E Diel, 1 Nëntor 2026

Çfarë ka thënë Ahmet Zogu për atentatorin e tij Beqir Valteri

Zogu, Mbreti i Shqiptarëve (5)

Vijon nga numri i kaluar

Intrigat e pigmejve (njerëzve të vegjël - shën. i red.), të irrituar nga disniveli i madh i staturës që i dallonte nga

Kryeministri i ri, futën mosmarrëveshjet deri në mesin e kabinetit. Dhe kështu, Ministri i Luftës (qysh atëherë kishim edhe

një... Ministri Lufte!) bëri dorëheqjen dhe disa ministra, njerëz të veckël që Kryeministri u kishte dhënë poste të larta në

Këshillin e Ministrave, bëheshin zëdhënës të të çmendurve dhe mashtruesve të Bashkimit të Shenjtë!

Gjenia e Ahmet Zogut ndihej e çarkuar (e kapur në çark - shën. i përkth.) nga numri i madh i pigmejve ose i të alarmuarve; në

çdo hap një rrezik. Në çdo lëvizje, do të ishte dikush që do ta pengonte duke e tërhequr nga mbrapa ose që do ta shtynte

papandehur për ta rrëzuar. Ecja përpara ishte e bllokuar.

Zogu donte t'i evitonte konfliktet që në atmosferën politike tepër të ngarkuar, mund të kishin pasoja të dëmshme për masat e

gjera, pra për vendin që mund të shkonte drejt një gjendjeje shkatërrimtare. Dhe diti të ishte paqtues, shpirtmadh, duke

treguar atë shpirtin e tolerancës e të durimit që është arma e atyre që janë me të vërtetë të fortë. Dhe arriti deri aty sa

të pranonte - për të mirën e atdheut dhe për të evituar përplasjet, në një ambient mjaft të ngarkuar politikisht, ndërsa

zhvilloheshin zgjedhje të përgjithshme, - që Ministria e Brendshme të mbahej në mënyrë të alternuar nga Ministri i Punëve

Publike dhe nga kolegu i tij i Ministrisë së Arsimit.

Por Ai dinte se çfarë bënte!

Një ditë, ndërsa u gjenda në zyrën e tij të punës duke diskutuar miqësisht - edhe se kisha hedhur kandidaturën për deputet e

kështu më duhej të bëja dorëheqje si Drejtor i Zyrës së Shtypit - ra zilja e telefonit!

Ishte ministri i Arsimit Publik që në ato ditë kryesonte Dikasterin e Punëve të Brendshme si garant i paanësisë dhe lirisë së

zgjedhjeve.

"Si i ke punët miku im?" - e pyeti Kryeministri me një zë të ëmbël dhe bindës, ndërsa më shkelte syrin, dhe për të më treguar

se çfarë thuhej nga ana tjetër e linjës, vazhdoi:

"Si, ka rrezik që ti të mos dalësh fitues në këto zgjedhje? Por... si dreqin kështu! Ti je ministri i Arsimit dhe gjithashtu

Ministër i Brendshëm e si nuk fitoke? Por... ik ore, ti tallesh! Qysh? Ministri i vërtetë i Brendshëm jam unë? Po jo, o miku

im, po gabohesh. Ai që jep urdhrat dhe i firmos... ai po, është Ministër i Brendshëm! Çfarë mund të të bëj unë? A nuk ke

dashur edhe ti që të tërhiqesha mënjanë për të mos influencuar vullnetin e lirë të zgjedhësve?... Si... qysh, a këto janë

idealet e drejtësisë? Situatë e dëshpëruar... e turpshme!... Ec o burrë... kolegu im i dashur e besnik, mos e bëj kaq

tragjike, do të përpiqem të bëj diçka, personalisht po... si person privat, si mik i yti, për të votuar për ty! Por kujdes, i

dashur, se nuk duhet të flasësh me njeri! O... në rregull. Por të lutem mos më falendero. Po, po mos më falendero, se

përndryshe, kthehem prapë... neutral!"

Mbylli telefonin. Më shikoi drejt në sy e më tha:

"E shikon kush janë?!"

"Sikur të mjaftonte vetëm me kaq!", kam thënë shumë herë më pas, kur pasioni politik kaloi në terrenin e tradhtisë dhe të

gjakut!

VI.

Atentati

Në orët e para të pasditës së 23 shkurtit 1924, kur sapo Asambleja Kushtetuese kishte filluar punimet e një seance të saj të

zakonshme, në sallën e Mbledhjeve u dëgjuan krismat e tri të shtënave me pistoletë: e para, e pastaj, disa sekonda më pas, dy

të shtëna të tjera gati të menjëhershme. Pastaj edhe disa të shtëna të tjera të çrregullta. Asambleja kishte ngrirë e ishte

tromaksur. Kalojnë disa momente, dhe ja hapet porta e hyn Ahmet Zogu. Ballin e ka të vrenjtur, mban një revolver në dorë;

hedh sytë për një moment nga e djathta, drejt tribunës së publikut; qëndron, një çast; ja: drejtohet, i qetë në një prej

karrigeve të qendrës në të djathtë të presidiumit dhe ulet. Bien disa pika gjaku në këmbët e tij.

Një vrasës, mjaft i ri pa mbushur të njëzetat, - i mbrojtur dhe i ndihmuar nga Familja Zogu, i shtyrë nga sektarizmi i

politikaxhinjve që i kishin shkulur prej shpirti çdo ndjenjë mirënjohjeje të duhur, - i armatosur me pistoletë në dorë,

kishte zënë pusi në shkallët që lidhnin Kryeministrinë me Parlamentin, duke shtënë me revolver pasi kishte marrë shenjë mirë,

nga një distancë prej një metri, mbi kokën e mbretit të ardhshëm; pasi gaboi në qitjen e parë, kishte bërë edhe dy goditje të

tjera.

Vetëm guximi të shpëton nga vdekja e sigurt. Që në goditjen e parë, Ahmet Zogu ishte hedhur përpara, kundër agresorit, duke

iu turrur drejtpërdrejt dhe i kishte hedhur dorën mbi revolverin që mbante nga e majta: kërcimi përpara dhe lëvizja për t'i

nxjerrë revolverin nga këllëfi, kishin mjaftuar për t'i bërë jo vdekjeprurëse goditjet që do të kishin shkaktuar ekzekutimin

e Njeriut të destinuar për të shpëtuar popullin nga anarkia. Vrasësi, duke parë viktimën e vet në këmbë e të gjallë, me

revolver në dorë, futet shpejt në nevojtoren që kishte pas shpine dhe sigurohet brenda saj e kësisoj i shpëton vdekjes së

menjëhershme.

Asambleja zhurmonte e nervozohej prej zhurmës së të shtënave të revolverit që, jashtë sallës, shkëmbeheshin midis një rojeje

personale të kryeministrit dhe atentatorit, i cili vazhdonte të qëllonte qorrazi nga brendia e strehimit të tij turpërues.

Të gjithë njerëzit në Asamble kishin bërë gati revolverët, dhe mbi fytyrat e tyre ishte përhapur një çehre vdekjeje, që nuk

ishte prej frikës: një moment duhej dhe do të kishte ndodhur një masakër e tmerrshme ndërmjet delegatëve të popullit, dhe

Shqipëria, do të groposej përfundimisht, për të mos pasur më mundësi të ngrihej në këmbë.

Por ja Ahmet Zogu, i paemocionuar, i qetë, duke mposhtur dhimbjet e plagëve, në krah nga e majta, thotë me zë të dobësuar:

"Ju rekomandoj të mbani qetësi! Lëshojini armët! Urdhëroj që atentatori im të mos vritet! Ky është një rast, si shumë të

tjerë që janë parashikuar nga ligji. Pra, me fajtorin do të merret Drejtësia e shtetit!"

Qetësia dhe vetëpërmbajtja ripohojnë edhe njëherë guximin e tij, fisnikëria e fjalëve konfirmojnë se Ahmet Zogu ishte një

Burrë Shteti. Sepse burri i shtetit e sheh veten gjithmonë nën egjidën e drejtësisë. Gjithmonë, edhe në momentet më tragjike.

Në Asamble u kthye njëfarë qetësie. Disa revolverë u rifutën në këllëfe. Megjithatë qetësia ishte relative. Sigurisht, më i

qeti i të gjithëve ishte mbreti i ardhshëm. Qetësi relative, sepse një e treta e anëtarëve të Asamblesë ishin të obsesionuar

nga ambiciet personale, ose të çmendur nga urrejtja e verbër e disa përçarësve, të fshehur në hije, të cilët shihnin në Ahmet

Zogun pengesën e pakalueshme për hipjen në pushtet dhe urrenin maxhorancën që e konsideronte Atë si një Lider (Duçe, në

origjinal - shën. i përkth.) me një vizion largpamës dhe si dorë e fortë, aq të domosdoshme për kombin shqiptar në atë kohë.

Në këtë maxhorancë qarkullonte dyshimi se Kryetari ishte i plagosur rëndë dhe shumë prej tyre synonin një hakmarrje qysh në

atë seancë që po zhvillohej.

Një e shtënë po të bëhej në atë tension të jashtëzakonshëm nervor, do të ishte si një shpërthim dinamiti.

Në këtë moment pata të qartë pamjen e një tragjedie të afërt dhe kujtoj më së miri se munda ta mbaj qetësinë. Nuhata se edhe

në publik kishte disa bashkëpunëtorë të atentatorit dhe prandaj mora masat që të vendoseshin disa njerëz (roje) që t'i rrinin

pranë Atij, me fytyrë nga publiku, të cilët ishin të armatosur me Mauzer dhe që ishin nomenklaturë e kryeministrisë.

Nuk do t'i harroj kurrë dy episode. Doktor Simon Simonidhi, atëbotë deputet, i cili gjendej mes publikut, hapi një shteg me

bërryla mes njerëzve, edhe duke shkaktuar ndonjë keqkuptim që mund t'i kushtonte ndonjë goditje revoleje, u hodh në mes të

sallës, u afrua tek i plagosuri, e shikoi me kujdes, dhe tha fjalët qetësuese: "Nuk ka asnjë rrezik!" Dhe më pas u kujdes për

një mjekim të përgjithshëm.

Fjala e mjekut të mirë e të përgjegjshëm, qetësoi mjaft Asamblenë. Por është për t'u shënuar gjithashtu sjellja shembullore

ushtarake e Osman Gazepit, atëherë kapiten, që, i propozuar në gardën e nderit të Asamblesë, mori me shpejtësi masa mbrojtëse

dhe kontribuoi së tepërmi të rivendoste qetësinë.

Ndërkaq atentatori, - të cilit iu kërkua të dilte nga strehimi i tij, - kërkoi ndërhyrjen e disa anëtarëve të Asamblesë për

t'u dorëzuar në dorë të tyre.

Në këtë rast e në atë moment që mund të zbulonte karakterin njerëzor, të gjithë të apeluarit u përpoqën të fshihen; por

kërkesat e vrasësit ishin tregues, që nuk është e nevojshme të quhen të vlefshme, as të dobishme, sepse nuk shërbenin për gjë

tjetër përveçse për të konfirmuar dyshimet serioze që kishim. E veçanërisht unë. Sepse, në fakt, unë i kisha thënë

Presidentit një muaj më parë: "Ruaju nga ky tipi, të cilit po i bën favore; do të të vrasë me tradhti: e shikoj që rri tepër

me njerëz që dëshirojnë vdekjen tënde!"

Ai m'u përgjigj: "Hipe mbi një gomar e çoje menjëherë në shtëpi të vet!" U mendova pak dhe pashë se porosia që më ishte dhënë

nuk ishte e lehtë për t'u zbatuar: - të kapje një student, 'një qytetar të lirë', ta privoje nga liria e tij e ta dërgoje në

shtëpi të vet, pa "fakte, argumente e dokumente", do të ishte një rast shumë i rëndë i cënimit të lirisë, i shkeljes së

ligjeve, i shkeljes së rregullave njerëzore.

Mentalitet demokratik! S'vlejti gjë as vullneti im për të ruajtur jetën e Presidentit e për ta hequr nga duart e disa

politikaxhinjve injorantë, - shumë shumë të vegjël në shpirt, por keqbërës të mëdhenj, - një djalë të ri, të cilin tre vjet

më parë, vetë Presidenti ma kishte besuar që të kujdesesha për të, duke më thënë: "Kujdesu ti Toçi!

"Po ta them qysh sot: ky njeri do të bëhet, ose një burrë i madh, ose përndryshe një aventurier i rrezikshëm!"

Edhe unë vetë kisha të njëjtin opinion për të rekomanduarin dhe do të dëshiroja që ai të kthehej tek parmenda e lopata:

kushedi, ndoshta jeta e lirë e arave do ta kishte shpëtuar! Por Presidenti im, kishte në atë kohë një program të tijin për të

përgatitur njerëz të kultivuar intelektualisht në Shqipërinë gjysëmanalfabete. Për shkak të këtij programi, gabonte me

zemërgjerësinë e tij. Dhe në fakt, edhe kur iu tha sinqerisht nga një kundërshtar i tiji politik - një regjent i Kurorës

Shqiptare - që atentatori i ardhshëm i kishte thënë se donte ta vriste Zogun, Ai e kishte marrë me të qeshur dhe mua, duke ma

treguar ngjarjen, më kishte rekomanduar që të bëja edhe njëherë një tentativë e të mos e braktisja.

Por nuk dua ta lë në heshtje një motiv tjetër që ma bëri të pamundshme bllokimin e atentatit dhe shpëtimin e djalit të ri:

demokracia kishte helmuar shpirtin e Kombit: shumë e shumë njerëz ishin të bindur nga propaganda gënjeshtare dhe e pabesë e

filibustierëve (piratëve) të politikës se zhdukja e Ahmet Zogut ishte shpëtimi i Shqipërisë, dhe se një erë e re do të kishte

filluar pas zhdukjes së tij.

Dhe shpirti i kombi ishte helmuar deri në atë pikë saqë jo të gjithë ministrat ishin besnikë ndaj Presidentit, dhe se

prefektët, Nënprefektët, funksionarët e zyrtarët, bënin politikë: Pro apo Kundra Zogut!

Ishte një fenomen prishjeje të përgjithshme; të një daltonizmi moral, (shikimit të gjërave bardh e zi); të një mungese

disiplinimi që do të kishte shpënë drejt një paralize, në një anarki, në një çmenduri një popull të ri politikisht, por të

plakur përpara se të rritej, i destinuar për t'u vetëvrarë nga intrigat e një dehjeje nga iluzionet.

A doni një provë, një nga ato që ende nuk dihen nga publiku?

Ja po jua them!

Atentatori i burgosur më kërkoi shumë herë që ta takoja në qelinë e tij, dhe një ditë më në fund shkova. Më tregoi hollësisht

gjithë listën e kandidatëve për t'u vrarë. Mbas Zogut duhej të vriteshin të gjithë ata që përfaqësonin vërtet diçka për

Shqipërinë; e në fund duhej të përfundonin punën e të vulosnin martirizimin ata që shkonin pas berihajit.

E në këtë listë ishte edhe shkruesi i këtyre radhëve!...

Dhe, çudisë sime që partia e vrasësit nuk respektonte kundërshtarët që nuk përpiqeshin për interesa personale, por për ideale

të naltë fisnikë, ai iu përgjigj:

"-Shqipëria nuk do të jetojë deri në atë moment kur të jetë shtypur Zogu! Përsa ju përket juve, që jeni një i mashtruar, e

pranoj se nuk ju kam njohur. Jam përpjekur më kot në favorin tuaj!..."

"E unë nuk ta di për nder!" iu përgjigja dhe nuk deshta më ta shoh.

VII.

Katrahura e 1924-ës

Siç e kam cekur edhe më lart, çështjet politike në vitet 1920-1924 trajtoheshin me një pasion e ashpërsi të tillë, të denjë

për kauzën më të mirë, nëse ashpërsia mund të ketë vend ndonjëherë në diskutimet, dhe kësisoj kishin marrë një pamje mjaft

shqetësuese. Kur mendoj e kujtoj episode sulmesh të padrejta e të papeshuara, mania për ta diskredituar kundërshtarin me çdo

kusht, duke e trajtuar si një armik jetësor, kam dëshirë të them - për t'ua lënë si këshillim atyre që do të dëshironin të

shkruanin historinë e një periudhe të tillë tashmë pak të largët, - që ne kishim shkuar në kufijtë e një lloj kanibalizmi

moral, dhe ishim futur nëpër monopatet e minatorëve e të naftëtarëve! Ishim duke përvetësuar si sistem të gjitha format e

kriminalitetit politik, duke mohuar e harruar të gjitha traditat kavalereske të popullit shqiptar, i cili nuk vret me tradhti

e nuk nxjerr armët kundër njeriut të paarmatosur.

Në polemikat kundër qeverisë së Zogut kishte kaq shumë doza vreri e një mllef të tillë që të bënte të mendoje se midis

kryeministrit, tashmë i ngritur në një shkallë njohjeje botërore dhe ca shkrimtarucëve të sajuar gazetash - për të cilët

është rasti të themi... s'e s'i kemi dëgjuar kurrë! - ekzistonin çështje personale.

Por publiku ushqehej me frutat e helmatisur të rrugaçëve që ishin që ishin detyruar të braktisnin, për shkak të paaftësisë së

tyre shkollën, fushat e punës ose ofiçinat e popujve të huaj. Përvijohej diçka si një çmenduri e vërtetë kolektive. Një

fenomen rrënqethës i daltonizmit të një populli të tërë; shiheshin grupe të vegjël njerëzish përreth lektorëve të gazetave,

që dëgjonin me emocion filipiket e shumë plutarkëve të sajuar, që mbinin si kërpudhat pas shirave të vjeshtës!

Le të bëjmë pak analizë të fenomenit për të mundur të shpjegojmë disa fakte të dhimbshme e të rënda.

Kombi shqiptar, i dalë nga pavarësia me një etje të shfrenuar për liri, megjithatë krejt të shpjegueshme, ra në gabimet e

paevitueshme të popujve të rinj politikisht dhe u hodh në krahët e parlamentarizmit dhe të një kritike gazetareske të pakufi

dhe të një tribunizmi të turpshëm.

Zogu, Ministër i Brendshëm dhe Kryeministër, ishte i pamëshirshëm ndaj atyre që prishnin rendin publik, por mendonte se në

limitet e ligjshmërisë, gjithçka të ishte e bazuar në ligj. Pati gjithashtu raste të përsëritura ku ai e përcaktoi shtypin si

- syri i popullit. Dhe një idealizmi të tillë Ai i lejoi - në një periudhë që do t'ia kishte lejuar një diktaturë të

plotfuqishme, kur të kishte dashur të shkaktonte ndonjë gjakderdhje të vogël - siç e kemi thënë edhe më sipër, që, për lirinë

e ideve, të zinin vend në gjirin e Këshillit Ministror, fara e keqe e përçarjes, dhe në parlament të krijohej një karikaturë

e sjelljeve të Dhomave demagogjike të një Perëndimi ilogjik, që shtypit dhe oratorëve të rastit t'u lejohej të turreshin kundër qeverisë dhe veçanërisht kundër Kryeministrit, me një gjuhë të papërmbajtur dhe të egër.

Vijon në numrin e ardhshëm

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›