E Diel, 1 Nëntor 2026

Gomonia në ujërat e Adriatikut, ende të humbur tre persona



Në kërkim të tyre janë angazhuar shumë forca të shpëtimit, nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Kroacia, por pa arritur që të gjejnë mjetin

Tre personat të cilët janë në një gomone, që rezulton e humbur në ujërat e detit Adriatik që prej ditës së diel, ende nuk janë gjetur. Kërkimet për tre personat u ndërprenë mbrëmjen e ditës së djeshme. Autoritetet policore kanë bërë të ditur se kërkimet u mbyllën për shkak se moti i keq dhe errësira e bënin të pamundur vazhdimin e misionit kërkues.

Në kërkime u angazhuan forca policore nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Kroacia. Me gjithë përpjekjet e tyre, ende nuk është arritur që të zbulohet vendndodhja e gomones. Në kërkim u angazhua edhe një aeroplan nga Bari, por pa rezultat. Rreth orës 19:00, edhe Mali i Zi ndërpreu kërkimet pas mjeteve shqiptare. Avioni nga Bari i vënë në dispozicion ka vazhduar të kërkojë edhe gjatë natës. Në ndihmë të kërkimeve u deklarua zyrtarisht se do të vihet një avioni nga Bari, i specializuar për kërkime të tilla. Ndërkohë, drejtori i Përgjithshëm i policisë kroate, Vladimir Faber, përmes një komunikimi zyrtar ka informuar se autoritetet kroate po bëjnë gjithçka për të ndihmuar në kërkimin e mjetit lundrues me tre peshkatarë nga Vlora. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit Shqiptar bëri të ditur se Faber ka informuar se përveç Zyrës Qendrore Kombëtare Kroate për Kërkimin dhe Shpëtimin në kërkimet në det janë përfshirë dhe Autoritetet e Portit të Dubrovnikut dhe Rajoni Policor i Dubrovnikut.

Ndërkohë që Zyra Qendrore Kombëtare Kroate për Kërkimin dhe shpëtimin në det dhe policia kroate janë në kontakt me Qendrën Kombëtare Malazeze të Kërkimit e Shpëtimit.

Por me gjithë angazhimin e mjeteve të tre vendeve, nuk është arritur që të gjendet gomonia e zhdukur. Rreth paradites së ditës së djeshme u duk se u arrit që të gjendej gomonia me tre personat, por kur forcat e shpëtimit janë afruar, kanë parë se ajo nuk ishte mjeti që ata kërkonin. Në kërkim janë aktivizuar edhe dy helikopterë që kontrolluan nga ajri gjithë bregdetin e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kroacisë, po kështu edhe 3 anije në det që kërkuan për gomonen e humbur, si dhe disa motoskafe të Policisë Kufitare shqiptare dhe malazeze.

Ngjarja

Gomonia, e humbur që prej të dielës

Gomonia me tre personat që ishin në të rezultojnë të humbur prej katër ditësh në ujërat e Adriatikut.

Strukturat e Policisë së Shtetit janë informuar nga Kapitaneria e Portit Vlorë rreth orës 08:30 të ditës së diel nga një shtetase nga qyteti i Vlorës, që ka njoftuar se bashkëshorti i saj, Romeo Purizo, 43 vjeç, gjendej në det të hapur me një mjet lundrues së bashku me dy shokë të tij, Sotir dhe Niko Golaj dhe dallgët po i çonin drejt Malit të Zi. Me të marrë informacionin nga strukturat e Policisë Kufitare dhe Migracionit është kontaktuar me celular me këtë shtetas, por nga ana e tij, nuk ishte e mundur që të përcaktohej saktë vendndodhja, ndërkohë në telefonin celular dilte sinjali i telefonisë së Malit të Zi. Nga punonjësit e policisë është marrë kontakt dhe me familjarët e shtetasit Romeo Purizo, të cilët deklaruan se ky shtetas ishte larguar nga shtëpia që prej ditës së diel, datë 18.01.2009, rreth orës 16:00, duke u thënë se do të dilte për të peshkuar me shokët. Komunikimi i fundit që ata kanë pasur me shtetasin Romeo Purizon ka qenë pardje në mëngjes, ku ky shtetas u ka deklaruar familjarëve që gjendej në det të hapur me mjetin lundrues së bashku me dy shokë të tij dhe dallgët po i çonin drejt Malit të Zi.

Për t’ju ardhur në ndihmë këtyre qytetarëve nga strukturat e Policisë së Shtetit, përkatësisht Departamenti i Policisë Kufitare dhe Migracionit, u mor kontakt menjëherë me policinë malazeze, për të bërë të mundur fillimin e kërkimeve në ujërat e tyre. Po ashtu, homologëve malazezë iu kërkua që të lejonin fluturimet në hapësirën e tyre tokësore dhe ujore të helikopterëve të Ministrisë sonë të Mbrojtjes. Gomonia me tre persona në bord dha alarmin "SOS" në ujërat territorialë të Malit të Zi, në detin Adriatik.

Personat që ndodhen në gomone, njoftuan se arritën të shikojnë në det tragetin "Riviera del Connero" të linjës Ankona-Durrës. Kapitaneria e Portit të Durrësit i dha urdhrin kapitenit të tragetit të ndërpresë udhëtimin dhe të mbikëqyrë zonën. Trageti vijoi kërkimet për rreth tre orë, por pa rezultat. Ndërkohë që po ditën e djeshme, me gjithë angazhimin e shumë mjeteve dhe forcave të shpëtimit, nuk u arrit që të gjendej mjeti i humbur.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›