E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çikago - Sali Berisha takim me një përfaqësi vendore të komunitetit shqiptar

22-05-2012 / Gazeta 55

Shqipëria ngjall një interes të madh për biznesin ndërkombëtar

Kryeministri Sali Berisha, i cili mbylli dje vizitën në Çikago, ku mori pjesë në Samitin e 25 të NATO-s, pati një takim me një përfaqësi të komunitetit shqiptar që jeton në Çikago, Ilinois. Kryetari i komunitetit shqiptaro-amerikan në Çikago në emër të këtij komuniteti i uroi mirëseardhjen kryeministrit  Berisha dhe shprehu kënaqësinë për këtë vizitë të tij.
Kryeministri Berisha i falënderoi ata për këtë pritje vëllazërorë dhe shprehu nderimin për ta dhe për të gjithë shqiptarët që jetojnë në Çikago, për punën e shkëlqyer që ata bëjnë si dhe reputacionin shumë të mirë që kanë krijuar.  Kryeministri theksoi se roli i diasporës është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që janë.
“Pas çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës, detyra më madhore e kombit është të bëhet një komb i zhvilluar, Shqipëria dhe  Kosova vende të zhvilluara. Jashtë këtij interesi shqiptarët nuk do të mund të zhvillojnë idealet e tyre”, u shpreh Kryeministri, Berisha.
Sipas tij, Shqipëria ka bërë hapa gjigandë gjatë dy dekadave të fundit.
“20 vjet më parë Shqipëria renditej në vendin e tretë më të varfër pas Angolës dhe Ugandës. Sot Shqipëria renditet në grupin e vendeve me të ardhura të mesme, të larta. Sot, Shqipëria, edhe pse në kohë krize, ka ngjallur një interes shumë të madh në shumë aspekte për biznesin ndërkombëtar. Kulmi i krizës globale nuk e zhyti Shqipërinë në recesion. Kriza pati ndikim, por vendi ruajti rritjen ekonomike”, theksoi kreu i qeverisë.
Kryeministri vuri në dukje se rritja ekonomike në Shqipëri është vendimtare si për të investuar në burime njerëzore, ashtu edhe për të zhvilluar një infrastrukturë moderne.
Ai vlerësoi gjithashtu se rritja ekonomike bën të mundur të shfrytëzohen potencialet e mëdha që vendi ka si dhe tërheqjen e turistëve nga e gjithë bota.
Kryeministri më pas bëri një ekspoze të reformave të ndërmarra dhe të arritjeve që Shqipëria ka bërë në shumë fusha si në infrastrukturë, energji, arsim, teknologjinë e informacionit, bujqësi, shëndetësi etj.
Kryetari i komunitetit shqiptaro-amerikan e falënderoi kryeministrin për këtë ekspoze dhe e përgëzuan kryeministrin për punën arritjet që Shqipëria ka bërë gjatë viteve të fundit.
Ata shprehën dëshirën për të thelluar dhe intensifikuar bashkëpunimin institucional me Shqipërinë, duke theksuar faktin se në Ilinois jetojnë rreth 60 mijë shqiptarë me origjine nga të gjitha trojet shqiptare.
Gjithashtu, kjo përfaqësi shprehu dëshirën për të qenë pjesë e kremtimeve për 100 vjetorin e pavarësisë së vendit. Kryeministri Berisha theksoi se do të bëjë gjithçka për institucionalizimin e raporteve me këtë komunitet të rëndësishëm si dhe shprehu kënaqësinë që komuniteti i Çikagos të jetë pjesë aktive e festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›