Farmacitë, ISKSH: Rastet kur prishen kontratat
ISKSH-ja lidh për vitin 2009 kontratat e reja me farmacitë dhe depot
farmaceutike
ISKSH-ja shton kontrollet ndaj farmacive dhe depove farmaceutike. Për kontratat e reja të këtij viti janë marrë masa shtrënguese. Këshilli Administrativ i ISKSH-së dje ka miratuar kontratat e reja të vitit 2009 që do të lidhen me farmacitë dhe depot farmaceutike. Këtë vit, kontratat me farmacitë dhe depot farmaceutike kanë pësuar ndryshime, duke përmirësuar më tej sa i takon kontrollit të barnave si dhe kërkesave të sistemit farmaceutik. Gjithashtu, në kontratat e reja cilësohen edhe sanksionet që vendosen nga ISKSH-ja.
Kontratat
Kontratat e reja këtë vit janë përmirësuar më tej, sa i takon kontrollit të barnave, por duke pasur parasysh edhe kërkesat e sistemit farmaceutik. Aktualisht është në përfundim lidhja e kontratave në të gjithë vendin si për sa u takon farmacive, ashtu edhe depove farmaceutike. Së shpejti do të miratohen kontratat e reja me qendrat shëndetësore si dhe ka nisur puna për përcaktimin e detajeve të kontratave me spitalet të cilat do të hartohen rishtazi.
ISKSH-ja ka kontrata me farmacitë në të gjithë vendin dhe numri i tyre është në rritje vit pas viti, duke shtrirë akoma më shumë aksesin e shërbimit për popullatën që përfiton nga skema e sigurimeve shëndetësore. Të gjitha farmacitë që plotësojnë kriteret, kanë të drejtë të lidhin kontratë më ISKSH-në, përveç disa rasteve specifike. “Nuk lidhet kontratë më farmacitë dhe depot farmaceutike kur farmacistit/drejtuesit teknik dhe pronarit në periudhat që u përkasin dy kontratave të njëpasnjëshme të mëparshme, i është zgjidhur kontrata në më shumë se një herë për shkeljet si për faturë apo recetë fiktive, për mungesë të drejtuesit teknik apo të farmacistit të lartë të punësuar”, – përcaktohet në vendimin e ISKSH-së.
Sanksionet
Gjithashtu, nuk lidhet kontratë me farmacitë apo depot farmaceutike të cilat janë në proces gjyqësor me ISKSH-në. Masat e përcaktuara nga instituti pritet të ulin numrin e abuzimeve nga farmacitë dhe depot farmaceutike.
“Nuk lidhet kontratë me depo farmaceutike në qytet apo fshat ku ka farmaci me kontratë. Nga kontrollet me inventar në farmaci për diferenca në plus (gjendja fizike e barnave të listës është më e madhe se ajo kontabël) farmacia paguan masën e diferencës dhe për vlera mbi 200 000 lekë farmacisë i ndërpritet kontrata për një periudhë 6-mujore”, – përcaktohet në vendimin e ISKSH-së
Në këtë vendim janë parashikuar edhe gjoba. “Nga kontrollet me inventar në farmaci për diferenca ne minus të pajustifikuara (gjendja fizike e barnave të listës është më e vogël se ajo kontabël) në masën 300 000 deri 700 000 lekë (në kontratën 2008 kjo diferencë ka qenë më e lartë 300 000-900 000) farmacia gjobitet me 10 000 lekë dhe mbi atë vlerë i ndërpritet kontrata për një periudhë 6-mujore”, – përcakton vendimi.
Në këtë mënyrë, ISKSH-ja shpreson të ulet ndjeshëm abuzimi me barnat, që e ka çuar në disa procese gjyqësore gjatë vitit të kaluar.