E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e Trebickës për të dëmtuar qeverinë

Antena brenda familjes

Partia Republikane nuk ka bërë asnjë mesazh ngushëllimi për vdekjen e biznesmenit Trebicka. Shkak është bërë armiqësia e kryetarit në detyrë, Fatmir Mediu me të ndjerin Trebicka. Siç dihet, Trebicka i ka pasë kërkuar Mediut të shmangte futjen e Delijorgjit në biznesin e tij për ripaketimin e municionit kinez. Mediu nuk ia ka plotësuar kërkesën dhe përfundimi ishte denoncimi i Trebickës në SHBA, nisja prej tyre e hetimeve dhe shkrimi në New York Times.

Armiqësia e Mediut me Trebickën u thellua më pas kur nisi debati publik. Mediu pretendonte se nuk ishte e vërtetë që ai kishte mbështetur futjen e një firme seksere me seli në Qipro për ripaketim fishekësh, ndërsa Trebicka dëshmonte se gjithë shmangia e tij ishte bërë nga njerëz të lidhur me djalin e kryeministrit. Zhurma që shkaktuan këto deklarata mbajtën gjallë opinionin për muaj të tërë. Tashmë që hetimet po thelloheshin, Trebicka vdes papritur në një skenë shumë pak të besueshme si aksident. Kjo ka bërë që shumica e shqiptarëve të dyshojnë në larje hesapesh.

Flamuri, mik i Antenës, i shqetësuar nga ky opinion, ka një shpjegim të vetin se si të dilet nga kriza.

- Unë mendoj se duhet t’ia lëmë Fatmirit këtë punë, tha ai. Fatmiri nuk ka bërë deklaratë ngushëllimi për Trebickën. Ne kemi bërë. Me pak vonesë, po e bëmë. I thashë atij burrit, duhet bërë se s’ka lezet.

- Jo, më tha, s’kemi pse bëjmë deklaratë për çdo aksident që ndodh.

- Epo kemi bërë dhe për Tanin e Topit, i thashë, bile dhe për Entelën një muaj rresht.

- Mirë e ke që ma kujtove, tha. Ta bëjmë menjëherë.

Thirri Bogdanin në telefon, i tha mbaj shënim, dhe e bëri. Kurse Mediu nuk bën. Thotë të zbardhet një herë çështja, pastaj. Po ku ka burrë të zbardhë atë çështje. Ashtu tha për Gërdecin ai. Të zbardhet Gërdeci një herë, tha, pastaj do hyjmë në qeveri. Kur e pa që do zgjasë disa vjet Gërdeci, kërkoi të futet në qeveri urgjent.

Tani plani im është kështu. Ne kemi dyshim se kjo është vrasje dhe jo aksident. Por jo vrasje nga ana jonë. Vrasja mund të jetë bërë nga aleatët tanë për të na dëmtuar. Kështu, me një gur vrasin dy zogj, dhe shpëtojnë nga dëshmitari, dhe na lënë ne faturën.

Ne s’kemi pasë asnjë arsye të bëjmë vrasje. Vrasja është bërë për të dëmtuar atë burrin. Ja do shkojë djali i tij dhe shoku i djalit në prokurori dhe do nisë media të shkruajë se s’kanë me kë ballafaqohen se është vrarë Trebicka. E di unë skemën. E kam në kokë. Ndaj i thashë atij burrit, dil e ngushëlloje i pari, le t’i ngelet Mediut.

- Po sikur ky Trebicka të ketë lënë ditar dhe të ketë shkruar gjithë faktet.

- Jo, jemi të sigurtë për këtë. Ishte dembel ai, nuk shkruante. Përtonte. Ai vetëm me telefon i bënte punët. I kam thënë atij burrit prej kohësh që duhet të punonim me atë. T’i jepnim ndonjë gjë. Thashë t’i japim një licensë universiteti një herë. Por me duket se nuk e kënaq. Se dhe ai kërkonte shumë, ç’të them unë. Ishte pak i zorshëm. Por ne s’kishim arsye ta hiqnim qafe. Ne po e bënim mik. Kjo mund të ketë mërzitur ndonjë tjetër dhe na e ka heqë qafe.

- Po çfarë keni mundur të gjeni nga hetimet deri tani. Kush mendoni se ua ka bërë.

- Nuk e di, por ai burri thotë që ata që na bënë Gërdecin, ata do ta kenë bërë dhe këtë. Dhe ka të drejtë. Dhe ju e dini se atij s’i del e keqja me ju të medias për Gërdecin se ju e keni bërë gjithë atë zhurmë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›