Shqipëria nën ethet e hapjes së dosjeve
Sot anëtar i parlamentit, ai po lufton për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit, policia sekrete, 18 vjet pas rënies së regjimit më të ashpër komunist në Evropë, nën Enver Hoxhën.
“Unë dua t'i hapim të gjitha dosjet e këtyre agjentëve, të spiunëve, të kujtdo që u përfshi në terrorin shtetëror”, flet ai me pasion në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë. “Pa Sigurimin, Enver Hoxha nuk ishte asgjë. Shërbimi sekret në atë kohë ishte krahu i tij i djathtë”.
Shumë vite pasi vendet e tjera ish-komuniste të Evropës Lindore u morën me dosjet e policisë sekrete, Shqipëria po “përfytet” sërish me dosjet e Sigurimit.
Sigurisht, vendi ballkanik ka bërë hapa të mëdhenj që nga koha e komunizmit. Rrugët e Tiranës, ku dikur makinat private ishin të ndaluara, janë vazhdimisht me trafik, ndërsa një bum ndërtimesh në të gjithë Shqipërinë po i jep vendit një fytyrë të re. Gjithsesi, e shkuara hedh hije, ndërsa ish-vendi rebel komunist po ecën drejt anëtarësimit në NATO, ndërkohë që ëndërron edhe integrimin në Bashkimin Evropian.
“Kjo është një telenovelë që s'po mbaron kurrë, që pas ditës së parë të rënies së komunizmit”, tha Edi Rama, kryetar i bashkisë së Tiranës dhe kryetar i partisë Socialiste në një intervistë.
“Komunizmi në Shqipëri ishte si një bombë atomike për mendjen e njerëzve. Shpërthimi ka mbaruar, por radioaktiviteti vazhdon ende të dëmtojë”.
Rrjeti i informatorëve
Gjatë sundimit stalinist, policia sekrete punësoi 800 vetë, përfshirë punonjës operativë dhe nëpunës, sipas një oficeri të Sigurimit që nuk dëshiroi të përmendej me emër. Sidoqoftë ata mbështeteshin gjithashtu në një rrjet të papaguar informatorësh, disave prej të cilëve u bëhej edhe shantazh për të ndihmuar në vëzhgimin e bashkëqytetarëve të tyre.
“Përse bashkëpunuan? Qeveria ka qenë me të vërtetë e fuqishme këtu”, tha zyrtari, që mbikëqyrte një rrjet informatorësh në Tiranë dhe gjetkë. “Para nuk jepeshin fare, gjithçka bazohej në parimet ideologjike, një detyrim për të kthyer borxhin për gabimet e tyre”.
Askush me sa duket nuk e di saktësisht sesa shqiptarë kanë punuar si informatorë apo kanë ndihmuar Sigurimin e Shtetit, por deputeti Ngjela vlerëson se janë përfshirë 17 për qind e popullsisë. Një zyrtar komunist në vitet 1960 kishte thënë dikur se një në çdo katër vetë ishte i përfshirë me Sigurimin.
Për momentin, pjesa më e madhe e zyrtarëve nuk kërkojnë hapjen e të gjitha dosjeve të atyre që monitoroheshin, një sistem ky që u përdor edhe në ish-Gjermaninë Lindore komuniste. Dosjet shqiptare u hapën në mënyrë selektive përpara zgjedhjeve të vitit 1996, për të mundësuar një shqyrtim të kandidatëve të mundshëm, por nuk janë vendosur regulla të përhershme.
“Unë nuk jam për hapjen e të gjitha dosjeve”, tha të enjten për agjencinë Reuters kryeministri Sali Berisha. “Ne ishim një shoqëri rurale, ju e kuptoni. Do të krijonte probleme të mëdha nëse i hapim në mënyrë të tillë. Unë jam që t'i hapim për ata që janë zgjedhur dhe për njerëz të rangjeve të larta në pushtet”.
“Kjo nuk bëhet për të fajësuar njerëzit. E rëndësishme është që të mbyllet ky kapitull”.
Një çështje që e komplikon një hapje të plotë përfshin politikanët aktualë, disa prej të cilëve mund të vihen në siklet nëse zbulohen sekrete të të shkuarës së tyre.
Policia sekrete
“E vërteta është gjithmonë e rëndësishme për një demokraci dhe për të ardhmen, dhe gjithçka që ka të bëjë me të vërtetën duhet të zbulohet”, tha kryepeshkopi ortodoks i Shqipërisë Anastasios Yannoulatos, në një intervistë të premten.
“Por mos harroni se ata që drejtojnë, nuk mbërritën kështu fare papritur”, tha ai duke aluduar për përfshirjen e tyre në të shkuarën komuniste. “Ata kanë lindur këtu, dhe ndodheshin po këtu edhe para '90-ës. Kjo do të thotë se ata kanë lindur në një atmosferë tjetër, në një mjedis tjetër ideologjik”.
Ngjela e akuzon kryeministrin Berisha se ka denoncuar njerëz gjatë kohës kur ishte zyrtar i Partisë Komuniste. Në një intervistë, Berisha e mohoi që ai apo ndonjë anëtar i kabinetit të tij të ketë ndonjë lidhje me policinë sekrete dhe shtoi se kushdo që mund të këtë bërë një gjë të tillë, nuk do jetë në qeverinë e tij.
Një tjetër çështje bën pjesë në kompleksitetin e problemeve të dosjeve të shërbimit sekret, ndërsa zyrtarë të qeverisë dhe ekspertë të jashtëm shprehen se një pjesë e tyre janë shkatërruar. Përveç dosjeve me shkrim dore, ekziston një regjistër shtesë me emrat e informatorëve, emrat e koduar dhe kohëzgjatjen e tyre në shërbim, tha ish-zyrtari i Sigurimit.
“Askush nuk do të jetë në gjendje të zbulojë saktësisht se çfarë kanë bërë ata njerëz”, tha ai. “Sidoqoftë, shoqëria nuk duhet t'i penalizojë këta njerëz sot. Shumë prej tyre kanë dhënë një kontribut për atdheun e tyre”.
Elsa Ballauri, drejtoreshë ekzekutive e grupit “Albanian Human Rights” shprehu zhgënjimin e saj që shoqëria civile nuk po i kushton më shumë vëmendje kësaj çështjeje, por tha se priste që parlamenti të miratonte një lloj ligji. “Nuk e di sa sa do të zbatohet”, shtoi ajo.
* Titulli është redaksional