Banorët e Fierit në protestë kundër Bankers Petroleum derdhin naftën: Po na shkatërron shtëpitë
Qindra banorë të komunës Zharrëz në Fier kanë protestuar gjatë ditës së sotme kundër kompanisë kanadeze Bankers Petroleum, e cila u ka shkaktuar dëme të shumta materiale në banesa dhe duke i terrorizuar, si pasojë e shpërthimeve nëntokësore.
Për rreth një orë banorët kanë mbajtur të bllokuar aksin nacional Fier-Berat, ndërsa më pas u janë drejtuar çisternave të kompanisë, duke hapur rubinetat dhe duke derdhur naftën bruto në shenjtë proteste.
Një grup prej tyre në mënyrë të organizuar sulmuan në mëngjes depozitat e dekantimit të naftës bruto duke derdhur në tokë një sasi prej 1 mijë ton dhe duke shkaktuar ndotje në mjedis dhe duke kërcënuar me zjarrvënie, raporton TCH.
Në këtë situate kritike u njoftua policia e cila shkoi në vendin e ngjarjes me rreth 100 forca, duke rrethuar vendin dhe duke shmangur një tragjedi të vërtetë. Ndërkohë që shoqëroi dhe disa persona me akuzën e shkatërrimit të pronës. Por banorët e zonës janë të bindur se këto janë shpërthime të ndodhura nga vetë kompania e huaj që ka në pronësi puset.
Lëkundjet ishin shumë të fuqishme dhe thamë se na zunë shtëpitë brenda. Se cfarë janë? Këtë duhet ta gjejë shteti dhe shkakun. Kemi 3 muaj. Sot kanë qenë dy lëkundje të vetme mbi 5 ballë. Janë shpërthime nëntokësore të firmës dhe kjo nuk bëhet fjalë, thonë banorët.
I kontaktuar me telefon Drejtori i Përgjithshëm i Kompanisë Bankers Petrolium Leonidha Çobo u shpreh se këto kanë qenë tre tërmete dhe jo shpërthime të kompanisë. Ai thotë se kompania po punon për sistemimin e kësaj masakre mjedisore.
Ndërsa deputeti i zonës, Armando Subashi mbështeti veprimet e banorëve duke thënë se reagimi i tyre është i ligjshëm.
Është për të ardhur keq sepse sikur të mos mjaftonte gjithë kjo rrugë e shkatërruar, gjithë kjo ndotje mjedisore për të gjithë këta njerëz, sikur të mos mjaftonin vuajtjet e naftëtarëve, papunësia dhe nxjerrja në rrugë e gjithë këtyre familjeve, këta banorë duhet të kenë edhe shpërthimet që ndodhin në 3 dhe 4 të mëngjesit, deklaroi deputeti socialist, Armando Subashi.
Në vendin e ngjarjes ka nisur puna për mbledhjen e naftës bruto të shpërndarë në tokë dhe pastrimin e territorit për të shmangur ndotjen e mëtejshme të mjedisit si dhe për të eliminuar mundësinë e zjarrit.
Kompania kanadeze, për shkak të lidhjeve politike, nuk ka paguar asnjëherë tatim- fitimi që kur ka filluar të punojë në Shqipëri. Ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, u shpreh disa kohë më parë se, trafiku i naftës në Shqipëri është më i madh se ai i drogës.