E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çka po ndodh në Prishtinë?

Sigal Prishtina po ballafaqohet me disa telashe të mëdha teksa udhëheqja aktuale nuk po arrin ende ta këndell klubin nga borxhet e mëdha, të trashëguara nga ish-Kryesia. Tashmë ka filluar të flitet se për këtë arsye klubi mund të shuhet. Megjithatë, drejtori aktual i bardhekaltërve, beson se Kuvendi i klubit do t’i zgjidhë problemet në mënyrën më të mirë të mundshme. Nga Valon Konushevci më 19 shtator 2011 në ora 12:08

Sigal Prishtina është në telashe të mëdha, pasi shuma e madhe e borxheve mund të ndikoj në shuarjen e klubit më të suksesshëm në basketbollin kosovar.

Në fakt, kryesia aktuale e klubit bardhekaltër po ballafaqohet me një sfidë të vështirë. Atyre u ka dalë një punë e padëshiruar, pasi u kanë mbetur mbi kokë disa borxhe goxha të mëdha të trashëguara nga ish-Kryesia e kësaj skuadre prej edicionit 2003/2004, kur klubi kishte emrin KB Prishtina.

Burime të besueshme të gazetës Express bëjnë të ditur se me vendimin e gjykatës, bardhekaltrit duhet t’i shlyejnë rreth 100 mijë euro borxh ndaj një ish-zyrtari dhe dy ish-basketbollistëve, të cilët kishin bërë ‘boom’ në basketbollin kosovar me fanellën bardhekaltër.

Se Kryesia e Sigal Prishtinës po ballafaqohet me borxhet e trashëguara nga ish-Kryesia e klubit e konfirmon edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të kryeqytetasve, Artan Rugova.

“Sikurse shumë klube të botës demokratike, edhe Sigal Prishtina mund të ketë borxhe. Unë mund të konfirmoj se prej shtatorit të vitit 2010, prej kur unë jam pjesë e Sigal Prishtinës, gjithçka ka shkuar perfekt. Por, kur kam ardhur në klub, i kam parë disa dokumente në të cilat figurohen disa borxhe të trashëguara nga ish-Kryesia e klubit”, deklaroi Rugova për Express.

Sipas disa burimeve të tjera të Expressit, ish-Kryesia e klubit bardhekaltër në atë kohë u kishte mbetur borxh edhe disa menaxherëve të huaj të basketbollistëve. “Meqenëse ata menaxherë nuk kanë mundur t’i marrin paratë, ata e kanë paraqitur rastin në FIBA. Dhe, në momentin e pranimit të Kosovës në FIBA, Sigal Prishtina nuk do të lejohet të garojë në gara ndërkombëtare, pa i kryer fillimisht borxhet ndaj atyre menaxherëve”, thotë një burim, mirë i informuar.

Ky fakt ka ndikuar që tani nëpër kryeqytet të flitet se për shkak të këtyre borxheve, Sigal Prishtina vështirë se do t’i shpëtoj shuarjes.

Madje, edhe në rrjetin social të internetit, Facebook, tifozët prishtinas kanë shprehur shqetësimet e tyre, duke shkruar: “Shuhet Prishtina dhe formohet një klub i ri me emrin BC Prishtina, e cila do të garojë në ligën e dytë...”.

Por, Artan Rugova thotë se në një të ardhme të afërt, Sigal Prishtina do ta mbajë Kuvendin e saj, duke dhënë shenja se Kryesia aktuale është e interesuar ta mirëmbajë Sigal Prishtinën.

“Unë nuk e di se çka flitet nëpër qytet, apo në Facebook. Por, konfirmoj se do ta mbajmë mbledhjen e Kuvendin, ku do ta zgjedhim kryetarin e klubit. Aty do të diskutohet dhe sigurisht se do të gjendet ndonjë zgjidhje për kapërcimin e kësaj situate. Kuvendarët janë ata që marrin vendime. Nuk ka nevojë për shqetësime, sepse jemi të bindur se do t’ia dalim mbarë. Do ta marrim një vendim më të mirin”, u shpreh Rugova, i cili tregoi se klubi i tij ka vazhduar kontratën e bashkëpunimit me disa sponsorë që i kishte edhe në sezonin e kaluar, duke përfshirë sponsorin kryesor, Sigalin.

Viteve të fundit, të gjitha klubet kosovare të basketbollit po përjetojnë krizë të madhe financiare, derisa Sigal Prishtina ishte më e organizuara, dhe si rezultat i kësaj, bardhekaltrit ishin të pakonkurrentë në elitën e basketbollit kosovar. “Edhe në sezonin e ri jemi të përkushtuar të luftojmë për titull të kampionit dhe Kupën e Kosovës. Jemi duke i zhvilluar edhe disa ndeshje miqësore me ekipe të rajonit, me qëllim që të përgatitemi për arenën ndërkombëtare”, përfundoi Rugova.

Prishtina ndahet me Mazrekun

Derisa Kryesia e klubit po ballafaqohet me disa borxhe, sipas Artan Rugovës, ekipi i Sigal Prishtinës po vazhdon në qetësi përgatitjet për edicionin e ri. Ai tregoi se qendra, Blerim Mazreku, në sezonin e ri nuk do të jetë pjesë e bardhekaltërve. “E kemi ndërprerë aventurën me Blerim Mazrekun. Ne e falënderojmë Mazrekun për kontributin e tij dhënë për fanellën tonë dhe i urojmë suksese në karrierën e tij”, u shpreh ushtruesi i detyrës së drejtorit, Artan Rugova.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›