E Shtunë, 31 Tetor 2026

ǒkodimi i 100 shpatave filloi



Qysh prej vitit ’70-të, asnjë shpatë dekorative me mbishkrime orientale, që gjenden në të gjitha muzetë e Shqipërisë, nuk është restauruar. Për herë të parë, mbi 100 shpata sapo kanë hyrë në laboratorin e restaurimit. Shefi i laboratorit të konservimit dhe arkeometrisë, Frederik Stamata, bën të ditur se ndërmendja kaq e vonë kishte arsye mungesën e eksperiencës, ndërsa tani shprehet i sigurt se ka fituar eksperiencën e duhur për të nisur ndërhyrjen e parë për nxjerrjen nga ndryshku, si dhe për të shpëtuar nga dëmtimet shpatat, po ashtu të realizojë edhe deshifrimin e tyre. Stamati na jep konkluzionet e para

Mbi 100 shpata dekorative të gjendura në territorin e Shqipërisë kanë hyrë në laborator dhe pritet të restaurohen së bashku me deshifrimin e mbishkrimeve që ndodhen mbi to. Puna me restaurimin e këtyre shpatave, të cilat i përkasin fondit etnografik të Qendrës së Kërkimeve Albanologjike ka filluar bashkë me ndjekjen e tyre edhe nëpër muze ose koleksionet private të Shqipërisë. Sipas shefit të laboratorit të konservimit dhe arkeometrisë, Frederik Stamati, kjo është një iniciativë e përshtatshme pikërisht gjatë kësaj kohe, për shkak të akumulimit të një eksperience më të plotë dhe pajisjes së laboratorit me mjete më të plota dhe të sofistikuara.

“Trajtimi i shpatave ka filluar për herë të parë në vitet ‘70, por e ndërpreva për shkak se nuk kisha eksperiencën e duhur për të punuar në shkrimet apo dekoracionet prej argjendi dhe ari të shpatave. Në 1980, u filluan përsëri punimet duke i sjellë shpatat në Muzeun Historik Kombëtar. Pas disa ndërhyrjesh u detyruam të ndërprisnim punën, pasi sërish nuk kishim njohuritë dhe praktikën e duhur për të përballuar punën. Kështu para rreth gjashtë vjetëve kam filluar restaurimin e pjesës tjetër të shpatave, pasi mendoj se tashmë jam i pajisur me eksperiencën profesionale, po ashtu edhe me mjete më të avancuara pune”, - shprehet Stamati.

Ai tregon se gjatë kësaj periudhe ndërhyrjeje janë restauruar fillimisht vetëm ato shpata që janë të pajisura me mbishkrime dhe janë më të predispozuara që këto shënime që mbartin vlera historike të rrezikohen. Gjithsej janë grumbulluar mbi 100 shpata të motiveve të dekoracionit, jo ato luftarake, për t’u restauruar, ndërsa thotë se deri tani vetëm 20 prej tyre e kanë kaluar këtë proces. Ai ka evidentuar një sërë elementesh të shpatave ku nëpërmjet tyre ai konstaton: “Tipe të shpatave, periudhën se kur i përkasin edhe pse disa prej këtyre shpatave kanë të shënuara edhe vitin e prodhimit, millin (këllëfin), pjesët e sajuara të shpatës, restaurimet e tyre gjatë përdorimit të tyre, apo edhe mbathjen e shpatave”. “Kemi kuptuar se kur janë marrë pjesë të ndryshme të katër apo pesë shpatave për të sajuar një të vetme dhe më të plotë”, - thotë Stamati, duke shtuar se “kjo ka qenë një praktikë e kohëve të kaluara për të vepruar, duke qenë se ato ishin shumë të kushtueshme. Kemi dalluar po ashtu edhe shpatat damaskine, ku nëpërmjet një studimi laboratorik që bëmë arritëm t’i restauronim pa prishur strukturën e tyre”.

Deshifrimi

Mbishkrimet e disa prej shpatave të mbledhura janë të shkruara në gjuhën latine dhe greke, ndërsa pjesa tjetër në gjuhën orientale, gjë që e bën të padeshifrueshëm kuptimin që përçojnë. Për t’i ç’dekoduar këto shkrime, sipas Frederik Stamatit, janë të nevojshme njohuri të gjera në fushën e kulturës, gjuhëve, historive të ndryshme, dialekteve, ndërkohë që në Shqipëri nuk mund të gjenden studiues të tillë. Stamati thotë se rastësisht është lidhur me një profesor nga Holanda, i cili ka mundur të përkthejë të gjitha mbishkrime e shpatave që aktualisht janë në proces restaurimi. “Me mbështetjen financiare nga fondacioni “Soros” është mundësuar ardhja e profesor Frederick De Jong, i cili është shefi i katedrës së gjuhëve dhe kulturës orientale në Universitetin e Utristit. Ai më ka ndihmuar që të deshifroja të gjitha shkrimet dhe datat në këto shpata në Shqipëri, si dhe për të parë shpatat në Tiranë, Shkodër, Muzeun Historik Kombëtar, Krujë etj. Ato kërkojnë një tjetër përgatitje kulturore, por në të njëjtën kohë shkrimet edhe kanë evoluar”, - thotë shefi i laboratorit të konservimit dhe arkeometrisë. Stamati bën me dije se aktualisht po shëtit në të gjitha muzeumet e Shqipërisë, me përjashtim të atij të Gjirokastrës. Vështirësia më e madhe për të mbeten shpatat e tipit damaskin, të cilat ai i cilëson shumë delikate. “Për të restauruar një shpatë damaskine m’u deshën muaj vetëm për të bërë të dukshme strukturën damaskine në sipërfaqen e shpatës. Këto janë shpata me shumë vlerë, si historike, ashtu edhe të kushtueshme, pasi një shpatë e këtij lloji në tregun e ankandeve në Londër kushton rreth 200 mijë paund”, - thotë ai, ndërkohë që nuk mungojnë edhe rastet që për një shpatë të vetme ka shpenzuar rreth gjashtë muaj kohë, vetëm për ta restauruar.

Tipet e shpatave

Gjatë këtij procesi, ai ka mundur t’i klasifikojë shpatat në disa lloje tipesh si jatagan, pall, damaskine, të harkuara, perse, që janë të përbëra me motive orientale. Shpata më e vjetër i përket vitit 1510, e cila është konstatuar si shpata e Sulltan Bajezitit, ndërsa viti 1895 shënohet në shpatën më të re. Po ashtu është restauruar edhe shpata e Sulltan Bajezitit II, e cila ka një vlerë prej një milion eurosh, apo deshifrimi i shpatës së Hodo Pashës, që sipas Stamatit, i bie të jetë gjyshi i Hodo Pashës që themeloi Ulqinin dhe Tivarin në 1811. “Në shpatën e tij është e shkruar në gjuhën orientale “Hodo Pasha, oficer i lartë në Shkodër””, - shton Frederik Stamati. Ndërsa në atë kohë, nëse një shpatë e zakonshme tregtohej me katër franga, një shpatë damaskine kushtonte 600 herë më shumë, pra 2400 franga ari.

Investimi

“Një tjetër vështirësi në restaurimin e këtyre shpatave është paraqitur edhe investimi monetar i punës. Shërbimet jam i detyruar që t’i mbuloj nga xhepin im. Në bazë të një llogaritjeje që kisha bërë, konkludova se na duheshin vetëm 110 mijë lekë të reja për udhëtimin në Gjirokastër, pasi do të shfrytëzoja arkivat, filmat, stampimet, postat elektronike, dokumentacionin etj. Për këtë udhëtim jam mbështetur nga drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike, i cili më ka premtuar një shumë financiare sapo fondi të çelet”, - thotë shefi i laboratorit të konservimit dhe arkeometrisë. Ai na bën të ditur se puna për identifikimin e shpatave me shkrime orientale do të përfundojë në muajin shkurt.

Shpatat evropiane

“Krahas shpatave orientale, unë kam mbledhur edhe shpatat evropiane të gjendura në territoret e Shqipërisë. Janë pak shpata, por me një vlerë shumë të madhe dhe shumë interesante për të plotësuar mesjetën dhe muzeumet e Shqipërisë”, - thotë Stamati, i cili na thotë se po punoj për restaurimin, identifikimin, si dhe futjen e tyre në histori. Ai shton po ashtu se “kam filluar që të krijoj lidhje edhe me shumë muzeume në Evropë, për të bërë sa më precize identifikimin e periudhës kohore, të punishteve që i kanë prodhuar etj. Shpatat evropiane që kam gjetur u përkasin periudhave të ndryshme, duke filluar që nga shekulli XV, e deri në shekullin XX”. Në fund të këtij procesi pune ai ka menduar që gjithçka të reflektohet në një katalog, që do të përmbajë të gjitha të dhënat e sakta të çdo shpate të restauruar, e cila do të shërbejë vetëm për qëllime studimore.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›