Çili nuk gjen rehat, ndryshon përsëri modelin e flokëve
Tani është bjonde, ashtu siç e kemi parë tek klipi “Falma ti falma” ndërkohë që ka eksperimentuar pa fund me flokun e saj. Kur doli vjet tek “Kënga magjike” me “Duty free” të gjithë u çuditën sesi Çiljeta kishte marrë guximin të presë flokët dhe t’i bëjë ato platin. Një model aspak seksi por shumë sportiv. Nuk zgjati shumë kur u shfaq në një klip tjetër me flokët pis të zeza të cilat për hir të së vërtetës i shkonin më shumë. Por të gjithë e dimë se flokët e shkurtra nuk të lënë shumë mundësi për stilime, kështu që vera e gjeti Çilin me flokë të gjatë, të zeza sterr. Me këtë model flokësh e kemi parë ne setin e fotografive që paparaci ynë realizoi këtë verë në Dhërmi me këngëtaren. Por vetëm dy ditë më parë vjen surprizë e rradhës. Çiljeta ka bërë përsëri flokët me fije të verdha dhe në fakt nga të gjitha modelet që na ka treguar deri tani, ky i shkon më shumë.