E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi mbërrin në Kosovë, vizita e parë pas pavarësisë

Presidenti, Bamir Topi nis sot vizitën dyditore në Kosovë, me ftesë të kreut të shtetit kosovar, Fatmir Sejdiu.

Kryetari i shtetit, Topi do jetë në krye të një delegacioni zyrtar në përbërje të të cilit janë nënkryetarët e Kuvendit të Shqipërisë, deputetë të komisionit të jashtëm, të komisionit të sigurisë, të komisionit të ekonomisë dhe përfaqësues të biznesit.

Presidenti Topi dhe delegacioni që e shoqëron do të takojë e zhvillojë bisedime zyrtare me Presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu, Kryeministrin Hashim Thaçi, kryesinë e Kuvendit të Kosovës dhe do të mbajë një fjalim për deputetët e këtij Kuvendi.

Sipas axhendës së planifikuar, në ditën e parë të vizitës zyrtare, Presidenti Topi do takohet me komandantin e KFOR-it, Gjeneral Emilio Gay dhe drejtues të partive politike e minoriteteve në Kosovë.

Mësohet se gjatë vizitës zyrtare në Kosovë, Presidenti Topi do vizitojë Bashkinë e Prishtinës dhe kuvendin komunal në Ferizaj, Akademinë e Shkencave e Arteve të Kosovës dhe Muzeun e Kosovës.

Në plan janë edhe takimet e dy prsidentëve me përfaqësues të biznesit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës.

Kjo është vizita e parë zyrtare e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, në shtetin e ri të Kosovës. Kreu i Shtetit shqiptar ka kryer vizitën e fundit në Kosovë më 25 janar 2008, pak ditë para shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›