E Diel, 1 Nëntor 2026

Çfarë po ndodh në SHBA

1

Rrënjët e krizës

Cilat janë shkaqet dhe fajtorët e krizës financiare më të rëndë që nga vitet 1929? Përse një bankë prestigjioze me 158 vite histori pas shpatullave (Lehman Brothers), në pak javë u zhduk si një kështjellë rëre nën baticë? Çfarë e shtyu qeverinë amerikane fillimisht të shpëtonte me një borxh prej 70 miliardë dollarësh një ndër kompanitë më të mëdha të sigurimit në botë (AIG)?

E pra, përgjegjësia e gjithë kësaj, është e një ëndrre, dhe më saktë, e "ëndrrës amerikane" për të pasur në pronësi shtëpinë e vet. Jo të gjithë, ama, kanë lekët për ta blerë, garancitë e mjaftueshme për të marrë një kredi, dhe mundësinë për t’u rezistuar stuhive të vogla të jetës së përditshme aq sa të paguajnë këstet çdo muaj.

...dhe këtu hyjnë në skenë bankat.

Tullat e para të kësaj piramide të mallkuar, janë kreditë e ashtuquajtura "subprime". Në fillimet e viteve dymijë, bankat dhe shoqëritë financiare, me bekimin politik të të dyja partive, vendosin të zbërthejnë thesin e kredive. Fillojnë t’u japin lekë për të blerë shtëpi, edhe subjekteve që nuk u duhet dhënë; bëhet fjalë për persona të cilët kanë të ardhura të ulëta, që nuk kanë një punë fikse, dhe që me një të fryrë ere, mund të rrëzohen keq dhe të mos paguajnë më këstet. Rreziku është i stërmadh, por rrugët e financës janë të pafundme, dhe një zgjidhje, sidomos në një administratë liberiste si ajo republikane, gjendet gjithmonë.

...paratë për mua, rreziqet për të tjerët!

Për të shpjeguar këtë zemërgjerësi të instituteve kredidhënëse, nevojitet një analizë e vogël teknike. Në bilancin e një banke, borxhet që ajo jep konsiderohen pjese e aktivit; është para në gjendje, e cila nuk mund të përdoret menjëherë (domethënë jo kesh), sepse duhet të presë rikthimin në arkë. Nëse, ama, banka nuk do të presë, atëherë mund të nxjerrë obligacione (letra me vlerë, në gjuhën teknike ABS), të garantuara nga paratë e dhëna në të vërtetë borxh. Rezultati është që banka bëhet debitore në treg, dhe përdor kreditë e dhëna privatëve si garanci për pagimin e obligacioneve të veta. Ja atëherë formula magjike. Një rrugë e shkurtër që transferon rrezikun e "subprime"-ve, te mijëra blerës të obligacioneve të garantuara nga të njëjtat "subprime".

...mbërrijnë kokteilet toksike.

Loja tani bëhet më e rafinuar. Bankat kanë kujdesin të mos nxjerrin letra me vlerë të garantuara vetëm nga kreditë "subprime", por krijojnë paketa ku përziejnë kredi të rrezikshme me kredi më të sigurta. Eshtë njësoj sikur të bëhet një sallatë frutash me kokrra të mira dhe me kokrra të kalbura. Ato të mirat, me ndihmën e pak sheqer (që në rastin tonë janë kontrolluesit e sigurisë të cilët vlerësojnë gjithmonë me dhjetë), mbulojnë erën dhe shijen e kokrrave të kalbura. Thasët me lekë, që fillimisht janë të sigurt, bëjnë të vetën dhe askush nuk pyet më se çfarë baze ka kjo mrekulli financiare. Paraja të qorron dhe koha të bën të harrosh.

...dhe loja prishet!

Periudha 2006-2007, është një dyvjeçar i zi për tregun e pasurive të patundshme. Shitjet tkurren, çmimet bien dhe borxhet mbysin amerikanët. Familjet nuk arrijnë të paguajnë më "subprime"-t, dhe bankat kanë në pronësi shtëpi të cilat nuk mund të transformohen në kesh, dhe që vlejnë më pak sesa janë blerë. Provoni të imagjinoni një piramidë nga e cila hiqet kolona që e mbante në këmbë: në mënyrë të pashmangshme, ajo bie. Kokteilet toksikë humbasin besueshmërinë, askush nuk i do më dhe qëndrojnë vetëm për të helmuar bilancet. Bankat nuk janë më në gjendje të llogarisin vlerën e këtyre obligacioneve të garantuara nga "subprime"-t, dhe aq më pak të bëjnë bilancin. Frika përhapet, kush ka akoma para, i kyç në kasafortë dhe kreditë për ekonominë reale (për shembull për ndërmarrjet e shëndosha që kanë nevojë për t’u zgjeruar), ngrin. Loja financiare del në shesh plot bujë këtë shtator dhe të gjithë gjenden me shpatullat pas murit.

...kush e ka pirë kokteilin toksik?

Në të vërtetë asnjë nuk di sa kokteile janë shitur dhe kush i ka pirë. Por nuk do duhet të presim gjatë, do mjaftojë të qëndrojmë te porta e barit për të parë kush do jetë i dehuri i radhës që do bjerë nga banaku. 

John Keynes (ndoshta ekonomisti më i rëndësishëm i shekullit të kaluar), tashmë më shumë se 60 vjet më parë, thoshte që vetëm puna prodhon pasuri. Dikush, i verbuar nga të mirat e Wall Street-it dhe nga alkimitë e bankierëve të pangopur, e kishte harruar, dhe tani, të gjithë ne, do paguajmë pasojat.

2

Fjalori i krizës

ABS (Asset Backed Securities).

Janë obligacionet qe bankat nxjerrin duke i garantuar me të ashtuquajturën paketë. Paketa është e formuar nga kredi të sigurta dhe kredi subprime, domethënë të rrezikshme. Në këtë mënyrë banka ka përsëri para kesh për të zgjeruar aktivitetin e saj ose për të dhënë kredi të tjera.

OBLIGACIONE.

Janë mjeti teknik me të cilin shoqëritë kërkojnë kredi në tregun financiar. Në këmbim të shumave parash, japin letra me vlerë që u sigurojnë dy të drejta kryesore obligacionistëve. Në radhë të parë interesa periodike, dhe në radhë të dytë rikthimin e shumës së parasë së derdhur ditën e skadencës.

SUBPRIME.

Janë kredi të dhëna personave jo të sigurt, të cilët nuk kanë shlyer një kredi të mëparshme ose që nuk prezantojnë asnjë dokument rreth punës dhe të ardhurave të tyre. Në këto raste përqindja është më e lartë, po kështu edhe çmimi i çeljes. 

Për t’u mbrojtur nga ky rrezik, jepen obligacione të garantuara nga vetë subprime-t. Rreziku kalon tek të tjerët, por qëndron tek sistemi.

3

Origjina e fajit

''Ekonomia shkon për bukuri, vetëm se Amerika është një shtet qaramanësh.'' Këto janë të famshmet fjalë të fundit të Phil Gramm, këshilltari ekonomik i McCain dhe burri nga ku nis vrapimi i çmendur që e çoi financën amerikane në buzë të greminës.

Është 12 nëntori i vitit 1999, Bill Clinton është akoma president i Shteteve të Bashkuara kur firmos pa iu dridhur qerpiku ''Gramm-Leach-Bliley-Act''; ligj i shpikur nga Phil e për të cilin zemërgjerësisht falënderohet nga ''peshkaqenët'' e Wall Street-it me një kontribut për fushatën e tij elektorale prej plot 4.6 milionë dollarësh. Është reforma bankare më e madhe që prej shtatëdhjetë vjetësh dhe paraqet një regjim shumë më të zbutur për institutet kredidhënëse. Besnik i mendimit të tij liberist, Gramm shemb shumë nga mbështetëset që e mbajnë financën në këmbë; ai vë në zbatim një 'deregulation' shtetëror, i bindur që tregjet janë në gjendje të vetërregullohen (madje mjaft mirë).

Kalojnë tre vjet, George Bush vjen në pushtet dhe gjatë një fjalimi të bujshëm të 16 qershorit, shpall planin e tij për t'i lejuar qytetarët të realizojnë ''the american dream'' (ëndrrën amerikane), pra të jenë pronarë të shtëpisë ku banojnë. Projekti bazohet në tre shtylla të përmendura direkt nga zëri i tij: a) ''Njerëzit duan ta blejnë shtëpinë edhe pse nuk kanë paratë për paradhënie''. b) ''Në kontrata ka tepër fjalë dhe kërkohen tepër dokumente''. c) ''Nevojiten kapitale më të mëdha për blerësit me të ardhura të ulëta''.

Mjafton t'i vësh bashkë këto tre fraza (kredi që nuk kanë nevojë as për paradhënie, as për t’u siguruar nëse personi është i besueshëm, dhe aq më pak nëse ai fiton mirë) që të kuptosh se për çfarë e ka fjalën presidenti. Janë pikërisht ato, të famshmet... subprime!

Por ende kjo teori nuk është shumë bindëse, cilido që merr pak vesh nga financa nuk do tregohej kurrë aq i çmendur sa t'i jepte para dikujt që ka një mundësi në dhjetë për t'ia kthyer. Dhe atëherë rrethi mbyllet me mënyrën ''e re'' të funksionimit të bankës. Mekanizmi që zgjidh çdo problem quhet ABS (bëhet fjalë për tituj të garantuar nga vetë subprime-t) që teorikisht është në gjendje të shpëtojë bankat nga rreziku, duke e shpërndarë atë mbi shumë të tjerë, por që praktikisht është thjesht një paçavure!

Kjo vazhdon për gjashtë vjet, derisa stuhia e krizës së pasurive të patundshme i hedh tutje subprime-t, pra ABS-të, e po kështu të gjithë ata që i kanë blerë.

Tani, Phili plak, po sheh ëndrrën e tij tek thërrmohet, dhe shtetin tek ndërhyn me mish e me shpirt në treg dhe në ekonomi. Ai, (dhe si ai shumë të tjerë), nuk e kishte kuptuar ose nuk kishte dashur ta kuptonte që kapitalizmi është si një fëmijë në ballkon: po i hoqe mbështetëset, ai bie poshtë.

 

4

Jeleku i shpëtimit

Nëse Bush, katër vite më parë, do u kishte thënë zgjedhësve të vet që do kishte shpërndarë 700 miliardë dollarë të shtetit mbi kokat e peshkaqenëve të Wall Street-it, jo vetëm që nuk do e kishin votuar kurrë, por do ta kishin djegur në mes të sheshit.

Ky plan është ndërhyrja publike më masive në historinë e kapitalizmit; në djall liberizmi, iluzioni që “gjërat rregullohen vetvetiu”, në djall bilanci shtetëror në ekuilibër, që ka qenë dhe është dogma e padiskutueshme e ekonomistëve sot në qeveri.

“Dora e padukshme”, me të cilën tregjet do duhej të vetërregulloheshin, vërtet nuk u pa, dhe tani e ka radhën “dora publike”, e rëndë 700 miliardë dollarë, të ndërhyjë.

Logjika e planit Paulsen (ministri i Thesarit), është e thjeshtë: të furnizohen bankat me para, me qëllim që ato të mos e mbyllin rubinetin e kredisë për ekonominë reale. E gjitha kjo, edhe duke kapërcyer faktin që Shteti do hyjë në borxh me 7% të Produktit të Brendshëm Bruto, nivele asnjëherë të arritura që nga Lufta e Dytë Botërore.

Plani përbëhet nga katër pika.

Në një moment të parë, Thesari amerikan do të blejë “kokteilet toksike”, që helmojnë bilancet e bankave që veprojnë në SHBA (pra jo vetëm ato amerikane) për një shifër prej 700 miliardë dollarësh. Objektivi është pastrimi i bilanceve nga kjo barrë, për t’u rikthyer besimin instituteve të kredisë.

Në këmbim, Thesari përfiton aksionet e bankave nga të cilat blen këto plehra, dhe si pasojë bëhet aksioner. Më vonë, 20% e përfitimeve që do të lindin nga kjo pjesëmarrje, do të shkojnë te sektori i pasurisë së patundshme.

Por, meqë njëherë vete, por dy bëhen shumë, do të krijohet një organ kontrolli i përqendruar, i cili do jetë i përbërë nga përfaqësues të Kongresit, të FED-it (Banka Qendrore Amerikane) dhe të SEC-ut (Komiteti i Kontrollit), dhe do të ndërtohen mekanizma për mbrojtjen e konsumatorit.

Së fundi, në tentativën për t’i dhënë një pastrim imazhit të keqkatandisur të agjentëve të bursës, bankave që shfrytëzojnë këtë ndihmë shtetërore, do t’u duhet të heqin dorë nga likuidimet përrallore të menaxherëve, dhe t’u ulin atyre rrogat.

Ja akti i fundit i administratës Bush, që pranon dështimin e politikës së vet financiare, dhe që bën një kthesë totale, duke tentuar të mbajë së bashku copëzat e një vazoje të thyer.

Bushi do të kujtohet si presidenti i parë liberist që ndërhyri në ekonomi më keq se në kohët e Rusisë socialiste, dhe ky fakt ka shijen e një humbjeje të hidhur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›