Pra, edhe afati për të kërkuar një punë është 90 ditë. Nëse e gjejnë atë procedurat e kërkesës për fillimin e punës duhet të bëhen sipas rregullave të përcaktuara nga legjislacioni i vendit në fjalë. Vlen të theksohet se shtetasit shqiptarë që shkojnë në një shtet të hapësirës “Schengen”  nuk mund të punësohen aty direkt por sipas rregullave të përcaktuara nga ligji për të huajt i atij shteti. Kur përfundojnë 90 ditët (afati i përdorimit të vizës) ata kthehen në emigrantë që qëndrojnë në mënyrë të paligjshme dhe do të presin gjatë derisa të dalin kuotat për leje punësim nga autoritetet shtetërore kompetente në atë shtet. Kjo situatë do të zgjatet edhe me shpalljen e vendit kandidat për në BE. Madje edhe në momentin e anëtarësimit shtetet anëtare të BE lejohen të vendosin (mund të vendosin) disa klauzola të cilat përmbajnë kushte-kufij kohorë për punësimin e shtetasve shqiptarë. Kjo mund të zgjasë deri në disa vjet sipas nevojave të tregut të punës në shtetin pritës. Për shembull për të gjithë shtetasit rumunë dhe bullgarë u aplikua fillimisht një rezervë në lidhje me punësimin: njëzet e pesë shteteve anëtare të BE iu lejua që, për shtetasit e 2 vendeve që anëtarësoheshin, të aplikonin akoma kuota-leje punësimi, mbështetur në nevoja dhe situata ekonomike dhe mbi të gjitha të raportit të kërkesë-ofertës në lidhje me punësimin në shtetin pritës. E njëjta situatë mund të ndodhë në të ardhmen edhe me Shqipërinë. Përfundimisht shtetasit shqiptarë pas liberalizimit të vizave do të udhëtojnë në shtetet që janë në hapësirën “Schengen” për të njëjtat arsye si me parë: turizmi, shëndetësore, familjare, etj. Në këtë drejtim nuk është se do të ketë liri në dhënien e vizave për arsye punësimi. Arsyet e dhënies së vizave janë po ato që tashmë dihen: turizmi, biznesi, familjare, shëndetësore, kulture dhe sport etj.. Shtetasit shqiptarë nga liberalizimi i vizave konkretisht do të përfitojnë vetëm në lidhje me procesin dhe procedurat e dhënies së vizave ku nuk përfshihet shprehimisht punësimi. Pyetja shtrohet përsëri: udhëtim i lirë apo punësim?*Pedagoge ekonomie, Universiteti Evropian i Tiranës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›