E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çfarë ka nën dëborë?

Zona të izoluara. Qeveri cinike. Le të themi se kjo situatë e gjeti atë (qeverinë) paksa të dehur. Jo thjesht e vetëm për hir të festave të fundvitit, por më së pari nga (vetë)lavdet në spote të përditshme suksesesh. Në këto ditë të vështira, reagimi i administratës qendrore ishte tepër i vonuar; në momente të caktuara, edhe pak qesharak. Po ashtu, organet vendore u dukën fare pak në hapësirat informative dhe në hallin njerëzor, sikur të mos ishin edhe ato. Më tej, mund të kujtojmë madje se edhe në faqet e internetit të bashkive të rretheve veriore, përjashtuar atë të Mirditës, mund të gjeje gjithfarësoj të dhënash, deri edhe llojet e mbrëmjeve të organizuara me rastin e festave të fundvitit. Por assesi nuk kishte qoftë edhe dy rreshta për bllokimin e rrugëve, për izolimin e komunave të tëra, për ndonjë masë a ide lidhur me përballimin e situatës. Në faqen e bashkisë së Shkodrës, shkruhet se si Kryetari i bashkisë “pret ambasadoren izraelite për Shqipërinë”. Mirë është edhe kjo, por përtej çdo aktiviteti të rëndomtë këso, gjenden me mijëra njerëz në nevojë. Diçka duhet thënë e duhet bërë edhe për ta. Mirëpo, a i ka kush në listë?

Është e vërtetë që izolimi i dhjetëra komunave në Veri të vendit, bllokimi i rrugëve nacionale (i akseve, siç thonë ndryshe) nuk ndodh për të parën herë dhe vetëm në këtë dimër (paraelektoral). Pothuajse çdo vit, në vjeshtë dhe në dimër, kemi bllokime komunash dhe aksesh, sikundër përmbytje e rrënime të tjera gjithfarë. Por, në vend që shërbimet dhe “shërbesat” ndaj qytetarëve të vijnë duke u përmirësuar, përkushtimi ndaj nevojave të tyre shkon poshtë e më poshtë. E kështu, vit pas viti, mandat pas mandati, duke u marrë me akset e rëndësishme, duke u shtënë vetëm pas privatizimeve dhe koncesioneve, ky shtet i ka harruar krejt qytetarët e vet. Në një pjesë dërmuese të territorit të vendit, shteti nuk ekziston. Autoriteti i tij nuk njihet, (sikundër ndodh në disa komuna e “ishuj” të hashashit); ose ndodh që në rastin më të parë, qeveri qendrore e vendore ngrenë duart lart dhe i thonë qytetarit: Vrit veten!

Edhe siç ka shkruar Gjergj Fishta, “…janë dashtë do javë e mj/ për me i kcye m’qafë tjetërkj”. Mirëpo personazhet e kësaj fabule, harrojnë që në qershor ka sërish zgjedhje e sërish duan “të kcejnë” në qafën e qytetarëve. Veç, kjo dëborë e madhe e kjo ftohtësi po aq, mund të rikthehen në fillim të verës elektorale. Dhe atëherë, spotet e mërzitshme, ashtu si sot, nuk do ta shkrijnë dot akullin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›