E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmshpërblimi për misrin pa kokrra, do jepet misër vetëm për 100 ha

Kompania "Agroblend" ka nisur dje t’iu japë misër disa fshatarëve në rrethin e Gramshit si dëmshpërblim për arat e mbjella me misër pa kokrra. Ministria e Bujqësisë njoftoi se në Gramsh numërohen vetëm 131 familje që kanë blerë farë misri pa kokrra dhe ato po dëmshpërblehen. I tërë dëmhspërblimi që Ministria e Bujqësisë ka bërë dje nëpërmjet Agroblend ka qenë 30 kuintalë misër dhe kjo ka shkuar vetëm vetëm për 19 familje. Ministria e Bujqësisë thotë se ajo i ka identifikuar të gjithë fermerët në vend që kanë blerë misër tek kompania Agroblend dhe arat nuk kanë dhënë prodhim. Kësisoj Ministria e Bujqësisë tha se dhënia e misrit nesër dhe në ditët në vijim do të përfshijë 131 fermerë në rrethin e Gramshit dhe 266 fermerë në rrethin e Elbasanit.

Të dhënat tregojnë se në rrethin e Gramshit u dëmtuan nga misri hibrid 'Aliseo' pesë komuna, konkretisht komuna Kukur, Kodovjat, Kushovë, Poroçan, Pishaj, ku në total rezultoi rreth 23.5 hektarë të mbjella me misër të skaduar. Në të gjithë rrethin numri i fermerëve të dëmtuar nuk dihet ende ndonëse Ministria e Bujqësisë pretendon për 131. Me këtë numër fermerësh që ka identifikuar Ministria e Bujqësisë, Agroblend ka vendosur të japë 12 ton misër dhe kësisoj e cilëson të mbyllur këtë çështje.

Ministria e Bujqësisë në bazë të dhënave të saj thotë se i tërë dëmtimi në vend nga fara Aliseo përfshin vetëm 60 hektarë në Elbasan, 23.5 hektarë në Gramsh, 1.5 hektarë në Librazhd dhe 21 hektarë në Peqin. Ministria e Bujqësisë nuk ka pranuar se ara me farë që nuk japin prodhim janë gjetur në zona të tjera të vendit. Në të vërtetë ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana dy ditë më parë tha se ministria nuk kishte asnjë përgjegjësi për farën që s’jep prodhim pasi bëhej fjalë thjesht për marrëdhënie mes privatëve duke nënëkuptuar fermerët dhe kompaninë Agroblend. Me këtë qëndrim Ministria e Bujqësisë shmangu përgjegjësinë e dëmshpërblimi dhe lejoi Agroblend të japë misër për rreth 100 hektarë dhe ta quajë të mbyllur këtë çështje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›