Çifti kryeministror feston “Shën Valentinin” në ditëlindjen e mbesave
Kryeministri Berisha ka zgjedhur ditën e “Shën Valentinit” për të festuar ditëlindjen e dy mbesave të tij, Amlës dhe Dalilës. Kryeministri Berisha së bashku me bashkëshorten, Liri Berisha, iu bashkuan sot gëzimit të Amlës, e cila mbushi 7 vjeç dhe të Dalilës, e cila, ndonëse mbushi 10 vjeç vetëm pak ditë më parë, dëshiroi ta festonte atë së bashku me Amlën në Ditën e Shën Valentinit.
Në një atmosferë të hareshme, Amla dhe Dalila morën urimet më të bukura nga familja, mësuesit dhe shokët e shoqet, nxënës të klasës së parë dhe të katërt të shkollës Kosova, ku ato ndjekin mësimet.
Një përjetim i veçantë ishte edhe urimi i Zotit Berisha për to, të cilat kanë një lidhje të veçantë me gjyshin e tyre. Duke u larguar për pak nga angazhimet zyrtare për t`i bërë vend këtij gëzimi familjar, Zoti Berisha u ka uruar mbesave këtë ditë të shënuar për to, e cila, theksoi zoti Berisha, përkon edhe me një ditë të bukur që i dedikohet dashurisë, dashurisë për prindërit, dashurisë për shokët, dashurisë për njëri-tjetrin.