Dinamo kampione nuk di të fitojë në shtëpi
Dinamo ndalet sërish në kryeqytet. Kësaj herë ka qenë një skuadër e mirëvendosur në fushën e blertë si Vllaznia e Shkodrës, e cila mund të kishte arritur edhe fitoren në fundit e takimit. Në fillim Dinamo shfaqet pak sa e ndryshuar në formacionin e saj për vetë zgjedhjet e teknikut Daliç. Aktivizimi i Haliloviçit në krahun e djathtë në vend të Sinës dhe ai i Jusufit, i cili vetëm me një ditë stërvitje pas grumbullimit në kombëtaren e moshave kroate, nuk mund të sillte ndonjë "risi" në lojën e kampionëve. Ndërkohë që shkodranët zbrisnin në fushën e blertë me formacionin e tyre më të mirë. Ndeshja e ditës së djeshme në "Selman Stërmasi" ka qenë tepër e synuar nga të dyja skuadrat dhe ka dhuruar emocione për të pranishmit në stadium. Raste të shumta në të dyja portat respektive, sidomos në fundin e pjesës së parë, kanë gjallëruar 90' e përballjes Dinamo-Vllaznia. Por në fund, të dyja skuadrat nuk kanë marrë më shumë se 1 pikë në barazimin 1-1. Në fillim vendasit do të gjenin rrugën e rrjetës në minutën e 15-të me anë të një autogoli të Smajlit, pas një gjutje të Allmuçës. Ndërkohë që shkodranët reagojnë me lojën e tyre sulmuese. Dallon kapiteni Sinani dhe mesfushori Dhëmbi. Në fund të pjesës së parë shkodranët sigurojnë raste të pastra shënimi, por në disa momente pasaktësia e tyre dhe në disa të tjera merita e mbrotjes dinamovite, kanë bërë që skuadrat të shkojnë në dhomat e zhveshjes me avantazhin 1-0 të Dinamos në pjesën e parë.
Në pjesën e dytë shkodranët e nisin me një zëvëndësim, ku Beqiri ia lë vendin Doçit që vendoset në krahun e majtë të mbrojtjes, ndërkohë që Berisha rreshtohet në qendër të mbrotjes përkrahë kroatit Bashiç. Pjesa e dytë është më e mirë për fituesit e kupës një sezon më parë. Aksion pas aksioni kuqeblutë të "nxitur" dhe nga trajneri i tyre Canaj janë më të rrezikshëm, ndërkohë që Dinamo "çalon" në lojën e krahut të djathtë, ku mungesa e pashpjegueshme e mbrojtësit Sina, ka krijuar një "hendek" në prapavijën blu. Gjithashtu dhe loja sulmuese e bluve nuk është ajo më e mira, kur Petriçeviç shpeshherë triblon vetveten dhe dorëzon topin tek kundërshtarët e tij, ndërkohë që Plaku i ardhur nga një gjendje gripale nuk është në ditën e tij më të mirë. Vllaznia me anë të një aksioni model arrin të barazojë rezultatin në 1-1, ku Dhëmbi shënon brenda zone me kokë. Dinamo përpiqet të kalojë sërish në avantazh, por loja e saj është tepër e diktuar nga kundërshtarët shkodranë, të cilët në fundin e takimit marrin në dorë frenat e lojës, duke i'u afruar dhe golit të dytë në minutat shtësë, kr Boadu i vetëm me Kotorrin ka goditur traversën. Dinamo vazhdon të kalojë një "ngërç" në lojën e saj edhe pas fitores ndaj Lushnjës një javë më parë në transfertë. Ky është barazimi i tretë për kampionët në fushën e tyre, pas atyre të arritur më parë ndaj Teutës dhe Elbasanit. Në javën e shtatë kampionët do të përballen në derbin e kryeqytetit ndaj Tiranës udhëheqëse të superligës.
Në ndeshjet e tjera, bie në sy humbja e Shkumbinit në fushën e tij me Lushnjën, si dhe humbja e Partizanit në Vlorë. Tirana ka barazuar pa gola në Ballsh, kurse trajneri Daja ka mundur ish-skuadrën e tij, Elbasanin.