E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Aldo Baro”, bie kërkesa për rivlerësim të masës

TIRANE-Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka rrëzuar kërkesën e bërë nga Alfred Shkurti, alias Aldo Bare për rivlerësim të masës. Bare i cilësuar nga organi i akuzës si kapo “Bandës së Lushnjës” i kërkoi në datën 5 Dhjetor Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda lirimin e tij nga burgu.

Në ankimimin e hartuar avokati mbrojtës i Bares, Vladimir Meci i kërkoi Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda të shpallë të pavlefshme masën e sigurisë ‘arrest me burg’ marrë ndaj klientit të tij në mungesë në më 26 mars 2006, si dhe verifikimi i kushteve të zbatimit të kësaj mase pas ekstradimit nga Turqia. Sipas avokatit “gjykata ka vepruar në kundërshtim me ligjin në vendosjen e masës së sigurisë ndaj klientit të tij”.Ai argumenton më tej se seanca për vlerësimin e kushteve të zbatimit të masës duhet të shqyrtohej nga një trup gjykues dhe jo një gjyqtar i vetëm, për aq kohë sa dosja në ngarkim të Aldo Bares ndodhej në gjykim. Sipas tij, Bare mbahet në burg 1 vit e 5 muaj pasi i kanë skaduar afatet e paraburgimit.

Por, trupi gjykues nuk mori parasysh kërkesën e avokatit duke arsyetuar se vendimi për masën e arrestiti qëndron në bazë të akuzave që rëndojnë mbi të pandehurin.

Aldo Bare akuzohet për mbi 20 vrasje, krijimin e organizatës kriminale, rrëmbim personi, shkatërrim prone, dhunim varresh, dhe kryerje të veprave të tjera penale në bashkëpunim nga organizata kriminale, dhe u ekstradua nga Turqia më 25 nëntor të këtij viti.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›