E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çka dhe pse: SHIK



Ajo kohë të kujton vetëm Luftën Nacional-Çlirimtare, por tani jo më. Ndonëse mes plumbave, njerëzia jetonte. Ishte viti 1944 dhe siç është lajmëruar ky vit, dhe pikërisht 17 nëntori, përkon dhe me “Çlirimin” e Tiranës. Atmosfera festive rikthen pak dhe mbresën e diktaturës, ku dihej si ngrihej kryeqyteti në këmbë gjatë atyre viteve - por në Bibliotekën Kombëtare nuk besojmë se është sindromë e këtij perceptimi. Gjithsesi, është cilësuar se po festohet në një ekspozitë 65-vjetori i Çlirimit të Tiranës, dhe viti ’44 paraqitet me një jetë të brendshme kombëtare krejt të paimagjinueshme

Viti ’44, ja se çfarë shkruante një e përditshme: “Ndëgjojmë përdita fraza si këto: Filani ka një paraqitje shumë shik; këjo grua vishet shumë shik; këjo gjë nuk është shik. Kuptimi i tyre është ky: Filani ka një paraqitje shumë të kënaqshme shumë të kënaqshme; këjo grua vishet me shumëelegancë, këjo gjë nuk ësht’ e bukur, nuk është elegant etj. Me një fjalë shik do të thotë mënyrë e mbaruar, përsosmëni, elegancë, ose të gjitha këto bashkë.

Thonë se më parë fjala përdoreshe për mjeshtrin’ e pikturës dhe pastaj u - zgjerua në veshjen, në sjelljet etj.

Origjina e fjalës duket se është frënge e prandaj shkrimi i saj origjinal është chic. Por etimologjia zyrtare e fjalës, ajo të paktën që jep Larousse-i i shekullit të XX, nuk duket bindëse. Thotë Laurousse-i se chic rjeth nga fjala chicane. Por chicane është interpretimi dredharak i ligjeve, që bëjnë avokatët, janë pelivanllakët me të cilat avokatët mundohen t’interpretojnë ligjën në mënyrën q’i intereson klientit të tyre. Ky nuk ka qenë kurrë kuptimi i fjalës chic.

Kam kënduar dikur një etimologji tjetër, që, në qoftë se nuk është shkencërisht ekzakte, është së paku, mjaft romantike dhe e vlen mundimin që ta tregojmë.

Na ishte një piktor engles që jepte mësime pikture. Kishte shumë nxënës, midis të cilëve ishte dhe një frances i ri, që quhesh Chicque dhe dallohesh midis gjith shokëve të tij për guston e hollë dhe për elegancën e vijës. Mjeshtëri i shprehte admirimin e tij dhe kur ndonjë tjetër nxënës bënte ndonjë pikturë të bukur, si ato të Chique-ut, mjeshtëri theshte: “bravo, ja një vepër Chicque, është Chicque” d.m.th është një vepër që mund të krahasohet pa frikë me ato të francezit të ri, një vepër e bukur.

Chicque vdiq në moshë shumë të re. Vdekja e tij hidhëroi shokët e tij, por më shumë mjeshtëri e kujtonte gjithmonë dhe kur bënte kritikë mbi veprat e nxënësve, theshte: “Është Chicque, ose nuk është Chicque”.

Nxënësat, kur u larguan prej mjeshtërit, vazhduan ta përdorin dhe ata atë shprehje për të cilësuar një pikturë si të bërë me mjeshtëri të hollë. Më vonë u hoq dhe pjesa e dytë e emërit, dhe mbeti vetëm Chic, dhe pastaj u përgjithësua kuptimi tue u harruar dhe emri i piktorit të ri. Më von prej frëngjishtes kaloi dhe në gjuhët e tjera, tue e bërë fjalë internacionale”.

***

Në panoramën e mësipërme nuk ka atmosferë lufte dhe pse bëhet fjalë për 1944. Ajo kohë të kujton vetëm Luftën Nacional-Çlirimtare, por tani jo më. Ndonëse mes plumbave, njerëzia jetonte. Ishte viti 1944, dhe siç është lajmëruar ky vit, dhe pikërisht 17 nëntori, përkon dhe me “Çlirimin” e Tiranës. Atmosfera festive rikthen pak dhe mbresën e diktaturës, ku dihej si ngrihej kryeqyteti në këmbë gjatë atyre viteve - por në Bibliotekën Kombëtare nuk besojmë se është sindromë e këtij perceptimi. Gjithsesi, është cilësuar se po festohet në një ekspozitë 65-vjetori i Çlirimit të Tiranës dhe viti ’44 paraqitet me një jetë të brendshme kombëtare krejt të paimagjinueshme. Ishte vit që nuk e përfaqëson vetëm lufta, por edhe romantizmi i jetës, një fare ideali kryeqytetas për të qenë sharmantë dhe elitarë. Një element me rëndësi dhe i përhapur ishte edhe mënyra e të veshurit, e “shitja” e saj tek të tjerët, tanimë për të parën herë vjen si këndvështrim i ri i përçimit në ekspozitë. Ajo titullohet “Chic dhe luftë 1944”. Shef i Sektorit të Bibliografisë, Maksim Gjinaj, shpjegon rëndësinë e kësaj tendence në ekspozitë, duke shfrytëzuar të gjithë librat, revistat, apo postera të ndryshëm si realizmi i atij viti. Ai e vlerëson me rëndësi këtë aktivitet, me qëllim ndërrimin e psikologjisë së njerëzve për ‘44-ën. Se atëherë nuk bëhej vetëm luftë...

Mbrëmë u hap ekspozita “Chic dhe luftë” në Bibliotekën Kombëtare...

Ekspozita “Chic dhe luftë” organizohet në kuadër të 65-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë. Në bibliotekën Kombëtare, për të dëshmuar sa më mirë këtë ekspozitë, vendin kryesor pa dyshim e zë libri i asaj kohe. Ne kemi menduar që duke qenë viti 1944, viti i çlirimit, ne menduam që të dalim fillimisht me botimet e realizuara në Shqipëri pikërisht gjatë këtij viti. Janë pjesët më të rëndësishme të zgjedhura, si dhe të larmishme në të njëjtën kohë.

Pse ekspozita është titulluar “Chic dhe luftë”?

Ne kemi menduar që dalim paksa nga tradita e krijuar deri tani sa herë që përkujtohet Festa e Çlirimit. Ai konsiderohet si një aktivitet që vihet vetëm në shërbim të përkujtimit të luftës. Për këtë ne duam të sjellim idenë që viti 1944 si çdo vit tjetër, kudo si në Shqipëri, ashtu edhe nëpër botë i ka kaluar të gjithë elementët e jetës. Pra ka edhe të përbashkëtat, por edhe kontrastet. Nëpërmjet ekspozitës tregohet se vërtet kishte luftë, por në të njëjtën kohë zhvillohej edhe jeta nëpërmjet elementëve të ndryshëm njerëzorë. Pas librave të kësaj kohe, publikojmë edhe faktin se brenda revistave që janë në fondin e Bibliotekës Kombëtare ndodhet edhe jeta. Madje, formohet kontrasti mes luftës dhe chic që ka të bëjë me mënyrën e të veshurit, tendencat e tyre në atë kohë. Nëpërmjet prezantimit të modës, të reklamave të kohës që janë nga më të ndryshmet që nga shitja e romancave e deri tek pajisjet për radion, instrumentet e ndryshme, veshjen ashtu edhe për reklama të tjera të kohës të luftës dhe të paqes.

Si do ta vlerësonin ju trajtimin e ekspozitës duke e parë në këtë këndvështrim, pra ju nuk kujtoni vetëm luftën e pasojat e saj?

Do ta quaja krejt normale që duhet të ishte fokusuar prej kohësh. Është diçka e re, por me kalimin e kohës do të jetë prezente edhe në psikologjinë e njerëzve. Ashtu siç jemi sot, me jetën politike, ekonomike, kulturore etj., ashtu siç janë zhvilluar gjatë viteve të tjera të kaluara. Janë prezent me dallimet mes tyre në varësi të viteve por të gjithë elementët janë vënë në dukje. Por asnjëherë një gjë e tillë nuk është ekspozuar. Edhe krijimet për Hitlerin dhe vetë librin e tij në gjermanisht “Lufta ime” janë në fondin e bibliotekës, për të treguar këtë kontrast të jetës. Kemi Hitlerin, por edhe historinë komuniste të Shqipërisë bashkë me literaturën e saj, Stalinin po ashtu, literatura të organizatave të partisë nacionaliste etj., pra këta komponentë njëkohësisht kundërshtojnë njëri-tjetrin, por edhe bashkëjetojnë.

A ka vepra që janë ekspozuar për herë të parë në kuadër të kësaj ngjarjeje?

Në bibliotekë vepra nuk mjafton të ekspozohet vetëm në vitrinë. Prej kohësh ajo është e ekspozuar, pra që në momentin që bëhet pjesë e fondit të bibliotekës. Përmes skedës, burime të tjera të informimit, katalogëve, bibliografive që ne kemi dhe hartojmë vazhdimisht, vepra është në një farë mënyre e ekspozuar me sy të lirë. Nuk mund të themi që këta libra ekspozohen për herë të parë, pasi dikur një prej këtyre librave ka qenë një herë e kurdo në duar të njerëzve, të lexuesve. Madje ne na kënaq fakti kur një libër duket i vjetër. Kjo tregon se ai libër është lexuar shumë.

Në këtë ekspozitë vërej që femrës i është kushtuar një hapësirë të konsiderueshme. Pse kaq rozë, cili është roli i saj në këtë rast?

Mban rolin që i kanë dhënë krijuesit e asaj kohe. Femra është shumë e pranishme, përveç librit, edhe nëpërmjet reklamave. Edhe në reklamat e sotme nëse do t’i shikojmë me një sy analitik kuptohet se femra është shumë herë më e pranishme sesa meshkujt. Kjo dëshmon se jeta në esencë është e njëjtë, por ndryshon vetëm elementi “kohë”.

Në fletëpalosje shikojmë dy paradokse, promocionin e shtëpisë botonjëse “Kristo Luarasi” si dhe femrat shik. Çfarë konteksti historik merr kjo tablo e kohës?

Në reklamat e ekspozuara shikojmë të pranishme dy gjëra. Ka reklama thjesht shqiptare, kryesisht promocion që ka të bëjë me veprimtarinë prodhuese siç është ajo e shtëpisë botuese “Kristo Luarasi”, apo ato të librarive “Lumo Skëndo” etj., janë shumë shqiptare. Veç kësaj janë të pranishme edhe reklama të huaja, ilustrime nga literatura e huaj e gjendur në libra, revista, gjë që do të thotë se jeta vazhdonte jo thjesht për hir të jetesës, por shqiptarët me sa duket ndonëse në gjendje lufte ishin të integruar sa i përket informacionit, leximit edhe me botën e huaj. Në ekspozitë që në hyrje kemi një gravurë nga Sadik Kaceli, pjesë e marrë nga libri “Lule dhe gjemba”, në të cilën simbolizon femrën shqiptare mes gjendjes së luftës dhe të mjerimit. Nuk duhet të harrojmë se sido që të ishte jeta, në të njëjtën kohë mbizotëronte edhe lufta.

Shikoj edhe postera sërish me praninë e femrës, por që nuk shkruhen shqip, por anglisht, rusisht...

Po, ato janë pjesë e kulturës shqiptare. Konsiderohet pjesë e kulturës dhe jetës, realitetit të së asaj kohe, tashmë në fondin e bibliotekës. Plotësonte përgjithësisht jetën tregtare, kulturore, e të gjitha aspektet e jetës. Ne mburremi për faktin që ky institucion mbart një pasuri shumë të madhe.

Për rëndësinë e ekspozitës, çfarë mund të themi?

Rëndësia e ekspozitës qëndron në tentimin e ndryshimit të momentit psikologjik, pasi ne jemi mësuar që atë kohë ta identifikojmë vetëm me luftën. Kjo e fundit, sigurisht ka pasur rolin më të rëndësishëm, por nuk duhet të harrojmë se njerëzit njëkohësisht edhe kanë jetuar, kanë krijuar, kanë kënduar, kanë qarë, vrarë... e të gjitha aspektet jetësore. Në aspektin e modës kemi marrë pjesën më ekstreme, ashtu siç kemi vepruar edhe me jetën politike, pra luftën. Jo vetëm jeta, por edhe studiues të aspekteve të ndryshme të kësaj jete duhet ta shohin atë në tërësinë e saj, në integrimin e aspekteve të ndryshme të gjithë përbërësve në një unitet.

Intervistoi: Suela Furriku

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›