Çitaku: Kushtet janë plotësuar, presim udhërrëfyesin
Gjatë takimit me komisionerin Fule janë diskutuar hapat e radhës në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave dhe negocimit të marrëveshjes tregtare.
Ministrja Vlora Çitaku dhe kryetari i Komisionit për Integrim Evropian, Lutfi Haziri, informuan komisionerin Fule lidhur me hapat e ndërmarrë nga ana e institucioneve për adresimin e Raportit të Progresit.
Diskutim i frytshëm, sipas Zyrës për Informim të Ministrisë së Integrimit Evropian, është zhvilluar mbi procesin e bashkëpunimit rajonal, njohjes nga pesë vendet anëtare të BE-së dhe themelimit të marrëdhënieve kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Ministrja Çitaku ka shprehur bindjen e Qeverisë se të gjitha parakushtet për fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave janë plotësuar.
Kurse komisioneri Stefan Fule lavdëroj punën e institucioneve në fushën e liberalizimit të vizave, gjegjësisht të ri-integrimit të personave të riatdhesuar, dhe njëkohësisht ftoj institucionet e Kosovës të vazhdojnë me rezultatet e treguara deri tani.
Komisioneri thuhet se ka nënvizuar se agjenda Evropiane e Kosovës duhet të konkretizohet me procesin e liberalizimit të vizave dhe në këtë drejtim pret përkrahjen edhe të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Ndërkaq gjatë takimit me deputeten Doris Pack dhe ambasadorin Pieter de Gooijer, janë diskutuar çështjet e bashkëpunimit rajonal, procesi i liberalizimit të vizave dhe të tjera.
Gjatë ditës së nesërme ministrja Çitaku do të jetë paneliste e samitit “Balkans Scorecard”. Po ashtu, Çitaku do të zhvillojë edhe takime me zëvendëspresidenten e Parlamentit Evropian, Diana Wallis dhe deputetë të Parlamentit Evropian, si Eduard Kukan dhe Ulrike Lunachek. /kp/