E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Kulturës dhe Këshilli Kombëtar Studentor, marrëveshje bashkëpunimi



Këshilli Kombëtar Studentor dhe Ministria e Kulturës kanë nënshkruar dje një marrëveshje, e cila parashikon bashkëpunim të dy institucioneve për rritjen e rolit të të rinjve në shoqëri.

Marrëveshja e nënshkruar nga ministri i Kulturës, z. Ferdinand Xhaferri, dhe kryetari i Këshillit Kombëtar Studentor parashikon një sërë risish për studentët. Sipas tekstit të marrëveshjes: “Palët duhet të marrin masat e duhura për të rritur bashkëpunimin në fushën e rinisë dhe të ndihmojnë në zhvillimin e kontakteve direkte, duke u bazuar në parimin e reciprocitetit nëpërmjet rritjes së pjesëmarrjes së studentëve në vendimmarrje dhe në jetën publike; pjesëmarrjes në konferenca ose seminare ndërkombëtare mbi çështjet e rinisë nga KKS; zhvillimit të aktivitete të përbashkëta që përmbushin qëllimet dhe objektivat e MTKRS-së; bashkëpunimit rreth problemeve te studentëve shqiptare dhe zgjidhjet e mundshme; inkurajimit dhe dhënies së asistencës për nismat e përbashkëta të dy palëve për të paraqitur projekte të përbashkëta pranë organizmave ndërkombëtare; çdo aktivitet tjetër bashkëpunues mbi çështjet rinore për të cilat do të bihet dakord nga palët sipas ligjeve përkatëse dhe rregulloreve të secilit vend”.

Marrëveshja parashikon gjithashtu edhe aktivitete që do të ndërmerren në një sërë fushash, si punësimi rinor; pjesëmarrja rinore dhe civile; shkëmbimi i eksperiencave midis strukturave që mbështesin rininë dhe duke inkurajuar pjesëmarrje në to; rinia dhe shëndeti (mbështetja e programeve për eliminimin e alkoolit, varësisë së drogës, HIV/AIDS midis të rinjve); çështjet sociale (diskriminimi dhe margjinalizimi shoqëror, intoleranca, racizmi dhe ksenofobia, etj.); rinia dhe barazia gjinore (mbështetje e mëtejshme për mundësi të barabarta për burrat dhe gratë); rinia dhe mjedisi; rinia dhe koha e lirë; rinia dhe Informacioni (shkëmbimi i pikëpamjeve ndërmjet vendeve bashkëpunuese si network-u, qendra informative dhe format elektronike të informacionit); rinia dhe puna vullnetare e të tjera. Kjo marrëveshje është e para e llojit të vet në vendin tonë.

Ksera: Buxheti më i lartë në vite për mbrojtjen sociale

“Buxheti i vitit të ardhshëm do të jetë më i larti i hartuar ndonjëherë për ndihmën sociale”, - theksoi dje gjatë prezantimit të buxhetit të sektorit që drejton, në Komisionin e Çështjeve Sociale, ministri Spiro Ksera.

Reforma e ndihmës ekonomike është pikësynimi kryesor i ministrisë për vitin e ardhshëm. Në këtë mënyrë, në vitin 2010, nevojat e 98 mijë familjeve që ndodhen nën nivelin e varfërisë, do të mbulohen nga një fond me vlere 5.2 miliardë lekë ose 24% më shumë se fondi i akorduar në vitin 2009. “Ne parashikojmë se nga rritja e nivelit të fondeve dhe kontrolli më i mirë i skemës, edhe masa mesatare e ndihmës ekonomike gjatë vitit të ardhshëm të rritet në nivelin e 24%”.

“Sigurisht, reformimi i skemës së ndihmës ekonomike do të bëjë që në skemë të përfshihen për herë të parë edhe rreth 1500 familje me probleme sociale, si dhe të rritet mbështetja veçanërisht për familje në varfëri ekstreme”, - tha ministri.

Procesi i dixhitalizimit të shërbimeve është një zë tjetër i veçantë në buxhet. “Vëmendja jonë gjatë vitit 2010 do të përqendrohet në informatizimin e të gjithë sistemit të Ministrisë së Punës, ku shërbimet do të kenë prioritet. Informatizimi i sistemit do të realizohet nëpërmjet një fondi prej 80 milionë lekësh, një pjesë e të cilit do të mbulohet nga donacionet dhe pjesa tjetër nga buxheti i shtetit. Ne parashikojmë se me realizmin e informatizimit të shërbimeve, do të rritet cilësia e tyre dhe do të ulet informaliteti. Po ashtu, informatizimi i të gjithë sistemit do të bëjë të mundur që të gjitha strukturat të arrijnë të komunikojnë online për realizmin në kohë sa më të shkurtër të shërbimeve për publikun”, - theksoi ministri Ksera.

Një tjetër përqendrim i forcave të ministrisë do të jetë formimi profesional. Sipas ministrit: “Për vitin 2010, në planifikimin e fondit për shpenzime është pasur parasysh numri i të trajnuarve të programuar, rreth 3.300 dhe rritja e numrit të të punësuarve pas përfundimit të trajnimit”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›