E Shtunë, 31 Tetor 2026

i/e/të/së GRUAS

Nga Eda Derhemi

Është fare logjike që në një shoqëri si e jona, ku gruaja, në rastin më të mirë, injorohet në mospërfillje ose bëhet e rëndësishmja në mbretërinë e gjërave të parëndësishme, dhe në rastin më të keq, zhdëpet në dru ose vritet, të gjesh ndër shumicën e burrave një unitet që nuk e pranon abuzimin ndaj gruas. Përndryshe si do mund të ngryseshin e gdhiheshin me veten e vet? Megjithatë, ngaqë gjendja e gruas ulërin padrejtësi, e kam gjithsesi të vështirë ta kuptoj verbërinë që i lejon të flenë më mirë e mbretërojnë më rehat. Më poshtë sjell lakime të ndryshme të gruas në diskursin tonë publik, pavarësisht nga pozicioni në hierarkitë e arsimimit të lakuesve. Herë ky lakim është nënvlerësues, e herë tjetër urrejtës. Sido qoftë, në të gjitha rastet synon të ruajë një status quo shfrytëzimi e padrejtësie shoqërore, madje edhe të rëndojë më tej ndëshkimin ndaj gruas. Para pak ditësh më bëri përshtypje në një takim televiziv në Opinion një version intelektual i nënvlerësimit të gruas, në formën e vështrimit superior mashkullor. Vinte nga dy burra të njohur mediatikë. Disa herë u shfaqën ndërhyrje nervoze ndaj zhvendosjes së problemit nga individi grua në qendër të emisionit, në rrafshin e përgjithshëm kritik shoqëror e sistemik, që është tamam këndi në të cilin duhet vështruar problemi që të mund të çojë drejt emancipimit. Herë të tjera vura re nënqeshje ironike ndaj sloganeve feministe dhe çuarjes në absurd të problemit të trajtimit të gruas nga institucionet. Edhe nëse vetë të dy burrat janë të panjollë në praktikat e marrëdhënieve të tyre personale me gratë, me pozicionime ideologjike të tilla, i bëjnë një shërbim regresit të shoqërisë shqiptare dhe jo progresit të saj. Sinqerisht nuk e prisja. I mendoj të dy burra të rinj në moshë e krye. Aleati i vetëm që gruaja ka në Shqipëri (veç vetes) janë mediat dhe shkollat, ndaj këta burra mediatikë pritet ti kuptojnë dukuritë më mirë e të ndërtojnë imazhe më konstruktive. Dihet që mediat kanë gjithashtu zë e sy mashkullor. Por, nga një burrë i përgatitur mediatik, personalisht pres qasje progresive bazuar mbi të gjitha në njohjen e realitetit; pritet që ky lloj mashkulli të ketë aftësinë të kapërcejë ideologjitë e internalizuara mashkullore brenda vetes në rreth 40 e ca vjet jete në një ambient që ushqen ideologji të tilla, të jetë më i hapur, të shohë më larg, të kuptojë se institucionet që sipas tij nuk janë veçanërisht anti-grua, nuk janë ndërtesa formale prej letre, por kanë fytyrën, mendjen, duart dhe gojën e funksionarëve institucionalë. E shpesh këta funksionarë janë burra civilë a me uniformë, me pantallona të Ermenegildo Zegna-s apo me brekushe e që herë e dinë që janë gra-abuzues (me të drejtë, pa dyshim), e herë as që e kanë idenë.

Zbrit më poshtë në hierarkinë e edukimit dhe edukatës formale, dhe lexo si lakohet gruaja. Më 6 mars në një shkrim titulluar 8 marsi i Emmy-t botuar në Shekulli, gazetari me të drejtë do ta kalojë problemin e Emmy-t në një rrafsh më të gjerë sesa ai i një fatkeqësie individuale. Dhe pse jo: përndryshe e gjithë drama nuk kish përse të diskutohej fare në gazetë. Ai kritikon jo veç thjeshtëzimin e problemit nga njerëzit, por edhe sesi në një shoqëri dritëshkurtër, viktima shoqërore tretet në hiç, dhe vendin ia merr thashethemi për individin të cilin gishti patriarkal e bën fajtor e sa më grua të jetë individi, aq më fajësues është gishti. Ky reagim me gishtin tundës që thotë Turp!, fatkeqësisht vjen edhe nga gratë, siç thuhet në shkrim. Gratë (dhe tërë shoqëria) i bënë një skaner të shpejtë e cinik: Ç’punë ka një 19 vjeçare me një 44 vjeçar?”, “Ajo vetë e paska kërkuar”. Mendoj se analiza duhet të shkonte pak më tej dhe të shënonte faktin që mungesa e vlerave të sotme i shtresohet një të shkuare (që ende mbetet fort gjallë) super-patriarkale ku ndërtimi i një marrëdhënieje të shëndetshme grua-burrë ishte i pamundur. Gjithashtu, mungesa e vlerave sot nuk është thjesht femërore, por, siç vërehet në shkrim, drejtohet nga po ai mentalitet mashkullor i azizëve dhe berluskonëve në një shoqëri që ofron pak alternativë në edukim e punësim për vajzat apo djemtë. Por unë ndaj me gazetarin po atë shqetësim që kërkon të kthejë dylbinë publike drejt parjes së plagës shoqërore në mënyrën se si ndërtohen marrëdhëniet gjinore tek ne, dhe jo të fajësojë gruan-individ, dhe sidomos jo, individin-grua.

Por si kuptohet dhe çfarë vilet e përzgjidhet në këtë shkrim nga disa lexues? Aspak ajo që unë besoj se autori synonte. Njëri prej komentuesve që është dakord me idetë e shkrimit, madje falënderon Shekullin për këtë kënaqësi, e komenton kështu shkrimin duke barazuar shthurjen e shoqërisë shqiptare, me shthurjen e grave, vajzave e sidomos nënave (kam lënë formën e pacënuar të komentit):

FLM Shekulli.Nje teme shume e Nxehte kjo,Tema me e Forte dhe me Aktualja.Kemi te bejme me nje Shthurje te Shoqerise Shqiptare,Totale do te thoja.Gra te martuara,(nje shumice e madhe kjo) jan me Dashnor.Dhe me e bukura eshte qe me vetedijen e tyre me te madhe e kane dhe per Krenari qe Jetojne keto Lidhje.Kam ven re qe shume Gra,Nena keto,perpiqen qe te Pispillosen duke u lyer e zhgryer dhe duke zbuluar shume pjese te trupit,edhe me shume se dhe vete Vajzat e tyre.Por nuk jane vetem keto,kemi dhe Matrializmin qe po e vret cdo dite e me teper shoqerin Shqiptare,gje qe ka sjelle ne Shkaterrimin Total te Vlerave Shoqerore.Nje femer ne Shqiperine Tone nuk e ka me problem fare kur ndahet nga nje djale,tak-tak gjen tjetrin,per te mos thene pastaj qe nje pjese e mire e femrave ne TR kane dhe me shume se 1 ose 2 Dashnore.Dhe ky eshte vetem Fillimi

Një tjetër komentues përforcon idenë e të parit nën të njëjtën notë:

Shoqeria Shqiptare ka plot 20 vjet qe nuk ka me as nje veti qe kishin prinderit e gjysherit tane ! Mbi te gjitha,nuk ka me TURP! Brezat e lindur mbas 1990 nuk e kane as me te degjuar prej prinderve te tyre se çdo te thote fjala Turp e as te jetosh me Ndere!

Thua ata dhe unë të kenë lexuar ndonjë shkrim tjetër padashur? Është një gjuhë e thjeshtë dhe një logjikë pak a shumë transparente ajo e shkrimit: nuk duhet dënuar individi dhe as gruaja, por sistemi. Arsyeja pse këta lexues tjetërsojnë me entuziazëm mesazhin, është se, në shkrim, ata shohin atë që njohin në botën e vet. E vetmja pikë në shkrim me të cilën mund të lidhen, janë ato elemente që reflektojnë sistemin e vlerave patriarkale të turpit e nderit (në kuptimin e ngushtë të fjalës) që është shkopi mashkullor me të cilin i është rënë kokës historikisht gruas që ka tendencën natyrore të bëjë turpe; ky patriarkalizëm dhe fryma antigrua është ajo që kanë brenda, që kërkojnë jashtë vetes, dhe, që pa dyshim, e gjejnë: pra gruaja e ka fajin, gratë janë të shthurura, gratë dredhin bishtin, pispillosen e zhgërryhen që të kenë dashnorë, gratë shkojnë me shumë dashnorë dhe aq u bën kur ndahen me një djalë Dhe gjuha e urrejtjes që qartësisht ka shënjestër veç gruan (djali e burri këtu janë viktima të matrializmit, siç thotë komentuesi, e vuajnë nën robërinë e grave apo të dashurave të tyre që kanë aq e aq dashnorë), përfundon me retiçencën e frikës nga djalli-grua: Prisni e do shihni se çfarë do ju bëjnë gratë së shpejti. Linçimi që ato po u bëjnë burrave, si dhe vlerave tona shoqërore, veç sa ka nisur! Atëherë, çfarë prisni, o burra? Vërsuljuni e shkatërrojeni gruan, kalanë që gjeneron antivlerat në Shqipërinë e burrave të urtë! Mos i lini nam e nishan asnjë gruaje, mamaje, a fëmije femër! Ato kanë

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›