E Diel, 1 Nëntor 2026

Çitaku: Nuk kemi kapacitete të mjaftueshme

Pyetësori i Studimit të Fizibilitetit vetëm ka filluar ta vë në pah mungesën e kapaciteteve të institucioneve të vendit në përmbushjen e këtij pyetësori. Kjo pranohet edhe nga zyrtarët e institucioneve të vendit, të cilët vlerësojnë se duhet të krijohen kapacitete për t’u përmbushur legjislacioni i Kosovës me atë të Bashkimit Evropian.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, në mbledhjen e kabinetit qeveritar, të hënën, ka prezantuar projekt-propozimin për vlerësimin e kapaciteteve të zyrave ligjore dhe të departamenteve të integrimit evropian dhe të politikave me synim të forcimit të kapaciteteve për t’u përballur me proceset integruese në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe procesit të liberalizimit të vizave.

Sipas saj, Pyetësori i Studimit të Fizibilitetit ka nxjerrë në pah mungesën e kapaciteteve të Kosovës.

"Pyetësori i Studimit të Fizibilitetit dhe së fundmi procesi i liberalizimit të vizave kanë vënë në pah mungesë të konsiderueshme të kapaciteteve njerëzore të administratës qendrore në fushën e krijimit dhe implementimit të politikave veçanërisht të përafrimit të legjislacionit vendor me legjislacionin evropian dhe si monitorimin e implementimit të legjislacionit. Konstatimi i përgjithshëm është që institucionet vendore duhet të përforcojnë kapacitetet njerëzore për t’u përballur me proceset e integrimit evropian”, ka theksuar ministrja Çitaku.

Njëra ndër çështjet në pyetësor parashihet edhe reforma e administratës publike.

Ndryshe, në mbledhjen e kabinetit qeveritar sot është miratuar Projektligji për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës dhe Propozim-vendimi për themelimin e komisionit për hartimin e studimit ekonomik dhe socio-ekonomik të autostradës Prishtinë - Hani Elezit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›