E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilir Meta: “Integrimi, Shqipëria është në rrugën e duhur”

22-05-2012 / Gazeta 55

Kreu i LSI-së Ilir Meta ka deklaruar se Shqipëria është në rrugën e duhur drejt Bashkimit Europian, por duhet të ecë më shpejt drejt reformave. Duke folur në konventën e LGI për qarkun e Lezhës, Meta ka theksuar se LSI-ja ka dhënë kontribut maksimal për reformat e përafrimit me BE-në. Ai ka theksuar më tej se në një Ballkan të trazuar, stabiliteti i Shqipërisë është i domosdoshëm. “Ne kemi dhënë kontributin tonë maksimal për liberalizimin e vizave, ashtu sikurse shqiptarët kanë treguar, në mënyrën më të mrekullueshme, që janë qytetarë, që jo vetëm kërkojnë të drejtat e tyre si qytetarë europian, por dinë të mbajnë mbi supet e tyre edhe detyrimet si qytetarë të tillë. Ndaj ne jemi të vendosur për t’i shërbyer integrimit evropian të Shqipërisë”, u shpreh Meta.
Kreu i LSI-së kërkoi përshpejtimin e reformave, për të mos vënë në pikëpyetje integrimin e vendit në BE. “Edhe disa zgjedhje të fundit që janë zhvilluar kanë sjellë disa pikëpyetje mbi perspektivën evropiane dhe mbi shpejtësinë e kësaj perspektive edhe për vende të rajonit tonë. Unë dua të theksoj rëndësinë që ka për Shqipërinë dhe për shqiptarët kudo në rajon ecuria e shpejtësisë dhe e integrimit evropian. Sepse nuk ka një projekt tjetër alternativ ndaj këtij projekti të integrimit, i cili forcon paqen në rajon, forcon stabilitetin e këtij rajoni, e mban larg nga konfliktet etnike, nga konfliktet fetare”, tha kreu i LSI-së.

Cili është komenti juaj në lidhje me reformën zgjedhore? Jeni i mendimit se do të përfundojë në kohë?
Reforma zgjedhore duhet të kishte përfunduar. Është drejt skadencës afati shtesë. Nuk duhet çuar çështja tek penalltitë sepse rrezikohet shumë. Kjo do të thotë se mos aprovimi brenda 24 majit i reformës zgjedhore mund të ketë konsekuenca tepër kritike për çështjen e statusit të vendit kandidat.

Ju jeni shprehur se Presidenti është mirë që të zgjidhet që në raundin e parë. Kjo do të thotë që nuk do të jetë i mazhorancës?
Kjo do të thotë se kërkohet një konsensus sa më i gjerë. Duhet të kemi në konsideratë se procesi i integrimit evropian, i cili është shumë e rëndësishme që të vijojë me ritmin e duhur, patjetër që kërkon një proces konstruktiv për zgjidhjen e çështjes së Presidentit ashtu sikurse kërkon që pas inaugurimit të Presidentit të vazhdojnë reformat. Pra nuk bëhet fjalë për një vend pune për cilindo qoftë por bëhet fjalë për një institucion i cili duhet të funksionojë me kapacitet të plotë sepse reformat që kërkon vazhdimi i këtij procesi dhe marrja e statusit të vendit kandidat që nuk mjaftohet vetëm me tre kërkesat që ne kemi artikuluar, reforma zgjedhore, reforma parlamentare dhe çështja e zgjidhjes së imunitetit, por janë edhe shumë elementë të tjerë. Duhet të vazhdojnë këto reforma edhe pas zgjedhjes së Presidentit të ri.

Cila do jetë “loja” e LSI-së për zgjedhjen e Presidentit të ri?
Ne e kemi bërë të qartë se synojmë t’i shërbejmë ndërtimit të një procesi sa më konstruktiv e sa më konsensual. Natyrisht ne nuk jemi aktorët e vetëm. Ne jemi modest për mundësitë që ne kemi për të kontribuar në këtë proces por absolutisht që jemi më të ndërgjegjshëm. Jam i bindur më shumë se të gjithë aktorët e tjerë për rëndësinë që ka progresi i vendit. Sidomos në këto momente kur vendet e rajonit kanë treguar se forcat proeuropiane kanë marrë edhe goditje. Është shumë e rëndësishme që ne të tregojmë se projekti evropian i Shqipërisë vazhdon me një vendosmëri edhe më të madhe se më parë sepse është një projekt që është në interesin jo vetëm të të gjithë shqiptarëve në Shqipëri por të të gjithë shqiptarëve në rajon.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›