Pesha e përkohshme e fjalëve
Nga mesi i shekullit të kaluar, shkrimtari nobelist, Elias Kaneti, vërente mençurisht se vendin dhe rolin e gijotinës për ekzekutimet publike, në shoqëritë demokratike perëndimore, e kish zënë shtypi. Në traditën modeste të shtypit tonë, përmendet me të drejtë niveli elitar i shtypit të viteve ‘30, por duhet të shtojmë se, për shkak të strukturimit social e të nivelit kulturor e arsimor të atyre viteve, pararendësit tanë të nderuar shkruanin vetëm për njëri-tjetrin. (Të paktën mund të ngushëllohemi me faktin se ata nxinin vetëm fletët e shkrimit e jo faqen e tyre). Në kohën e shkollimit masiv, kur u zhduk krejt analfabetizmi në radhët e shoqërisë sonë, kur gazeta lexohej me hir e me pahir, me pajtim vetjak postar, por dhe në mes të brigadave bujqësore e blegtorale, shtypi, armë e fuqishme e partisë-shtet diktatorial, kish marrë një mision të veçantë antihuman: - të të merrte edhe atë pak frymë që mund të të kish mbetur; të të injektonte deri në palcë të “vërtetën” zyrtare.
Rënia e përgjithshme e sistemit totalitar solli atë që është quajtur shpesh, (personalisht nuk e di përse) si arritja më e madhe në periudhën post-puniste: lirinë e shprehjes. Pa dashur t’u hyj në hise historianëve të shtypit, (nëse ka të tillë te ne), duke përjashtuar numrat e parë të gazetës “RD”, e gjithë trashëgimia tjetër e shtypit shqiptar, deri nga fundi i vitit 1996, është një njollë e madhe, e zezë, e turpshme në historinë e Shqipërisë. Kemi qenë të dehur nga fjalët dhe nga blasfemitë bashkëkohore. Kemi qenë nën një tirani të gënjeshtrës, të dezinformimit profesional; ka pasur me shumicë gjithçka që shtypi nuk mund ta ketë në shoqëritë e civilizuara. Ka munguar modestia, profesionalizmi, objektiviteti, misioni informativ, kritika e argumentuar, analiza dhe kërkimi sistematik pa paragjykime.
Gjatë luftës së armatosur të vitit ‘97, fjala e shkruar gazetareske e humbi përfundimisht pushtetin e saj, duke e dorëzuar vullnetarisht stafetën te turmat e tërbuara, te armët e zjarrit, te anarkia biblike. Periudha pas rebelimit komunist, solli pushtetin e ri publik, T.V-të private, pushtetin e imazheve. E, prej atëherë, strategjia e pushtetit shtetëror ka qenë e thjeshtë, pragmatizëm i mbrapshtë i planifikuar me disa etapa: joshja e mediave dhe pronarëve të tyre me privilegje; rekrutimi i tyre kryesisht me mjete ekonomike. Kur këto mjete të joshjes së “mizave” bezdisëse nëpërmjet mjaltit nuk kanë funksionuar deri në perfeksion për të gjithë, në ndonjë rast të rrallë është kaluar te filozofia e “uthullës”, te dhuna shtetërore: dora e tagjisë është mbledhur e është bërë grusht për të goditur në fytyrën e “djalit të keq”.
Së fundi, enti botues “Enter”, dhe pronari i saj, z. M. Baze kanë shprehur ankime serioze dhe prova të njëpasnjëshme se janë në rrezik mbijetese, jo vetëm si sipërmarrje ekonomike, por edhe si qenie të gjalla njerëzore. Afërmendsh solidarizohem me secilin gazetar e secilën gazetë që vihet në dilema mbijetese e në vështirësi artificiale nga diskriminimet dhe shtrëngesat e porositura shtetërore, kur ka të tilla e bindem për to. Pa e përjashtuar ankthin e radhës, i cili ka nxitur mjaft diskutime e lëvizje solidariteti, shtoj se, megjithatë, nuk më shqetëson posaçërisht rasti i “Tema”-s, aq sa më shqetëson mungesa e palës së “tretë”, mungesa me raste e shtetit ligjor, i cili duhet të vlerësojë në vijimësi akuzat e kundërakuzat, provat e kundërprovat, pavarësisht nga cili krah vijnë; shteti ligjor është vërtetë i tillë, në atë masë sa arrin të marrë në vlerësim objektiv të gjitha ndodhitë publike dhe indikatorët shoqërues socialë.
Nëse asgjë nuk na bën përshtypje nën një akustikë të rënduar akuzash e kundërakuzash, atëherë punët janë edhe më për dreq për ne si individë. Secila palë e përfshirë në konflikt ruan pafundësisht pozitën e saj fillestare. Indiferenca institucionale midis pushtetit ekzekutiv e atij mediatik, në finale e banalizon idenë e përgjithshme për mediat dhe për vetë shtetin ligjor.